Mero Baze: PD ka marrë vulën dhe ka humbur shpresën

Mero Baze: PD ka marrë vulën dhe ka humbur shpresën

Berisha tek dritarja në rrugën 'Mustafa Matohiti'

Pas entuziasmit të parë për marrjen e vulës, njerëzit e Berishës e kanë shtuar oreksin. Po përpiqen të përhapin gjithandej opinionin, se vulën ua dhanë amerikanët, se e panë që Berisha ishte faktor i rëndësishëm opozitar. Madje këtë e lidhin dhe me udhëtimin qesharak për në “Mëngjesin e Lutjeve” të Gazmend Bardhit me Fatmir Mediun dhe kthimin e deputetëve të Bardhit në vathën e Berishës.

Nuk di pse u duhen dhe amerikanët pas vulës, pasi ata vazhdojnë ta kenë betejën me SHBA në krye të axhendës së tyre. Por me sa duket përfytyrimi i Berishëve për SHBA është njësoj si përfytyrimi që kanë për deputetët që kanë shkuar kokulur në vathën e tyre, që edhe duhet t’i poshtërosh, edhe duhet të të shërbejnë.

SHBA natyrisht që nuk është përzier në çështjet e drejtësisë dhe sidomos në kontestin e vulës mes dy grupeve në PD, pasi ata nuk kanë ndonjë objektiv të kenë parti të tyre në Shqipëri. Ata e kanë të qartë politikën e tyre për mbështetjen ndaj partive politike. Për ta janë të gjithë njësoj, përveç atyre që kanë shpallur “non grata”.

Tani PD, ka kryetarin “non grata” dhe pasardhësen në listë Argitën, po “non grata”. Siç mund ta shikoni, ajo po sillet qysh tani si kryetare e PD, pasi jep direktiva kë do pranojnë tani që morën vulën, kë nuk do pranojnë, me kë do bashkohen, me kë do ndahen etj. 

Të thuash që SHBA ja dha vulën një familje që e ka shpallur “non grata” është akuzë e rëndë për PD, jo për SHBA, pasi i bie që SHBA ka dashur të varrosë PD, që të mos ngrejë më kokë.

Por për fat SHBA nuk është përfshirë në këtë punë, por nevoja për të fshehur pazaret e Berishës për vulën me sa duket ka shkuar deri në SHBA, për të krijuar mjegullnajë për të mos ekspozuar pazaret e tij me gjyqtaret.

Po ta shikoni retorikën e tij se si flet pas gjyqit për vulën, ai i referohet “betejës” së tij tek rrugica, si arsye e fitores, pra pranon në një farë mënyre që presioni i betejës politike e mundi drejtësinë. Sikur të ishte e vërtetë kjo, do ishte një skandal dhe më i madh, por tek rrugica ku çdo ditë janë mbledh 30 vetë, nuk ka pas arsye për presion politik. Madje dështimi i rrugicës ka sjellë nevojën për pazar.

Por sidoqoftë Berishës i flet inkoshienca dhe nuk flet për një vendim bazuar në drejtësi, por për një vendim bazuar tek lufta e tij. Dhe dihet lufta e tij.

Disa gjyqtarë i shan e i mallkon, kur nuk i ka nën kontroll, të tjerë i lavdëron kur i japin vulën me pazare.

Problemi i PD është se ajo ka humbur shansin të ndryshohet dhe transformohet, dhe jo se ka fituar shansin ta ketë vulën Berisha. Berisha e ka sunduar atë parti me vulë e pa vulë, kur ka qenë kryetar formal dhe kur nuk ka qenë. Problemi është si të kemi një PD pa Berishën, se një PD me Berishën e kemi prej 34 vjetësh dhe nuk i duhet më askujt, veç Berishës.

Nuk i duhet në radhë të parë atyre që u përpoqën të shkojnë tek Berisha për të marrë një mandat deputeti në listë me shpresë se vula nuk do të vinte dhe ata të dukeshin të rëndësishëm. Tani ata janë pjesa më e dyshimtë për Berishën brenda PD. Janë thjeshtë të përdorur dhe të panevojshëm.

Një PD me Berishën nuk i duhet aleatëve të tij, sidomos Ilir Metës, i cili deri tani ishte i rëndësishëm se Berisha nuk kishte vulë dhe ai ja huazonte në çdo palë zgjedhje, duke konsoliduar koalicionin me të.

Tani ai është i rrezikuar të zhduket, pasi ligji i zgjedhjeve imponon garë pa koalicione, dhe ai nuk është më i dobishëm për Berishën.

Një PD me Berishën u intereson vetëm partive të vogla të reja, përfshi dhe Lulzim Bashës, nëse do të krijojë partinë e tij, që të bëjnë betejë publike pa doreza kundër berishizmit në politikën shqiptare dhe të diktojnë të ardhmen e opozitës. 

Një PD me Berishën nuk është parti fituese. Është thjeshtë një truproje e Sali Berishës deri në vdekjen e tij fizike. Dhe deri atëherë të gjithë e kanë racionin e tyre të ushqimit, një tasë supe dhe një bajonetë për të mbrojtur të vdekurin e tyre të madh.

Më kot përpiqen të bëjnë sikur gëzohen që kanë marrë vulën. Ata kanë humbur me vulë e pa vulë, të ndarë dhe të bashkuar, me koalicion dhe pa koalicion, dhe krye arsyeja është Sali Berisha. Atë për të cilin gëzohen, në fakt e kanë problemin e tyre më të madh. 

Por problemet nuk i zgjidhin njerëz që duan një vend në listë apo një rrogë deputeti. Problemet i zgjidhin ata që dinë të jenë vetëvetja dhe të bëjnë historinë e tyre. Nuk mund t’ua kërkojmë këtë ushtarëve të Berishës. Ata mund të bëjnë betejë vetëm për sende. Dhe sendi në këtë rast është vula./ Tema

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni urdhrin për heqjen e pushimeve verore për policët?



×

Lajmi i fundit

Luiziana, debate mbi ligjin që detyron shkollat publike të shfaqin “dhjetë urdhërimet” e Biblës

Luiziana, debate mbi ligjin që detyron shkollat publike të shfaqin “dhjetë urdhërimet” e Biblës