Në këtë aktivitet formues të edukimit në vazhdim, i cili realizohet si një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe UK “Zoja e Këshillit të Mirë”, Rajonit të Toskanës dhe Universitetit të Firences, Itali, morën pjesë gjithashtu edhe Ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani, Ministrat e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Kantonit të Tuzlës, Bosnje-Hercegovinë, përkatësisht, Dr. Ferid Agani dhe Alen Kamerić.
Duke falënderuar organizatorët nga UKZKM dhe Ambasadorin Gaiani për ndihmën e vazhdueshme prej 22 vjetësh në mbështetjen e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se edicioni i V-të i programit të kualifikimit për vitin 2014 është një përmbushje e angazhimit të marrë qysh në takimin e dt. 5 dhjetor të vitit të kaluar së bashku me kolegun Agani dhe me përfaqësuesit e Rajonit të Toskanës në Itali, si dhe Prof. Persianin nga Universiteti i Firences, ku u diskutua për të shtyrë përpara realizimin e projektit të asistencës teknike dhe formimit menaxherial, në vazhdimësinë e traditës së deritanishme të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
“Në takimin e dt. 5 dhjetor të vitit të kaluar që zhvilluam së bashku me kolegun Agani dhe me përfaqësuesit e Rajonit të Toskanës në Itali, si dhe Prof. Persianin nga Universiteti i Firences, diskutuam për të shtyrë përpara realizimin e projektit të asistencës teknike dhe formimit menaxherial, në vazhdimësinë e traditës së deritanishme të bashkëpunimit mes vendeve të Rajonit. Kështu, arritëm të prezantojmë programin e kualifikimit për vitin 2014, edicioni i V-të i të cilit, ka për qëllim krijimin e një kulture menaxheriale të përbashkët dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për këtë periudhë tranzicioni. Gjithashtu, Rajoni i Toskanës do të vazhdojë të japë mbështetjen e vetë për sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, për krijimin e një sistemi indeksi kostosh të Sistemit Shëndetësor të ngjashëm në vendet e rajonit. Në këtë mënyrë do të favorizohet racionalizimi i resurseve, zgjerimi i hapësirave të Tregut dhe Konkurencës së sherbimeve shëndetësore, duke influencuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe uljen e kostove.” u shpreh ministri Beqaj.
Duke vijuar më tej, Beqaj, përgëzoi edhe shtetin fqinj Italinë që sot ka marrë presidencën e Bashkimit Europian. Ai shprehu ndër të tjera bindjen se Italia do të vijojë të jetë avokate e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.
“Ndërkohë, përfitoj nga rasti, të shpreh kënaqësinë time për t’i uruar punë të mbarë Presidencës se porsanisur Italiane të BE-së, duke qenë i sigurt se Kryeministri i ri dhe energjik, Matteo Renzi do të dijë t’a frymëzojë dhe udhëheqë BE-në për një fillim të ri dhe rritjen e qëndrueshme aq shumë të dëshiruar. Gjithashtu, jam i bindur, se Presidenca Italiane, si një avokate e hershme e aspiratës Europiane të popullit tim, do të vazhdojë të japë ndihmën e paçmuar në mbështetjen e vendit tim drejt konsolidimit të sistemit demokratik dhe sundimit të së drejtës në ekonomi, duke ofruar në të njëjtën kohë një kornizë vlerash referuese dhe instrumenta financiare.” tha Beqaj
Edicioni i V-të i këtij aktiviteti në formën e kursit tre-ditor i cili zhvillohet në vijimësi të raporteve tashmë të konsoliduara të bashkëpunimit në fushën e kujdesit shëndetësor të Rajonit të Toskanës dhe strukturave të Sistemit të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera Ballkanike, ka për qëllim krijimin e një kulture menaxheriale të përbashkët dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për këtë periudhë tranzicioni.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)