Biznesmeni Behgjet Pacolli ka njoftuar se të hënën, kompania “Mabco” dhe rreth 200 punonjës do të rifillojnë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai thotë se veprimi përputhet me vendimin e Gjykatës së Lartë që i ktheu të drejtën e administrimit dhe qëndrimit të kryeministrit Rama.

Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim”, shkruan biznesmeni.

Sipas tij, “Mabco” ka investuar 310 milionë euro në këtë projekt. Ai bën thirrje për të ndjekur rrugën ligjore në çdo hap dhe të respektohen vendimet e gjykatave.

Në një reagim të mëvonshëm, thuhet se “Mabco dënon fuqishëm” deklaratën e Bujar Ejupit që nuk përfaqëson më VIA-n.

“Deklarata në fjalë përfaqëson një përpjekje të dëshpëruar vetëgjyqësie për të penguar zbatimin e vendimeve të ligjshme të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve”, thotë Pacolli.

Sipas tij, VIA nuk ka aderuar, s’do të bëhet palë dhe as do të jetë garantuese ose financuese.

“Asnjë vendim gjyqësor nuk ndalon hyrjen e Mabco dhe nënkontraktoreve të saj në objekt, shkruan Pacolli duke rikthyer në vëmendje vijimësinë e punimeve prej së hënës.