Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

SPAK

Dhjetëra zyrtarë socialistë dhe politikanë të nivelit të lartë, janë përballur së fundi me hetimet e SPAK rreth disa prej dosjeve të korrupsionit në qeverinë shqiptare. Hetimet, edhe pse shumica nuk kanë përfunduar në gjykatë, kanë provuar së paku se shumë zyrtarë të lartë socialistë me mbështetje të fortë politike pas vetes, kanë një raport degradues sa i përket personalitetit të një zyrtari me paratë e shtetit shqiptar.

Është e qartë se siguria politike që kanë vetëndjerë, i ka futur në spiralen e konfliktit të interesit dhe abuzimeve në qark të mbyllur, duke u përplasur tani në dyert e prokurorise dhe gjykatave, si zyrtarë që kanë guxuar të fitojnë si biznesmenë, duke punuar ndërkohë si zyrtarë shteti.

Ky është aspekti i parë më i shëmtuar i administratës socialiste që po përballet me SPAK dhe që ka të bëjë me guximin për të vjedhur lekë me bankë.

Aspekti tjetër që është në nivel më të lartë politik, është rreziku që vet qeveria qendrore ka një sërë kontradiktash në politikat e zhvillimit të vendit përmes PPP-ve dhe koncesioneve, të cilat në thelb janë politika motivuese për zhvillim, nëse shmang kapjen e shtetit nga individë të caktuar.

Kjo në disa raste kompromenton ide shumë të mira të politikave të zhvillimit, ashtu si në disa raste ngjan si menu me porosi, me vetëm një kërkesë. 

Hetimet në këtë aspekt kanë çuar para drejtësisë ministra, deputetë, kryetarë bashkie dhe deri zëvendëskryeministrin, dhe përbëjnë nivelin më të lartë të ndëshkueshmërisë që ka pasur klasa politike në këtë vend.

Në përpjekje për të shpëtuar nga këto fenomene, qeveria ka bërë lëvizje strukturore duke krijuar agjenci qendrore për të menaxhuar problematika të bashkive apo qeverisë qendrore, por disa herë centralizimi i kompetencave tek njerëz të besuar mund të sjellë më shumë korrupsion dhe mungesë shërbimesh, se sa decentralizimi dhe thjeshtësimi i hallkave ligjore për të lehtësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

Pas një stuhie të vërtetë në skemën korruptive të inceneratorëve, Shqipëria tani ka më pak hajdutë në qarkullim, por më shumë plehra dhe mungesë perspektive për zgjidhjen e tyre. 

Nevoja për një strategji të qartë, të thjeshtë dhe afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve është urgjente, ashtu siç është urgjente thjeshtimi i legjislacionit për shërbimet në turizëm, hipoteka, tenderime dhe lejet e ndërtimit, që përbëjnë vatrat kryesore të korrupsionit në raport me qytetarët.

Për këtë arsye, socialistët shqiptarë në pushtet, ndërsa janë duke ju drejtuar betejës për mandatin e katërt, duhet të reflektojnë thellë jo si të justifikojnë ato që kanë bërë, por si të justifikojnë moralisht dhe politikisht një mandat të ri pushteti, meqë alternativa e ndryshimit politik duket më e vështirë se alternativa e ndryshimit të socialistëve.

Më pak fjalë socialistët nuk kanë nevojë të reformojnë patronazhistët, por administratën e lartë shtetërore, e cila përçon frymën e korrupsionit dhe i jep kosto qeverisë.

Sot një ministër i mirë apo kryetar i mirë bashkie, nuk është ai që ka shumë vota, pasi për arsye që e dimë të gjithë, votat nuk janë shumë merita personale të tyre, por dhe të atyre që kanë përballë. Sot një pushtetar i mirë është ai që nuk i jep kosto qeverisë me mënyrën se si qeveris.

Socialistët duhet të shkojnë drejt një reforme të re që duhet të ndërlidhë drejtësinë me administratën për të krijuar kulturën e ligjit në shtetin shqiptar, dhe mbi të gjitha bindjen që kur gabon nuk të mbron askush.

Administrata e lartë, drejtorët, ministrat e deri tek kryeministri, duhet të krijojnë modelin e bashkëjetesës me drejtësinë, me hetimin, gjykimin, dhe ndëshkimin prej saj, si dhe të përuljes ndaj drejtësisë.

Deri tani reagimet ndaj ndërhyrjes së drejtësisë në administratë përmes ndëshkimeve krijon vorbulla politike, ngaqë pandëshkueshmëria ka qenë normë. Tani normë është ndëshkueshmëria dhe shkuarja në prokurori do të jetë përjetësisht një rutinë e çdo zyrtari.

Një reforme e re politike dhe ligjore, që është më e rëndësishme se Reforma në Drejtësi, mund t’i bëjë socialistët të besueshëm për ta çuar më para Shqipërinë. 

Ndaj është urgjente nevoja për një reformë, që të ndajë administratën nga pushteti socialist, duke i dhënë shtetit shqiptar një administratë që nuk preket nga plagët e korrupsionit politik, por mban shtetin në këmbë dhe kur të gjithë “heronjtë socialistë” bien “dëshmorë” kur shkojnë para drejtësisë.

Në finale, socialistët nuk duhet të bëjnë thjeshtë një bilanc për “dëshmorët” e rënë nga drejtësia, por duhet të prodhojnë shpresë për shtetin shqiptar dhe vazhdimësinë e administratës së re perëndimore.

Ata e kanë detyre dhe dënim të krijojnë administratën e re të Shqipërisë, që do të jetë shtet i BE. Administratës që të mos ndjehet e frikësuar të firmosë, por të firmos duke frikësuar ata që duan të vjedhin./TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 05/05/2024 09:10

    Administrata e Shqipërisë është e aftë vetëm për t'i thënë popullit leh ti leh, rëndësi ka që të jemi vetëm për para. jo për BE.

    Përgjigju
    • Po mër po: 05/05/2024 09:48

      Këto krahasime me dje e sot, atëherë e tani, pushtetar i keq e pushtetar i mirë janë thjesht idealiste. Gota dje/atëherë ishte gjysëm bosh, sot/tani gjysëm plot.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Bardhi ndjek live nga telefoni fjalimin e Berishës, batutë dhe me Mediun: Ju pritëm sa ju pritëm, filluam pa ju...!

Bardhi ndjek live nga telefoni fjalimin e Berishës, batutë dhe me Mediun: Ju pritëm sa ju pritëm, filluam pa ju...!