Mero Baze: Duhet të jemi më seriozë se spiunët

Mero Baze: Duhet të jemi më seriozë se spiunët

Uzina e Gramshit

Ngjarja në ish Uzinën e Armëve në Gramsh është më pak e dëmshme për Shqipërinë se sa reagimi ndaj saj. Nuk është ndonjë dramë e madhe të konstatosh se një celulë spiunazhi ka tentuar të dokumentojë gjendjen e një uzine ushtarake, ashtu sikundër nuk mund të anashkalohet lehtë fakti, që ata kanë sulmuar ushtarët për t'i paralizuar. Pretendimi se janë blogerë që fotografojnë objekte ushtarake, është çështje e hetimit dhe jo çështje e debatit publik. Çështje e debatit publik, është reagimi ndaj një ngjarjeje e cila merret e mirëqenë që është një episod shërbimesh sekrete.

Kryeministri i vendit, për fat nuk u zhyt në teori konspirative dhe e konsideroi episodin delikat që duhet hetuar. Po ashtu aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA, reaguan me kujdes duke treguar pozicionin e tyre krah Shqipërisë duke bërë thirrje për hetime të thelluara. Gjithë kujdesi ka të bëjë me kufirin mes të qenit një ngjarje spiunazhi, apo një ngjarje banale turistësh.

Opozita ka pasur tre qëndrime, ashtu dhe siç është e ndarë. Reagimi i Jorida Tabakut është serioz dhe institucional, duke ju referuar faktit që jemi vend i NATO dhe duhet të respektojmë standardet e sigurisë si vend anëtar. Sali Berisha, i cili tani e tutje  të gjitha problemat i shikon me heqjen e vizës për dikë që e quan armik, e kishte gjetur arsyen tek heqja e vizave për turistët rusë. A thua se nëse u duhet një mision spiunazhi, nuk gjejnë dot njerëz me viza. Por gjuha shkon ku dhemb dhëmballa.

I vetmi opozitar tolerant ndaj spiunëve ngjan Tritan Shehu, i cili duke ju referuar ngjarjes së dytë në Poliçan dënoi policinë pse i ndaloi, pasi ata turistet çekë po fotografonin nga jashtë, e jo nga brenda. Ilir Meta duket se ngjan në siklet, ngaqë kjo mund të jetë punë spiunësh dhe nuk ka folur fare. Mirë ka bërë se ç’kusur ka t'ia kujtojnë prap atë histori. Në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari.

Por për hirë të së vërtetës reagimi më komik dhe në të njëjtën kohë më delirant erdhi nga Presidentja e Kosovës. Ajo ka marrë në telefon Presidentin tonë dhe e ka garantuar se ka mbështetjen e Kosovës përballë këtij “agresioni” ku gjendemi.  Natyrisht që kjo situatë do të dukej për humor, nëse nuk ndjekim axhendën politike të presidentes, e cila dy javë më parë i ka propozuar presidentit tonë një pakt të përbashkët për mbrojtje reciproke. D.m.th. kur të ketë hall Shqipëria ta mbrojë Kosova dhe anasjelltas.  Propozimi është një nga ato hilet e liga të Vjosa Osmanit, për të vënë Shqipërinë në pozitat e një vendi që duhet detyruar të mbrojë Kosovën, a thua se Shqipëria ja ka kthyer kurrizin deri tani dhe kjo presidentja do garanci ligjore. Ndërkohë ajo vetë, është një nga ato politikanet që të vetmen ideologji që ka, është distanca me Shqipërinë. Nuk dua të them deri dhe urrejtje për të. Por sot vrapoi me na dalë në krah për të na “shpëtuar” nga këta tre rusët e Gramshit, çka nënkupton se në datë 1 Shtator, kur Albini të vendosë reciprocitetin, ne duhet të bëhemi gati për të shkuar në Veri të Kosovës t'i kthejmë borxhin.

Merreni më qetë! Maksimumi janë disa spiunë, që nëse provohen faktet, do dënohen, pasi janë të arrestuar ndërkohë. Shtypi botëror është i mbushur me këtë lajm, për shkak të ndjeshmërisë që ka ndaj agresionit rus kundër vendeve të NATO.  Nuk kemi hyrë në ndonjë luftë dhe as na ka ndodhur ndonjë hata e madhe. Kanë tentuar të hyjnë në një objekt, janë pikasur dhe arrestuar. Nëse janë spiunë do të dënohen, nëse nuk janë do ikin në punë të tyre. Por këto reagimet do mbeten dhe janë më joserioze se spiunët.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hani i Stavros: 22/08/2022 13:34

    Ne se jane keshtu te gjitha ambientet e ushtrise...!!Na nxine faqen para popullit keta spiunat/blogera...

    Përgjigju
  • Salah: 21/08/2022 22:10

    Kjo është një histori idiot. Pse do të bëni foto atje, është më e lehtë përmes satelitit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit