Mero Baze: Për qejflinjtë e fitimtarëve, të opozitës sonë 

Mero Baze: Për qejflinjtë e fitimtarëve, të opozitës sonë 

Sali Berisha, Giorgia Meloni dhe Ilir Meta

Shikoj që ka një qortim për “opozitën” tone, lidhur me entuziasmin që ata shprehin lidhur me fitoren e Giorgia Meloni. Është teprim t’ua kufizosh këtë të drejtë. Kanë 9 vite në opozitë, dhe e vetmja gjë që u ka mbetur është të gëzohen për fitore të të tjerëve, për të cilët ata ëndërrojnë të jenë në vend të tyre.

Opozita jonë u gëzua më shumë se vet votuesit amerikanë për fitoren e Trumpit. U përuruan rrugë me emrin e tij dhe u dekoruan furgonat e fushatës elektorale me foton e tij. U hiperbolizua sulmi i Edi Ramës ndaj Trumpit, thuajse kishte folu kundër shokut Enver më 1976 e jo kundër një kandidati për president më 2016.

Pastaj e dimë si ndodhi. Edi Rama tregonte anekdota nga takimet me Trumpin në samitet e NATO apo në Uashington, ndërsa opozita ankohej e luftonte ambasadoret e Trumpit në Shqipëri.

U gëzuan për fitoren e prorusëve në Mal të Zi, a thua se kishin fituar vet në Tiranë. Çdokush që fitonte rrotull Shqipërisë dhe nuk ishte aleat me Edi Ramën, ishte në mendjen e tyre fitore e opozitës.

Pastaj e dimë çfarë ndodhi. Kryeministri i atyre zgjedhjeve u bë aleat me Edi Ramën në nismat rajonale, ndërsa opozitarët tanë e mallkuan si sharlatan.

Uruan fitoren e Albin Kurtit në zgjedhje më 2019 dhe 2020, me një entuziasëm sikur të kishin fituar zgjedhjet në Shqipëri. E ftuan dhe si pjesëtar të koalicionit opozitar më 2021 në Shqipëri, me shpresë që t’u jepte fuqi nga mbifuqia e tij. E morën më qafë dhe atë, dhe veten. Ai mori 129 vota në Qarkun e Gjirokastrës, të cilin e përzgjodhi si adhurues i Enverit, kurse këta një nga 4 deputetë që ka gjithë qarku.

Tani Albin Kurti përpiqet ta harrojë armiqësinë me Edi Ramën dhe vjen i lutet t’i japë energji elektrike për dimër, pasi “Edi në Shqipëri nuk ka opozitë” dhe nuk i prishin punë kufizimet.

Urojnë fitoren e katërt të Orbanit në Hungari, të cilin e adhurojnë se u ka shpikur si armik Sorosin dhe sidomos për teoritë e tij sovraniste. Mendojnë se nën shembullin e tij mund t'ia dalin. Pastaj e dimë se çfarë ndodh. Ai pret në Hungari Edi Ramën me gjysmën e qeverisë me vete, duke i hapur rrugë blerjes së një kompanie celulare dhe licencimin e një banke të madhe në vend, plus shkëmbim përvoje elektorale.

Tani kanë 24 orë që nuk mbajnë dot gëzimin për fitoren e Giorgia Meloni, një reformiste e neofashizmit në Itali, që ja ka dalë një shekull më pas ta bëjë sërish të dashur figurën e Musolinit për italianët. Është një triumf vërtet i jashtëzakonshëm politik, për një grua në politikë. 

Bashkë me Salvinin dhe Berlsukonin, Meloni ka ndryshuar historinë e bashkëpunimit Itali-Rusi, nga e majta tek e djathta. Më parë Partia Komuniste italiane dhe sindikatat e saj, merrnin para direkt nga Moska. Sot aleate e Moskës në Itali është e djathta italiane. 

Opozita shqiptare gëzohet për ta, se ëndërron që dhe liderë problematik me Perëndimin (siç janë këta te dy opozitarët tanë) mund t'ia dalin. Dhe Meloni ja ka dalë të fitojë. 

Sekreti i fitores së gjithë këtyre rasteve që përmenda, ka një gjë të përbashkët. Janë të gjithë liderë të rinj, që kanë bërë historinë e tyre, qoftë dhe me qëndrime kontroverse me Perëndimin, çfarë në thelb i adhuron opozita jonë. Ata janë politikanë të talentuar, personalitete që u janë imponuar shoqërisë së tyre me vlerat e veta personale. Të gjithë janë pranuar si fenomene të reja. 

Opozita jonë, ajo që kënaqet nga fitoret e tyre, ka në krye dy dinozaurë tridhjetë vjeçarë, të cilët kanë provuar gjithçka në këtë vend, të bëhen presidentë e kryeministra, hajdutë dhe vrasës, të majtë dhe të djathtë, komunistë dhe antikomunistë, spiunë Sigurimi dhe demaskues te tyre, vetëm që të mos ikin nga pushteti. 

Ndaj tani nuk u ka ngelur asgjë nga kënaqësitë e jetës, veçse të kënaqen të shikojnë si fitojnë të tjerët. Si ata pleqtë që dalin nga stolat nga liqeni e lëshojnë jargët kur  shikojnë çifte të rinjsh, që bëjnë dashuri.Lëruani këtë kënaqësi perverse. Por mos shkoni pas tyre. Bëni historinë tuaj.

 

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

LIVE-Parada e Shqiptarëve në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën e parapërgatitjeve

LIVE-Parada e Shqiptarëve në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën e parapërgatitjeve