1.
I prirur në udhëtimin e tij drejt një arti të vërtetë e me kërkesa artistike, e ke të pamundur të mos të të bjerë në sy ky tipar edhe në librin më të ri të titulluar: “Monolog me veten” (kur nuk kam një partnere për të biseduar...), të shkrimtarit Meritan Spahija.
Mozaiku i tekstit me proza poetike (por më shumë se kaq) na shpie sa në bregun e mallit, aq edhe në atë të kujtimeve, sa në të ritë e autorit, aq edhe në ngjarje fatmira e fathumbura, sa në perceptime filozofike, po aq edhe në zbulesa të trishta sociale, sa referues i një bote të largët, po aq përkuese me realitetin e përditshëm, sa në lëvrimin dhe objeksionin e legjendave e të miteve, aq edhe në diagramën progresive të kulturologjisë së autorit, e kështu, pa harruar se besimplotë e pret një mëngjes i ri i së nesërmes për një udhëtim të ri artistik, sigurisht me një hapësirë të re, ku siç thotë studiuesi Sali Bashota: “Kur fillon e kur mbaron shkrimi? Kjo është temë-dilema e secilit krjues kur ballafaqohet me kuptimin dhe domethënien e fjalës poetike, përbrenda aktit të frymëzimit. Pastaj, në procesin e krijimit: projektohen, ringjallen, lëvizin ndjenjat, mendimet, figurat; aty ku strukturohet rrethi i imagjinatës: kujtimi, ligjërimi, shkrimi” (Bashota, Sali: Enigma e shkrimit, Prishtinë, Artini 2018, shkrimi “Meditimi lirik”, f. 33).
I prirur për t’i shtuar edhe një faqe poliedrit të figurës së tij në lëmin e krijimtarisë letrare, shkrimtari Meritan Spahija vjen me një libër, ku shpërfaq dinjitetshëm prozat në poetikat e tij, proza me fabul ose jo, por, ama, me imazhe dritëhijshme, të cilat në tekst i përgjigjen një organizimi korrekt e të admirueshëm strukturor ku detajet ndjehen të përzgjedhura, kanë një gdhendje prej dalte artistike, joshëse e plot sensibilitet artistik.
Libri është i ndërtuar mbi bazë ciklesh, dhe titullohen sipas prezantimit të autorit: “Përsiatje”, “Përkushtime”, “Nostalgji verore”, “Rrëfime”. Synopset, janë një tjetër vështrim i autorit, ku në vetvete mbartin ngarkesa filozofike e shtresime liriko-epike, si dhe tekstet që përmbyllin librin, si: “Çështje nderi” (një meditim i shkurtër në muajt e nxehtë të diellit 616, mbas Trojës) e “Jazoni” (djaloshi i heshtur, që nuk dinte se ishte i ditur), konfigurojnë estetikisht librin, i falin frymëmarrje më të gjerë dhe një ndërtim kompozicional më të konsoliduar.
2.
Në lëndën e librit, në disa cikle, të bien në sy emërtesa Përkushtime, që ngjajnë si medaljone vlerash, ku tipizohen personazhet në raporte të caktuara me realitetet. Siç mund ta gjejmë në prozën “Dimër i butë”, kushtuar GB.
“Që kur ike ti, asgjë nuk ka ndryshuar në qytet. Përsëri kafenetë të shtunave në mëngjes janë plot, ashtu si të hënave, dhe kalimtarët në rrugë janë të shumtë. Edhe ky dimër po duket i butë, siç kanë qenë zakonisht këta të fundit. Me gjasë, nuk do të bjerë borë as sivjet. Na kalbi shiu! I vetmi ndryshim qysh se ke ikur ti, është se, diku, në një lagje të qytetit, një plakë fisnike për herë të parë në jetën e saj ka vënë në krye një shami të zezë. Ndryshmi tjetër është se ne jemi një më pak.” (Dimër i butë, për GB, f. 11).
Tek ciklet pasuese, si udhërrëfyese motivesh shndrisin e rrezatojnë përcjellje mesazhesh pava-rësisht vendit dhe kohës që bëhet fjalë, dituria e kultura e autorit, thellësia e njohjes, personazhe me dukuritë dhe ngarkesat emocionale, afirmimi i një bote femërore me shumë problematika, filozofi, arsyetime, vizione e bashkëkohësi... një botë sa tokësore e po aq qiellore, sa mitike, aq legjendare, që jo vetëm e dashuron autori Spahija, por edhe e sjell me mjeshtëri dhe dallueshëm në letërsinë shqipe, duke iu përmbajtur prozës poetike, ndoshta edhe më shumë se kaq si zhanër. Një prozë poetike që rrezaton nga Saktësia, - siç thotë Italo Kalvino. E, duke iu referuar Kalvinos, proza poetike e Meritanit në ligjërimin e rrëfimin e tij shquhet nga tre gjëra:
- Projektimi i përcaktuar dhe i llogaritur mirë i një vepre (tekstit në rastin konkret);
- Evokim imazhesh vizuale të kthjellëta, energjike, të paharrueshme;
- Një gjuhë më e sakta për nga leksiku, ngjyrimet e mendimit dhe të imagjinatës (Calvino, Italo: Saktësia, f. 5-6; ALEPH 9, Tiranë, vjeshtë 2000).
Duke u nisur edhe nga këto tri gjëra që përmenda më sipër, mendoj se ky libër është një arritje e re në krijimtarinë e autorit, e pse jo, edhe në zhanrin e prozës poetike shqiptare.
3.
Në fakt, Meritani e ka një ndjesi, e një marrëdhënie komunikimi me tekstin që shkruan. Shpërfaqja është në shumë pika vështrimi. Po rendis disa prej tyre, si: *e ndërtuar mbi filozofinë e Migjenit (Portreti i përsosur), *e konceptuar si thirr-je drejt dritës dhe dashurisë së diturisë (Për një Eco të papërsëritshme...), *e ndërtuar në një rrafsh në raportet me qytetin (Dimër i butë), *e ndërtuar mbi bazën e përshkrimeve me prirje filozofike (Valët në breg), *e ndërtuar mbi bazën e ngjashmërive (Zgënjimi i imazhit), *i ndërtuar mbi bazën e vokacionit të evolucionit dhe vazhdimësisë së jetës (Gjethet e vjeshtës së shkruar), *i ndërtuar si gërshetim planesh, mes koherencës dhe vlerave të traditës (Të vjetrit), etj., etj.. I përmenda disa, ashtu siç mund të përmendja të tjera, për të arritur në karakteristika të prozës së Meritani, siç janë qasja dhe procedimi. Shpesh bashkangjitur, herë pranë e pranë, duke ruajtur edhe veçanësitë e tyre, ligjërimi i autorit fsheh të dukshmen dhe nxjerr në dritë të padukshmen, herë nëpër një përhumbje, e herë në përspektivë vizionesh, herë meditimi a ngjarje bëhet e afërt ashtu siç bëhet e largët, herë duke besuar, e herë duke udhëtuar në arritjen e një qëllimi, një ëndrre a dëshire, herë e herë... Ndaj dhe jo më kot e ndërton mendimin në një rrafsh filozofik, ku merr përparësi meditimi, shpesh përmes një loje e kontrastesh të përftuara, e shpesh ngjyresat poetike kanë praninë dhe mospraninë e tyre (është fjala për nënkuptimet), herë-herë fjalët a fjalitë krahasuese apo pyetësore, nga mënyrat e formulimit i gjegjen qëllimshëm strukturës dhe organizimit të lëndës.
4.
Në poetikën e tij, Meritani shquhet për zgje-dhjen e detajuar të tipareve të personazhit, të shprehjeve të thëna në funksion të përkatësisë së ideve. Dialogun e shoqëron një tension emocional dhe meditim si vlerë për t’i dhënë dimension e përjetim problemit që trajton. Këtë dukuri e gjejmë në çdo cikël, por më e dendur mbart cikli “Nostalgji verore”. Veçanërisht këto tekste mbartin ngjyra të theksuara lirike. Këtu, metafora dhe simbolika mbartin një peshë të veçantë, ngaqë përjetimi i dashurisë në shumëformësinë e saj mbart një pajë të lakmueshme të botës emocionale.
Në poetikën e tij, Meritani i jep vend përdit-shmërisë, legjendës, mitit, kanunit etj.. Edhe kur teksti nuk ka fabul, edhe kur teksti ka fabul, mbeten të palëvizshme: tabloja meditative dhe pamja ekspresive. Këto vlera e ornamente i ndeshim te “Nostalgji verore”, te synopset, te “Çështje nderi” e te “Jazoni”.
Meritani preferon një lloj fjalori, sigurisht të vetin, autentik, ku paraqet nje dukuri të brendshme, konkrete, abstakte, antike, mitologjike, etj., si: dituri, kafene, dimër, botë, Zeus, Apolon, valë, kokrrizë rëre, kokërr misri, malësor, rapsod, gur, lot, vjeshtë, gjethe, syth, sy, Narcizi, Perseu, Ariana, Tezeu, Jazoni, Paridi, jetë, etj., për të shprehur copëza kujtese, copëza realitetesh, imazhe të afërta e, pse jo, edhe të largëta. Të gjitha këto ne “i prekim” përmes ligjërimit të tij që na i rrëfen në vetën e parë, ku dhe ai kërkon të jetë i pranishëm në komunikim me subjektin.
5.
Duke kqyrur më vëmendje lëndën poetike të ofruar nga libri “Monolog me veten” gjen brenda çdo teksti “oaze” poetike, që të falin ndjesinë e poezisë, aq sa për një çast kujton se, je duke lexuar vargje, që të lënë mbresë, por shpejt kujtohesh se po komunikon me një krijim të shkruar në prozë... Më kujton Borges-in, i cili thotë: “Poezia lirike shkruhet në mënyrë të tillë, që lexuesi të vendoset personalisht në qendër të saj. Janë shkallëzime shpirti... Poezia është arti që shkakton ndjeshmëri, duke përdorur lojën e fjalëve” (Borges, Jorges Luis: Specifikimi i shpejtë për artin poetik, f. 101; Illz – revistë letrare e Tiranës, nr. 8-2017).
Për t’i shërbyer argumentit tim të mësipërm, zgjodha prozën me titull Valët në breg:
“Në bregun e detit, te rrypina që rrahet nga uji papushim, qëllon të shohësh ndonjë gur jo shumë të madh, por pashmangshëm e vëren, sepse vëllimi i tij është disa mijëra herë më i madh se kokrrizat e rërës. Mendon: ai është i palëvizshëm aty, kush e di qysh kur… Dallimi nga kokrrizat e rërës nuk qëndron në faktin se ato i zhvendos vala periodikisht, por në fakrin se ajo nuk e përfshin të tërin siç bën me kokrrizat, por vetëm pjesërisht, sipërfaqe që prapë i bie të jetë mijëra herë më e madhe se sipërfaqja e një kokrrize. Vala ndjehet e pafuqishme. Ndërsa kokrrizat i zhvendos papërfillshëm dhe me përbuzje, ndaj gurit duket se përkëdhel stoicizmin e tij”.
Si përfundim: prozat e Meritanit të shkruara me mjeshtri, paraqesin në thelb gjendje, ndërsa subjekti i këtyre krijimeve fsheh dhe shpërfaq mëkatin, intimitetin, kujtesën fëmijërore e rinore, kujtesën e vlerave, etj., aq sa shkrimtarin Meritan Spahija e bëjnë nostalgjik, përjetues, romantik e ëndërrimtar...
Shkodër, tetor 2018