/ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane konfirmoi se Evropa nuk do ta lejonte Rusinë të shkelte të drejtën ndërkombëtare në kuadër të krizës ukrainase, gjatë një fjalimi me rastin e Vitit të Ri.

"Natyrisht ne dëshirojmë vendosjen e sigurisë tonë në Evropë me Rusinë dhe jo kundër Rusisë", konfirmoi Merkel duke shtuar se Evropa nuk mund të pranojë dhe nuk do të pranojë shkeljen e të drejtave ndërkombëtare.

Fjalimi, në të cilin ajo uroi të gjithë gjermanët me rastin e Vitit të Ri, u regjistrua dje dhe do të publikohet sot në mbrëmje në televizion.
"Në krizën ukrainase, Evropa ka vendosur të mos lejojë ndarjen, por të reagojë në mënyrë të bashkuar për të mbrojtur rendin e paqes dhe të vlerave të saj", konfirmoi kancelarja gjermane.

"Bashkimi i Evropës nuk është një qëllim në vetvete, por është çelësi për të kapërcyer krizën në Ukrainë dhe për të vendosur forcën e të drejtës", shtoi ajo.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko njoftoi dje një takim me homologun rus, Vladimir Putin më 15 janar në Kazakistan, parashikuar të organizohet nën drejtimin e drejtuesve gjerman dhe francez, Angela Merkel dhe François Hollande.