Mero Baze: Përse ka vlerë rihapja e dosjes së Gërdecit nga drejtësia?

Mero Baze: Përse ka vlerë rihapja e dosjes së Gërdecit nga drejtësia?

Mediu në Gërdec

Gjykata Speciale Antikorrupsion do të marr në dorë gjykimin e përgjegjësisë që ka ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe bashkëpuntorët e tij në historinë tragjike të Gërdecit ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.

Shkuarja e dosjes në Gjykatë, është një hap serioz para në krijimin e një standardi ndëshkimi dhe vendosje të drejtësisë për një histori të dhimbshme tragjike shkaktuar nga korrupsioni shtetëror dhe kapja e shtetit nga familja e kryeministrit.

Po pse gjykimi i drejt i Gërdecit ka një  rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë?

Pesëmbëdhjetë vite pas tragjedisë, ne njohim tani pasojat e mos ndëshkimit. Nëse i analizon ato, kuptohet qart se mos ndëshkimi i fajtorëve të tragjedisë së Gërdecit ka prodhuar një lloj tragjedie jo vetëm për viktimat e Gërdecit por dhe politikën dhe drejtësinë shqiptare.

Së pari tragjedia e Gërdecit bllokoi dhe më pas shkatërroi çdo reformë të qeverisë shqiptare nën pushtetin e Partisë Demokratike. Nëse deri në mars të vitit 2008, qeveria kishte ambicie të bënte reforma në fushën e ekonomisë, financave infrastrukturës etj, pas 15 Marsit 2008, gjithë energjitë e pushtetit u harxhuan në mënyrë kriminale për ti shpëtuar ndëshkimit të fajtorëve të Gërdecit.

Qeveria vazhdoi të formatohej e riformohej në bazë të zellit që zyrtarët tregonin për të mbrojtur Shkëlzen Berishën dhe babain e tij, dhe ndëshkoheshin në bazë të distancës që tregonin nga ky krim.

Për shumë zyrtarë të qeverisë, që synon karrierë, Gërdeci ishte një fat, të cilin ata mund ta përdornin për ti rënë në sy Sali Berishës dhe për të bërë karrierë. Disa ministra mbrojte dhe drejtësia fituan postet për këtë shkak, dhe Aldo Bumçin që e kishte harruar dhe zoti, e rikthyen në qeveri, vetëm se doli që nga zyra e tij, ishte nisur një faks, në të cilin ishte drafti i opinionit që Ministria e tij do jepte për biznesin e Shkëlzenit. Dhe drafti ju çua atij me faks ta aprovonte.

Së dyti mos ndëshkimi shkatërroi shtetin shqiptar. Sali Berisha hyri në konflikt me Ina Ramën si kryeprokurore dhe Bamir Topin si president, vetëm që ti kompleksonte ata për të mos thelluar hetimet, dhe për të mos thirrur nën hetime djalin e tij. Dhe ja arriti që të mos e thërrisnin. 

Edhe një herë që një prokuror i këshilloi të shkonte në rrugë informale për disa pyetje, Berisha ju turr publikisht duke kërcënuar me ligjin e dosjeve dhe shantazhe të tjera publike derisa u tërhoqën.

Së treti skandali ndryshoi dhe Partinë Demokratike rrënjësisht. Pas 15 Marsit 2008, karriera në PD ishte e bazuar tek kontributet që gjithsecili kishte dhënë për të mbrojtur Shkëlzenin nga historia e Gërdecit. Shumë zyrtarë anonimë u ngritën në karrierë dhe të tjerë thuajse u përjashtuan vetëm se qëndruan indiferentë ndaj kësaj historie.

Së katërti mosndëshkimi krijoi një standard të ulët drejtësie, pasi duke mos u ndëshkuar një gjë kaq e fort kaq flagrante dhe kaq korruptive, çdo ndëshkim tjetër ishte i padobishëm për të krijuar besim tek drejtësia.

Dhe së pesti çka ishte më e keqe, e gjithë kjo betejë kolektive e PD dhe pushtetit për të mbrojtur djalin e Sali Berishës, e bëri atë dhe më të fort në pushtet dhe në sytë e çdo mbështetësi të pushtetit. Pas 15 Marsit 2008, në vend që ai të futej në burg ose të fshihej mos të dilte më në rrugë, ai u bë më i pushtetshëm më i frikshëm, më hajdut dhe më vendimmarrës për çdo tender e koncesion të pushtetit deri më 2013. 

Pra mosndëshkueshmëria prodhoi një lider të paprekshëm duke fituar imunitet nga beteja për të mos u bërë drejtësi. 

Dhe është tragjike kur e mendon se të vetmit që e dinë më mirë se pjesa tjetër e shqiptarëve këtë gjë, janë demokratët të cilët e kanë prekur vet këtë realitet dhe sot atyre po i imponohet përsëri si lideri real i PD po Shkëlzen Berisha. Edhe pse ai njësoj si babai është “non grata” ai prej një viti po financon betejën kundër SHBA për marrjen e kontrollit të PD nga babai për ta trashëguar ai. Dhe kjo është një nga plagët afatgjata që Gërdeci ka lënë në historinë e asaj partie.

Ndaj ky zhvillim ka rëndësi, jo aq për emrat e përveçëm që do shkojnë para drejtësisë, por për faktin që të ngrihet steka e ndëshkueshmërisë që lidhen me ngjarjet më të rënda në tranzicionin shqiptar ku Gërdeci dhe 21 Janari janë në krye të listës. 

Ndryshe drejtësia jonë do të mbahet mend, si drejtësia që burgos një zyrtare se dikush thotë në telefon që do ti çoj një ark me peshk, dhe ndërkohë peshqit e mëdhenj që janë përgjegjës për vrasje dhe vdekje për shkak të korrupsionit mbeten të lirë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi

Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi