Edhe pse duket paradoksale, e gjithë kriza e rëndë politike në të cilën është zhytur Shqipëria, është prodhuar me vetëdije nga katërshja opozitare, për t’i dhënë një leksion të “hidhur” Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për atë që nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, konsiderohet si ndërhyrje brutale në punët tona të brendshme përmes reformës në drejtësi.
Në betejën për të kundërshtuar reformën në drejtësi, Sali Berisha dhe Ilir Meta arritën të kenë një përparësi, që ua jepte vetë mënyra se si u miratua reforma dhe kompromiset që SHBA bëri me ta, për ta ndarë përgjegjësinë gjysëm për gjysëm.
Por më pas, përmes votave në Parlament dhe Ilir Metës në Presidencë, ata arritën të vonojnë ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe praktikisht fitorja e tyre më e madhe ishte mbetja përkohësisht e Shqipërisë, pa Gjykatë Kushtetuese.
Prej atij momenti, deklaratat e tyre kundër reformës në drejtësi kanë qenë të hapura dhe gjithnjë ilustrim ka qenë fakti, se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese. Dhe gjithë plani i ashtuquajtur i “destabilizimit” prej tyre, është mbështetur mbi këtë fakt.
Prej momentit që Gjykata Kushtetuese, është bërë jo funksionale, Ilir Meta ka ndërmarrë disa veprime të hapura anti-kushtetuese, vetëm për t’u hakmarrë ndaj reformës në drejtësi dhe për të thënë “ja se ç’na bënë amerikanët”.
Këtë gjë bëri me mos dekretimin e Sandër Lleshaj ministër i Brendshëm, pastaj të Gent Cakajt, ministër i Jashtëm dhe me skandalet e ditëve të fundit me ç’dekretim zgjedhjesh apo tentativat qesharake për të shpërndarë Parlamentin.
Plani për të përdorur mungesën e Gjykatës Kushtetuese si hakmarrje ndaj amerikanëve, e nisi Sali Berisha në dhjetor të vitit të kaluar, kur mësoi se ai dhe gjithë familja e tij, nuk mund të udhëtonin në SHBA dhe kur djali i tij humbi një betejë të qartë ligjore në SHBA, në përpjekje për të hequr njollën si autor i trafikut të armëve nga Gërdeci për në Afganistan.
Opozita në atë kohë sapo kishte hyrë në Parlament, dhe Berisha nisi betejën për ta nxjerrë përfundimisht prej Parlamentit. Nëse opozita do të kishte plan djegien e mandateve, nuk kishte pse hynte në dhjetor në Kuvend. Dhe Berisha ja arriti ta nxjerrë për interes të tij.
Lulzim Basha, një tjetër aktor i kësaj krize, edhe pse në rol episodik, po ashtu e ka problemin e jetës me SHBA. Prej më shumë se një viti ai është nën hetim nga FBI për paratë ruse që janë derdhur për llogari të Partisë Demokratike.
Partneri i tij nën hetim, Nick Muzin, duket se ka folur për drejtësinë amerikane dhe dosjet e ardhura në Tiranë bënë që Basha të merret sot i pandehur, për një krim që ka nisur të hetohet në SHBA. Dhe e gjithë përpjekja e tij për t’u mbrojtur, bazohet tek të perceptuarit si një padrejtësi që po i vjen nga SHBA.
Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, në përpjekje për të vënë vetullat, për pak nxori sytë, nga udhëtimi i fundit përmes lobistëve në SHBA, kur nënkryetarit të partisë Petrit Vasili, ja refuzuan vizën në sportel të Ambasadës, ndërkohë që ishin bashkë, dhe kur në Uashington mori porosi të qarta se çfarë pasoja do kenë nga përdorimi i dhunës kundër zgjedhjeve, mesazhe që i kanë shkuar dhe burrit të saj, i cili duket që është nisur për të destabilizuar zgjedhjet dhe është destablizuar vetë.
Ilir Meta, i cili ka marrë përsipër përdorimin zyrtar të institucionit të Presidentit kundër zgjedhjeve, tentoi t’u tregojë amerikanëve Korenë e Veriut si vend ku mund të bënin zgjedhje, por duket se SHBA, ka vendosur të rrijë këtu dhe t’i tregojë Ilir Metës, se do të vazhdojë betejën për reformën në drejtësi, pa lejuar ta prekin dhe ata që preken prej saj, siç është vetë zoti Meta.
I gjithë ky tërbim i katërshes shqiptare që po tenton të provokojë krizë, është në të vërtetë një krizë mes tyre dhe SHBA për arsye personale, e cila reflektohet si hakmarrje e tyre, ndaj produktit institucional të SHBA në Tiranë, që është reforma në drejtësi.
Dhe te mendosh që katërshen kryesore të opozitës, e mbështesin disa parti anonime, mes të cilave shquan Fatmir Mediu. Ky është një i dënuar për shoqërim kriminelësh në Perëndim, njeri që ka falsifikuar pasaportën zyrtare diplomatike, duke sajuar një emër që nuk gjendet në Gjendjen Civile shqiptare, ndryshe nga kriminelët, që së paku marrin mundimin ta ndryshojnë emrin në Gjendje Civilë, dhe i ka shpëtuar një dënimi me gjashtë vite burg për vrasje të 26 qytetarëve, për shkak të korrupsionit, duke u mbrojtur me imunitet.
Se si mund ta nxjerrësh këtë para shqiptarëve dhe të kërkosh rikthimin në pushtet në emër të luftës kundër krimit, vetëm kjo opozitë e di.
Tashmë kjo krizë e katërshes opozitare me Uashingtonin, thjesht po lëshon tymin e saj në Tiranë. Katër “Don Kishotë”, mendojnë se mund të gjunjëzojnë SHBA me luftë në Tiranë, për t’i treguar se këtu ata janë zot të vendit.
Në fakt, për t’i ndaluar ata nuk është nevoja e SHBA-së, se i ndalin vetë shqiptarët, por përpjekja e tyre për të djegur Tiranën që “të vërë mend” SHBA, është dy herë më e rëndë.
Pasi duan t’i dëshmojnë dhe shqiptarëve dhe amerikanëve, se me luftë dhe me zjarr në dorë, edhe mund të fitosh ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor.
Si talebanë terroristë që digjnin shkolla ku votohej dhe bënin atentate mbi të zgjedhur, vetëm që zgjedhjet të mos ishin mekanizëm pushteti, pasi ata i linte në shpella.
ANALIZE ME MEND .POPULLI THOTE"..KUR I VJEN NGODHJA QENIT..URINON NE DEREN E XHAMISE.."
Përgjigju