Kritikët e Lulëzim Bashës po përpiqen të prekin atë në sedër që të jap dorëheqje. Nuk e prekin dot. Nuk e jep dorëheqjen dhe nuk largohet nga kreu i PD. Kjo betejë do të bëhet edhe më pa kuptim në ditët që vijnë duke krijuar një kakofoni zërash kundër tij.
Nuk kanë rol as dorëheqjet e njerëzve të partisë. Me ata Lulëzim Basha tallet. A nuk u tall me së paku 5 a 6 Sekretarë të PD para se të bënte listën e deputetëve, që duke i hequr nga lista i shpallte “Koordinatorë” kombëtarë për energjinë, mjekësinë, pandeminë, policinë, ushtrinë, rininë, e tallje të tjera.
Tani ata janë jashtë grupit parlamentar dhe nuk kanë asnjë rëndësi. Do të jenë të etiketuar si të mërziturit e radhës dhe kaq.
Lulëzim Basha së pari ka nevojë për një rival, por për një të vetëm dhe të mbështetur nga të gjithë ata që mendojnë se ai duhet të ik. Dhe ky rival duhet të jetë nga Grupi Parlamentar i PD.
Por më e rrezikshme , më e dëmshme dhe më ogurzezë për Partinë Demokratike më duket ai harxhim energjish nga kritikët që në përpjekje për ta prekur në sedër, i kujtojnë “dorëheqjen” e Berishës më 2013.
Po qe se Berisha do te kishte ikur më 2013, Partia Demokratike nuk do ishte kjo që është sot. Ajo do ishte reformuar, do kishte një lider të bërë vet dhe do kishte fituar. Nëse prisni që dhe Basha të ik sic ka “ikur” Sali Berisha, atëherë është mirë të mos ik se do lërë një më të keq se vetja, që ta ketë në kontroll, sic bëri Berisha.
Partia Demokratike nuk po ja del dot, pikërisht se Sali Berisha vrau shpirtin e garës në PD, komandoi aty Lulëzim Bashën për të mos ikur vet dhe sot është katandisur që dhe vet merr më pak vota se Ori Nebiaj.
Prandaj mos e përmendni më Sali Berishën dhe as modelin e tij. Nëse në PD dhe aktualisht në Grupin parlamentar, nuk ka një njeri ambicioz që të sfidoj Bashën i mbështetur nga kritikët e tij, nuk do të ndodh asgjë. Kam dyshim se dhe nëse del ai, nuk do ndodh ndonjë ndryshim, por së paku do kemi një përpjekje.
Akoma më keq mos kërkoni që këtë rivalin ta gjej Sali Berisha se sic e shikoni sa herë ai fut dorën në thes, e dini vet çfarë i kap dora. Prandaj është mirë të mos evokoni Berishën si shembull që udhët të ndjek Basha, se kështu jeni duke i thënë bëje dhe më keq se Berisha.
Për të qenë kryetar vet Berisha gjeti Bashën, merreni me mend kë mund të gjej Basha pastaj nëse do të duhet të bëj sikur ikën. Prandaj kjo kakofoni në emër të dorëheqjes së Bashës duhet të ndalet. Duhet të kurseni energji dhe për kërkesat morale ndaj tij. Nuk preket shumë për ato. Ka vite që e përsëris prej 2013 që PD do ta ngrejë në këmbë, ai që e fiton vet, pa nevojën e Berishës bilës kundër tij. Vetëm ashtu njerëzit do fillojnë të besojnë dhe shtresa gri e shoqërisë do rikthehet të votoj PD. Për të humbur mirë është Luli. Është puna që di të bëj më mirë.