Mero Baze: Një Kryepeshkop ku mund të lexosh ADN-në e historisë së besimit të krishterë në Shqipëri

Mero Baze: Një Kryepeshkop ku mund të lexosh ADN-në e historisë së besimit të krishterë në Shqipëri

Fortlumturi Joani

Është e vështirë t’i bësh një portret të shpejtë Kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Imzot Joani, pasi jeta e tij nuk ndjek rrjedhën dhe fatin e zakonshëm të njerëzve që i përkushtohen Zotit dhe arrijnë në krye të një Kishe. Biografia e Fortlumturisë së Tij, Imzot Joani, i ngjan një kromozomi, që përmban brenda qelizës ADN-në e plotë të historisë së besimit në Shqipëri — me të gjitha dallgët, sprovimet dhe triumfet e tij, nga fillimet e krishterimit deri më sot si Kryepeshkop.

Historia e tij, më shumë se sa e kujtdo tjetër me një “karrierë kishtare”, i ngjan historisë së vetë krishterimit në Shqipëri, i cili ndër shekuj është përballur me sundimin e gjatë në Ballkan, me Ndarjen e Madhe, me konvertimet masive në besimin islam gjatë Perandorisë Osmane, me regjimin komunist ateist, dhe më pas me ringjalljen e Kishës Ortodokse dhe të besimit në përgjithësi.

I lindur në një shoqëri ateiste, i konvertuar gjatë regjimit komunist, me nun një nga mendjet më të mëdha të kulturës shqiptare, Petro Zheji; i pagëzuar nga një prift i Vlorës që ishte pjesë e Kishës së nëndheshme gjatë komunizmit; i shkolluar në SHBA, ku për herë të parë hyri në një Kishë Ortodokse shqiptare të themeluar nga Fan Noli — karriera e tij si Mitropolit dhe pastaj Kryepeshkop pasqyron tërësisht historinë e besimit fetar në Shqipëri dhe të gjitha dallgët me të cilat feja është përballur në këtë vend.

Ashtu siç jemi një vend atipik, që kemi dy Kisha të mëdha të krishtera dhe dy ndarje të mëdha të besimit islam, ashtu dhe historia e Fortlumturisë së Tij, Imzot Joani, mban brenda vetes konvertimin, rezistencën ndaj ateizmit, ringjalljen dhe kurorëzimin si Kryepeshkop — si një shembull i denjë se besimi gjithnjë triumfon.

Ai është gjithashtu një ndërmjetës i shkëlqyer mes Kishës së Fan Nolit dhe Kishës së ringjallur Ortodokse të Shqipërisë nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas. Edhe formimi i tij kulturor ndjek po atë histori që ka ndjekur Kisha jonë Ortodokse — nga zbrazëtia kulturore e viteve ’90, te pasuria që la Kryepeshkopi Anastas, duke krijuar një Sinod të Shenjtë shqiptar të kompletuar me njerëz që meritojnë respekt për forcën dhe urtësinë me të cilën kanë arritur aty.

Unë e kam takuar për herë të parë në vitin 2017, kur vendosa të ndërtoja Kishën e Shënmërisë në vendlindjen time dhe doja të konsultohesha për procedurat kishtare. At Romanoi, që sot drejton Kishën e vendlindjes sime dhe disa kisha në Këlcyrë dhe Përmet, më nderoi duke e sjellë në shtëpinë time në Peshtan dhe më befasoi jo vetëm me kulturën e tij të thellë fetare, por edhe me formimin intelektual dhe fuqinë e argumenteve për çdo pyetje të mbrapshtë që kisha rreth botës ortodokse, përzierjeve me politikën, nacionalizmin dhe debatet shqiptare.

Mund të them se ka qenë një nga ditët më të shënuara të jetës sime — një ditë kur kam reflektuar thellë mbi rrënjët tona historike dhe mbi fuqinë që kanë në shoqëri njerëzit me një formim të thellë kulturor si Fortlumturia e Tij, Imzot Joani.

Ndriçimi që ai ka për shumë çështje të historisë së krishterimit në Shqipëri, për Ndarjen e Madhe të Kishave dhe për rolin që Kisha duhet të luajë në të ardhmen e kombit shqiptar, janë mesazhe me peshë nga një prej njerëzve që sot është në tribunën e nderit të shoqërisë shqiptare.

Porosia e tij për të rinjtë shqiptarë, që të mos e braktisin Shqipërinë — sepse ata që besojnë dhe duan Perëndinë nuk mund të mos duan vendin ku kanë lindur — është një apel i madh nga altari i Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Dëgjoheni dhe besojeni Fortlumturinë e Tij, Imzot Joanin.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sotir Naqellari: 28/03/2025 22:14

    Mero te

    Përgjigju
  • Epiriot: 27/03/2025 11:57

    O Mero baze selam alekum..po kishat bishe i shohim dhe xhamite plote,si e shpjegon kete hajde gezuar Bajramin per shume vjet...te fala djalit te abedinit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hoxha takohet me homologen britanike: Bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar

Ministri Hoxha takohet me homologen britanike: Bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar