TIRANË- ‘Sunny Hill Festival’ i organizuar nga ylli botëror Dua Lipa do të mbahet në Tiranë! Menaxheri i Festivalit Alban Kastrati u shpreh për Report Tv se vonesat nga ana e Prishtinë ishin burokratike.
Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Kastrati shpjegoi përse festivali nuk do të mbahet në Kosovë, duke thënë se autoritetet zvarritën procesin e procedurës për dhënien e truallit ku do të organizohej ‘Sunny Hill’. Sipas tij, pas votimit në kuvend, u zvarritën procedurat pasi kërkon plotësim të dokumenteve. Kastrati u shpreh se kjo zvarritje nuk u la kohë që të përgatisnin trullain për festivalin.
“Shumë burokratike. Dy herë në kuvendin komunal të Prishtinës e kemi kaluar si kërkese, në rastin e parë më vota unanime. Verifikimi i ligjshmërisë ka marrë tepër kohë dhe janë kërkuar plotësime deri në masën kur ne kemi humbur shumë ditë për përgatitjen e nevojshme për tu organizuar. Nuk na kanë mbet pak ditë për ta organizuar për ta rregulluar tokë. Kemi thënë që kësaj radhe do ta mbajmë në Tiranë. Për ti përmbyll procedurat me fillu punën në atë terren është i vështirë. Ka nevojë për shumë kohë për ta vënë në funksion të festivalit”, tha Kastrati në Report Tv.
Por dëshira për ta organizuar festivalin në Tiranë ka qenë gjithmonë, u shpreh Kastrati, teksa theksoi se do të shohin mundësinë që ‘Sunny Hill Festival’ ta shtrijnë edhe në Shqipëri përveç Kosovës.
Pas disa opsioneve të propozuara nga Bashkia Tiranë, Kastrati tha se kanë zgjedhur ‘Amfiteatrin e Liqenit’ për të organizuar festivalin. Ai premton një atmosferë të jashtëzakonshme me rryma të ndryshme muzikore, ku në katër ditët që do zhvillohet, do performojnë rreth 100 artistë botërorë. Sipas Kastratit, presin që rreth 30 mijë qytetarë në ditë do marrin pjesë në festival.
“Kemi parë disa pozicione që na ka dhënë Bashkia e Tiranës, opsioni që kemi parë dhe është i lehët adaptueshëm është i Liqeni Artificial , hapësirë e mjaftueshme për qytetarët që do kemi. Në një terren i cili na krijon një edicion të festivalit. Jemi të gëzuar me shumë entuziazëm do vijmë në Tiranë. Më shumë se 100 prej tyre do jenë në skenë për katër net. Do jenë befasi, sepse janë emra të respektuar të industrisë së muzikës në për botë. Shpresojmë që do jetë një mikpritje e mirë.
Bashkia Tiranë ka pasur një pritje të jashtëzakonshme. Ka qenë pritje vëllazërore, i kemi tregu që kemi një ngecje në proces. I kemi thënë që nevoja për të ardhur në Tiranë. Natyrisht përgjigja ka qenë e menjëhershme. Është mobilizuar e gjithë bashkia për të na ndihmuar. Çdo natë do kemi artistë, të ndryshëm të rrymave të ndryshme. Në edicionin e kaluar kemi pasur 23-24 mijë njerëz. Presim diku deri në 30 mijë njerëz në ditë për katër ditë rresht. Do duhet ti akomodojmë", u shpreh Kastrati.
Pas zvarritjes së procedurave në Kosovë, u vendos që ‘Sunny Hill Festival’ të mbahet në Tiranë konkretisht në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht.