Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit, Ervin Hodaj dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Altin Lila dolën në një konferencë të përbashkët shtypi këtë të hënë, ku bënë bilancin për muajin maj.

“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 383 vepra penale nga të cilat janë zbuluar 382. 117 persona janë vendosur në pranga, 302 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 15 janë shpallur në kërkim.

Janë finalizuar 10 operacione policore, ku janë arrestuar 36 persona. Operacionet kanë konstatuar në fushën e shitjes së lëndëve narkotike ku janë finalizuar 3 operacione, 2 prej tyre për shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në Shijak e Kavajë”, tha ai.

Për menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror ai nënvizoi se janë marrë një sërë masash duke përfshirë edhe monitorimin me pajisje inteligjente.

"Me rritjen e fluksit të lëvizjes së mjeteve, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore. Si rezultat, Policia Rrugore ka vendosur 11.373 ose  3.155 masa më shumë se 1 muaj më parë, ku pjesa më e madhe është për ato shkelje që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë rrugore. Janë evidentuar 10 aksidente rrugore, si pasojë e të cilëve kanë humbur jetën 4 shtetas, janë plagosur rëndë 4 shtetas si dhe janë plagosur lehtë 8 të tjerë.

Gjithashtu në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore nga këto struktura janë proceduar penalisht 62 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, nga të cilët janë arrestuar 34 shtetas, nga të cilët 25 shtetas kanë qenë në gjendje të dehur, ndërsa 28 janë hetuar në gjendje të lirë", nënvizoi ai.

Ndërsa Drejtori i Kufirit dhe Migracionit Altin Lila bëri të ditur disa prej masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit veror. Ai shtoi se në pikat e kalimit kufitar të qarkut Durrës fluksi më i lartë i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 2140

"Gjatë muajit Maj, në pikat e kalimit kufitar të qarkut Durrës janë përpunuar mbi 46.000 shtetas dhe 20.300 automjete. Fluksi më i lartë i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 2140 shtetas dhe 1060 automjete. Për përballimin e këtij fluksi, kemi shtuar kapacitetet e shërbimit në pikat e kalimit kufitar, duke shtuar sportelet dhe personelin e angazhuar. Gjithashtu, jemi në fazën përfundimtare të instalimit të programeve dhe pajisjeve të reja teknologjike, të cilat do të rrisin ndjeshëm shpejtësinë e përpunimit të shtetasve dhe mjeteve, duke ruajtur të pandryshuara standardet e kontrollit dhe sigurisë kufitare”, tha ai.

Lila shtoi se vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe sigurisë në plazhet dhe hapësirat ujore të qarkut.

“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në plazhet dhe hapësirat ujore të qarkut. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po monitorojmë respektimin e kritereve të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në stacionet e plazhit, funksionimin e perimetrit të sigurisë, praninë e vrojtuesve të plazhit dhe përdorimin e mjeteve lundruese.

Për këtë qëllim janë angazhuar 275 punonjës policie, 20 drejtues shërbimi, 11 patrulla ujore me Jet Ski, 5 me skafe dhe gomone, si dhe 8 patrulla tokësore, monitorimi nga toka dhe ajri kryhet edhe nëpërmjet dronëve, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Plagosja me armë zjarri në Shijak, arrestohet autori! Policia e Durrësit: Nuk bëri rezistencë

 

1780854682_shijak.JPG

Policia e Durrësit ka arrestuar autorin që një ditë më parë plagosi me armë zjarri një person tjetër pas një konflikti në  lagjen Lugina në Shijak

Në një konferencë për shtyp,Ervin Hodaj, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës tha se gjatë kapjes autori Elton Beqiri, nuk bëri rezistencë.

“Së pari duke marrë shkas në lidhje me plagosjen në Shijak, është bërë kapja e autorit dhe arrestimi i tij për ‘plagosje e rëndë me dashje’.  Ka qennë një angazhim i të gjithë forcave. Një nga metodat e policisë ka qenë edhe bashkëpunimi me familjarët. Nuk pati rezistencë gjatë arrestimit”, tha Hodaj.