Komunitetet fetare e kanë çelur ditën e tretë të punimeve të Samitit të Diasporës duke ndarë bekimet dhe urimet e tyre në Mëngjesin e Vëllazërimit.
“Kam mësuar se është jo e zjguar të mos konsiderosh ata përpara meje dhe ndërkohë që bëj këtë lutje ç’mund të bëj përveçse të lutem me fjalët e Fan Nolit?”, tha peshkopi i Krye Dioqezës së Shqipërisë në Boston, Nikodhim Preston.
Më pas, fjalën e mori Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror Bektashian që uroi për bashkim dhe bekoi flamurin kombëtar.
“Na jep urtësi që përmes besimit dhe respektit të ndërtojmë një botë më të drejtë e njerëzore. Në këtë mëngjes bekimesh, të dalim nga këtu më të bashkuar, më të fortë në shpirt dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët. Zoti na bekoftë të gjithëve, na bekoftë Shqipërinë dhe flamurin tonë të mrekullueshëm!”, tha Baba Mondi.
“Lutem sot që në çdo vend ku ndodhen, të dalë më e mira. Bekoje çdo qytetar dhe të kemi harmoni fetare, unitet mes njëri-tjetrit, Shqipëria s’është e askujt, na takon neve. Bekoji shqiptarët kudo që janë dhe jepu urtësi e forcë që të kalojnë çdo sfidë në jetën e tyre”, tha Erion Sylari nga Vëllazëria Ungjillore.
Don Kastriot Idrizi nga Bashkësia Katolike në Bruksel u lut për shqiptarët në diasporë.
“Të lutemi për shqiptarët kudo në botë, diasporën tonë të çmuar, ata që kanë lënë atdheun në kërkim të një jete më të mirë, ata që ndërtojnë të ardhmen me sakrificë, për prindërit dhe të moshuarit që ruajnë rrënjët. Të mos humbasin shpresën, të ruajnë dashurinë për njëri-tjetrin dhe të ndihen të mbrojtur e në paqe. Udhëhiq mendjet e atyre që mbajnë përgjegjësi publike që vendimet e tyre të jenë në dobi të paqes”, tha ai.
Imam Dr. Rifat Halili nga Qendra Islame Shqiptare në New York dhe New Jersey e vuri theksin te uniteti.
“Beko këtë tokë të Shqipërisë që ka mbajtur në gjirin e saj shekuj bashkëjetese. Bekje popullin shqiptar kudo që ndodhet, në vendlindje a në mërgim. Jepi begati që nuk harron rrënjët e veta. Forcoji lidhjet ndërmjet komuniteteve fetare, bëji ura që lidhin zemra. Beko udhëheqësit politikë, jepi ndihmën tënde që t’i shërbejnë çdo shtrese të shoqërisë me drejtësi e barazi. Mos lejo që pushteti të bëhet barrë për popullin. Mbill në zemrat tona dashuri, drejtësi e mëshirë. Na bëj njerëzit që falin, që ndërtojnë, që nuk përçajnë”, tha Imami.
Lajmi kryesor:
Samiti i IV i Diasporës mbyll siparin/ Klerikët fetarë ndajnë bekimet në Mëngjesin e Vëllazërimit










