Pikërisht një vit më parë Sali Berisha inauguronte një ambjent të ri të Muzeut Kombëtar të Tiranës; ishte 21 shkurti i 2012 dhe për të festuar 21 vjetorin e rënies së regjimit, berisha zgjodhi rrugën e historisë dhe të kulturës duke treguar në sallat e ngrohta të Muzeut Kombëtar fotot e horroreve të diktaturës.

Në ceremoninë e përurimit Berisha kujtoi rëndësinë e dëshmive dhe vlerën e denoncimit duke nënvizuar se: “Europa ka njohur shumë diktatorë dhe diktatura në historinë e saj, Por në memorien e saj shënohen dy nga më të egrit e të gjithë kohërave: Adolf Hitler dhe Enver Hoxha”.

E gjitha ishte vetëm propagandë. Sepse sot, tamam një vit pas atij inaugurimi pompoz, intelektuali Fatos Lubonja zbulon se burgu i Spaçit – simboli autentik dhe origjinal i tmerreve te diktatures – jo vetem ndodhet ne nje gjendje te mjeruar, por po zbërthehet e grabitet duke e transformuar në skrap. Ana më cinike e kësaj historie është se me shkatërrimin e këtij simboli të regjimit komunist po merret një nga zgjedhësit më të besuar të Sali Berishës, Nikollë Prendi, vëllai i kryetarit të Gardës Ndrea Prendit, që pak ditë më parë u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës për krimet e 21 janarit.

Prej vitesh Klani që mbështet Sali Berishën po bën biznese të mëdha me tregtinë e skrapit, por pasi ka çuar në furrë tanke, avione, nëndetëse, predha dhe copa fabrikash të regjimit të vjetër, nuk imagjinonte se do të zbulonte se babëzia për paratë dhe imuniteti i pushtetit mund t’i shtynte të trasformojnë në Skrap edhe memorien dhe historinë e vendit tonë.

Një vend pa memorie rrezikon të bëjë të njëjtat gabime dhe tmerre të së kaluarës së tij.

Redaksia Online
(ad.ti/shqiptarja.com)