Sa herë që Berisha ka probleme në partinë e tij me kundërshtarë, ka gjithmonë vetëm një zgjidhje: të thërrasë një protestë.

E vetmja mënyrë që ai të shmangë betejën brenda PD, është të hapë një front lufte ku të ketë mundësi në dukje të mbajë partinë të bashkuar rreth tij në një front lufte të shpikur.

Këtë e përsëriti sot me Salianjin. Pasi u grindën në kryesi më shumë për protestat e Salianjit sesa për protestën që do mbajnë kundër Ballukut, më në fund vendosi që më 22 Dhjetor të bëjnë një protestë “revoltë” kombëtare.

Këtë e ka bërë rregullisht kur filloi betejën me Bashën dhe më parë me gjithë armiqtë e brendshëm në PD, sidomos pas vitit 1997 e në vazhdim.

Por a mund ta shpëtojnë protestat e stisura krizën e brendshme në PD?

Në këtë gjendje ku është katandisur PD, mendoj se ato e përkeqësojnë edhe më keq. Protestat nuk ndodhin me urdhër dhe as me kalendarin që shpik Berisha. Protestat e mëdha, ato që përmbysin qeveri, ndodhin kur nuk i pret askush. Po të ishte se protestat komandoheshin nga hallet e Berishës, për 35 vjet ai do kishte rrëzuar çdo qeveri me protesta. Deri më sot nuk ka rrëzuar asnjë.

Protestat vlejnë vetëm për të mos u rrëzuar Berisha nga froni i PD. E vetmja arsye pse ai i thërret ato është të tregojë që është i fortë dhe ka njerëz nga pas më shumë se Salianji. Për kaq i duhen.

Ndaj urgjenca e thirrjes së protestës më 22 Dhjetor ka të bëjë pikërisht me përballjen me Salianjin. Jo se ata që do të shkojnë më 22 Dhjetor janë të gjithë me Berishën, por thjesht ai e privatizon protestën dhe çdo përpjekje për të mos u quajtur mbështetës të Berishës quhet përçarje.

Ndaj mos prisni që më 22 Dhjetor të rrëzohet Rama, madje as Salianji. 22 Dhjetori është fillimi i një ankthi të ri të Berishës nga armiqtë e brendshëm, ndaj të cilëve ai mbrohet duke sajuar beteja false që të mos përballet me ta.

22 Dhjetori është një protestë që duhet të tregojë se Berisha është gjallë dhe nuk ka vdekur. Për kaq i duhet edhe pse nuk është e nevojshme. E dimë që nuk e lë njeri të vdesë./ Tema