Mero Baze: Protestat, 'si një kudhër ku të farkëtohet uniteti' me Gazin

Mero Baze: Protestat, 'si një kudhër ku të farkëtohet uniteti' me Gazin

Gazment Bardhi dhe Sali Berisha

Të gjithë duken të zhgënjyer që Berisha nuk po gjen ndonjë formë më atraktive për t’i befasuar demokratët, por po përsërit thirrjet për protesta ekstreme, ose për grevë urie. Kjo, për shkak se të gjithë e dinë fundin e tyre.

Por në fakt Berisha nuk ka parasysh fundin e tyre. Ai nuk është se ka ndonjë objektiv për fundin e këtyre protestave.

Dhe kur sulmon Lulzim Bashën për atë që mori nga protesta e çadrës më 2017, e thotë nga zilia se aq shumë nuk merr dot më në asnjë rrethanë.

Ai arriti t’i marrë Edi Ramës 6 ministra, katër agjenci dhe një zëvendëskryeministër, në shkëmbim të hyrjes në zgjedhje.

Por ky pazar nuk jepet më qysh nga 2019, kur u legjitimua se të mos hysh në zgjedhje është problemi jot dhe jo i partive të tjera. Kështu që tani kur kërcënon se nuk hyn në zgjedhje, thjesht i bën nder kundërshtarit.

Dhe Berisha e di këtë.

Ai nuk pret po ashtu që dikush të hyjë në grevë urie dhe të shkojë në sakrificë ekstreme duke imituar Arbnorin, pasi nuk do as heronj të rinj rreth vetes, dhe nuk ka as ndonjë qëllim se çfarë të negociojë me këtë sakrificë.

Mendoni për shembull që në vend të Pjetër Arbnorit tani të hyjë në grevë urie Edi Paloka, dhe në fund kur të jetë afër vdekjes, të shkojnë ta nxjerrin dhe t’i kërkojnë ashtu në gjendje somnambul siç është, se çfarë do që të fillosh, të hash bukë, dhe ai duke belbëzuar të thotë: “Ga…z B..a..rdh…in kryet…tar gr…upi”. 

Pra Berisha më problem ka kërkesat finale, se sa protestat.

Ndaj nuk i duhen kërkesat finale, pasi dhe siç e shikoni, nuk ka kërkesa. 

I vetmi qëllim i përpjekjeve të tij për të shpikur një protestë që s’po e shpik dot ende, është që të ketë mundësi të bashkojë palët që i janë afruar, përmes protestave.

Pra halli i tij është t’i fusë në një betejë të përbashkët ata që nuk flasin me gojë me njëri- tjetrin. Më qartë, të pajtojë të vetët me Gaz Bardhin.  

Fjala vjen Tritani t'ia falë Gazit që nuk e ka rehabilituar akoma, Oerdi të ndjehet i nderuar që Gazi po lufton për të, Albana të mos i marrë inat Gazit që i ndërroi bravën e derës së Forumit të Gruas, Flamuri t'ia fal Salianjit atë shkopin e bejsbollit, e kështu me radhë.

Problemin më të madh që ka Berisha tani është se ‘bashkimi” artificial, po i shkakton më shumë probleme, se ndarja reale që kishte me ta.

Dhe një protestë e dhunshme, ose një proces protestash disa mujore, do t'ia zbusnin këtë plagë, pasi do afronte me njëri- tjetrin dhe do forconte miqësinë mes deputetëve të tij dhe atyre të Gaz Bardhit, duke u ndarë më vete ata të Bashës.

Pra ky revolucion i duhet “si një kudhër ku të farkëtohet uniteti” që i mungon brenda të vetëve. Dhe vetëm lufta mund t’i bashkojë njerëzit e një llogore. Por puna është se duhet të kenë edhe një ideal. Dhe kjo e dëshpëron.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Më ofroi postin e nënkryetarit', Agron Shehaj i përgjigjet Arben Malajt

'Më ofroi postin e nënkryetarit', Agron Shehaj i përgjigjet Arben Malajt