Mero Baze: Dëshpërimi prej Berishës, që po nxit dezertimet në opozitë

Mero Baze: Dëshpërimi prej Berishës, që po nxit dezertimet në opozitë

Sali Berisha

Dorëzimi i njëpasnjëshëm i dy mandateve nga deputetë të Partisë Demokratike, me motivacionin “për të parë punët e tyre”, është treguesi më i qartë i mungesës së shpresës që ngjall lëvizja e Sali Berishës gjatë këtij viti në atë parti.

Dhe nuk është ndarja ajo që dëshpëron. Nuk janë as debatet. E vetmja gjë që i dëshpëron pafundësisht demokratët, edhe ata që bëjnë sikur janë me Berishën, është fakti që e dinë që Berisha nuk ikën nga kreu i asaj cope që ka rrëmbyer, edhe sikur të mbetet vetëm.

Kjo e bën të pashpresë të ardhmen e çdo deputeti, dhe çdo politikani që ka si alternativë Sali Berishën. Të dy deputetët kanë kohë që janë nën presionin e Berishës dhe grupit të tij për t’iu bashkuar atyre, dhe ata në fakt kanë zgjedhur t’i djegin mandatet e të ikin në punët e veta.

Berisha i tërhoqi pas vetes në betejën me SHBA, duke u premtuar demokraci të brendshme në parti dhe përfundoi në një rrett njerëzish mediokër, të cilët para kësaj “demokracie” kanë qenë dora e fundit në PD.

Berisha i tërhoqi pas vetes në betejën kundër SHBA, duke u fshehur pas betejës me Lulzim Bashën, por ndërkohë që ai iku dhe dha dorëheqjen për të shpëtuar ndarjen e PD, me shpresë që dhe Berisha duhet të ikte, ky i fundit uzurpoi zyrat dhe kërcënon drejtësinë të marrë dhe vulën e partisë.

Pra ai provoi se betejën e kishte me SHBA dhe jo me Lulzim Bashën.

Të gjithë ata që shpresonin se pasi “të zbonte Bashën” do ikte dhe vetë, sot gjenden në çarkun e një plaku të lig, i cili gëzohet që i ka inkriminuar në betejën kundër SHBA dhe i mban si talibanë në rresht pas vetes.

Berisha i tërhoqi në betejën kundër SHBA, duke ju premtuar ringritje të partisë dhe forcim të rregullave të lojës dhe tani e ka katandisur fraksionin e tij si një turmë njerëzish që komandohen nga Facebooku i Berishës dhe jo nga statuti i tyre.

Primaret e shpallura i kanë shtyrë disa herë se nuk u mblidhen njerëz, votuesit i kanë shtuar në mënyrë spekulative “edhe me simpatizantë”, pasi nuk kanë njerëz që u shkojnë tek kutitë e votimit, dhe dyert e selive janë bosh nga dëshpërimi.

Shembulli më konkret se çfarë shprese ngjall ai me lëvizjen e tij, janë Grida Dume dhe Alfred Rusha, dy figura kryesore të PD para lëvizjes përçarëse të Sali Berishës, të cilët preferojnë të dorëzojnë mandatet.

Tani ka plot vend për humor, dhe po ashtu për të qarë me këtë që ndodh, por jo të qash për fatin e Gridës e Alfredit, se ata më mirë shkojnë për hallet e tyre. Është mirë të qani për atë që po i bën opozitës Sali Berisha, duke nxitur dezertimin para betejës dhe duke dëshpëruar dhe ata që besohej se do frymëzonin demokratët. Ky është bilanci më i hidhur i tij pas një viti lufte kundër PD. Nuk është keq. Më mirë se Edi Rama është në këtë betejë!

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dhoma e Përfaqësuesve voton këtë javë për ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin

Dhoma e Përfaqësuesve voton këtë javë për ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin