Një nga arsyet madhore përse Berisha shpalli me urgjencë 22 Dhjetorin ditë proteste ishte Ervin Salianji dhe takimet e tij në Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan. Pasi e pa që PD po plasaritej dhe interesi për të dëgjuar Salianjin ishte më i madh se interesi për të dëgjuar Berishën, ai shpalli ditën e protestës si i vetmi mekanizëm që ka për të nënshtruar opozitarët brenda partisë.

E ka bërë këtë rregullisht në vite me çdo armik të brendshëm. Sa herë shfaqej dikush, thërriste protesta për t’u treguar demokratëve se “ne jemi kundër qeverisë, ai që më kritikon mua është me qeverinë”. Në këtë rast, Salianjin e nxori edhe me Suel Çelën.

Tani të njëjtën gjë që i bëri Salianjit po përpiqet t’ia bëjë Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt.

Nëse shikoni stilin e ftesës së tij për t’iu bashkuar protestës së Berishës, e kupton qartë se nuk po i thërret në protestë, por po i thërret për t’i bërë ushtarë të tij dhe për t’i nxjerrë nga fusha e lojës si opozitarë të ndryshëm nga Berisha.

Pra, ashtu siç përpiqet të unifikojë PD-në me veten e tij, duke i anatemuara kritikët brenda PD-së si armiq të opozitës, ashtu po bën edhe me partitë e reja opozitare, duke i vënë para zgjedhjes: ose në rresht pas meje, ose jeni opozitë e opozitës.

Me këtë stil Berisha përpiqet të ruajë iluzionin si opozita e vetme në këtë vend dhe gjithkush që tenton t’i marrë këtë monopol është më i keq se Edi Rama. Dhe kështu e ka më të sigurt rezultatin e protestës. Nëse del mirë, u thotë “s’kam nevojë për ju”; nëse del keq, u thotë “ma sabotuat ju”.

Ndaj, që t’i ikin këtij kompleksimi prej Berishës, partitë opozitare nuk duhet as t’u përgjigjen deklaratave të tij. Qeveria nuk rrëzohet nga dy mijë njerëz më shumë apo më pak në shesh, por nga idetë e reja alternative dhe sidomos nga figura që nuk të kujtojnë Sali Berishën.

Ky është edhe makthi real i tij. Ai do t’u imponojë shqiptarëve ose atë, ose askënd nga opozita, ndaj edhe përpiqet t’i komprometojë kundërshtarët e vet në parti dhe në opozitë, që ose ta pranojnë atë, ose Edi Ramën. Qoftë edhe për kaq, çdo opozitar duhet ta llogarisë si aleat të Edi Ramës./Tema