Sipas Politico.eu. kancelarja gjermane Angela Merkel, ka deklaruar se “Evropa do të bashkohet vërtet kur të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”.

Merkel e bëri deklaratën në Hungari ku ndodhet për festimet me rastin e 30-vjetorit të të ashtuquajturit “pikniku pan-evropian”, një ngjarje simbolike që çoi në eksodin masiv të banorëve të Gjermanisë Lindore në Perëndim, rënien përfundimtare të Perdes së Hekurt dhe afrimin e Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Deklarata e kancelares gjermane është një tjetër konfirmim i angazhimit të Berlinit për zgjerimin e BE-së, por një ide jo e mirë midis disa anëtarëve të BE-së dhe shumë votuesve në Evropën Perëndimore, raporton Politico.eu.

Sidoqoftë, kancelarja Merkel theksoi se uniteti evropian nuk do të përfundojë derisa i gjithë Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Nëse i shikoni gjërat gjeostrategjike dhe gjithashtu shikoni hartën, do të shihni se Evropa do të bashkohet vërtet me vendet e Ballkanit Perëndimor”, u tha Merkel gazetarëve në qytetin hungarez Sopron.

Nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që janë jashtë BE-së, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë statusin e kandidatit zyrtar, me dy të parët që po vijojnë në përmbylljen e kapitujve, ndërsa dy të tjerat ende po presin “dritën jeshile” të hapjes së negociatave, vendim ky që pritet tetorin e ardhshëm.