Mero Baze: Përse nuk ngjit çifti Berisha – Meta?

Mero Baze: Përse nuk ngjit çifti Berisha – Meta?

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Dështimi i protestës së fundit i paralajmëruar me aq bujë nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, vlen më shumë për të kuptuar krizën e çiftit Berisha- Meta, se sa krizën e frymës opozitare në vend. Ilir Meta është një armik i pamëshirshëm i çdo aleati të tij, për shkak të paranojës, por dhe përpjekjes për ta kushtëzuar atë në marrjen paraprake të pjesës së tij, para çdo beteje.

Por me Sali Berishën ka më shumë se sa kaq probleme. Së pari, deri në shtator ata i kanë raportet e ngrira, pasi Ilir Meta do të përballet me ndryshimet ligjore në Kuvend, që i hapin rrugë hapjes së dosjes së tij të bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit. Bashkë me këtë nismë ligjore, Partia Demokratike zyrtare ka paraqitur dhe një projektligj që kërkon të futet tek ligji i dekriminalizimit, përjashtimi nga jeta politike e çdo politikani që ka lidhje me Sigurimin e Shtetit.

Sali Berisha është në provë në këtë betejë, për të mbrojtur Ilir Metën, edhe pse realisht nuk ka gjë në dorë, pasi qeveria i ka votat që i duhen për ndryshimet ligjore. Por kjo i intereson pak Ilir Metës. Ai kërkon ta hedhë Sali Berishën në një betejë publike për të mbrojtur bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe mos hapjen e dosjeve, çķa është në fakt shkatërrimi formal i figurinës së tij si lider i së djathtës shqiptare.

32 vjet pas rënies së komunizmit, Ilir Meta do ta detyrojë Sali Berishën të bëhet luftëtar ekstremist i mbrojtjes së Sigurimit të Shtetit. Ky është një lloj shpagimi për gjithë pengmarrjen 32- vjeçare të Ilir Metës nga Sali Berisha, por nga ana tjetër dhe një goditje për ta bërë atë të pavlefshëm si politikan opozitar. Sali Berisha duhet të ndajë mendjen, nëse do t’i krijojë besim Ilir Metës dhe të poshtërohet për shkak të aleancës me të, apo të përpiqet të ruajë profilin e tij të rremë si lider “antikomunist” dhe të kërkojë të hapet dosja e tij.

Në të dy rastet Ilir Meta ja ka bërë gjëmën rolit të tij si drejtues opozite. Në rastin e pare, e poshtëron dhe zhvlerëson, në rastin e dytë, ndahet përgjithnjë me të. Së dyti, pas shatorit, kur Meta të jetë përjashtuar me nismën ligjore nga drejtimi i opozitës dhe Berisha të vazhdojë, edhe pse ka dy “non grata” mbi shpinë, roli i Ilir Metës kundër tij, do të jetë dhe më shkatërrues. Ai do ta marrë atë me vete me çdo kusht.

“Reflektimet” e tij aq të njohura për partnerët politik dhe mosbesimi i thellë ndaj tyre, do ta vënë Berishën para një sulmi të shumanshëm, pasi socialistët mund t’i hedhin benzinë zjarrit dhe të kërkojnë dhe përjashtimin e personave “non grata” nga politika.  Së treti, prova e zjarrit do të jenë zgjedhjet lokale që po afrojnë. Meqë Ilir Meta e quan veten të djegur për kandidaturën e tij për kryebashkiak të Tiranës, Sali Berisha do të duhet t'ia dorëzojë atij kapitalin politik në shenjë pajtimi, duke i hapur krahun dikujt tjetër ne Tirane dhe shumë bashki të rëndësishme të Shqipërisë. Atë që Ilir Meta i bëri më 6 mars, kur praktikisht i dha PD-në Berishës. 

Nëse Berisha nuk e bën, ai do të forcojë paranojën e këtij të fundit se kjo është një lojë mes Erion Veliajt dhe Sali Berishës. Në të gjitha variantet, dyshja Berisha- Meta është një çift problematik, mosbesues, që nuk krijojnë dot familje opozitare. Akoma më keq, ata janë një çift që nuk krijon dot as pasardhës, pasi janë të ndëshkuar si një çift që nuk lind më fëmijë. Si të tillë, ata deri në shtator, mund ta shtyjnë sikur bëjnë pushime dhe të lënë tribunat e protestave fals bosh, pasi nuk gjejnë dot vendin se ku do rrijë njëri, e ku do te rrijë tjetri, por pas shtatorit do kenë shumë pak gënjeshtra në dispozicion. Dhe më shumë paranoja për njëri- tjetrin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit