'E rëndë nëse një politikani shqiptar, SHBA i heq vizën', kështu deklaronte dikur ish-kryeministri Sali Berisha i cili vetë është shpallur person 'non grata' nga Amerika. Këtë deklaratë të Berishës, i cili sulmonte Gramoz Ruçin, e ka kujtuar sot gazetari dhe publicisti Mero Baze.

Në Facebook, Baze ka publikuar deklaratën të bërë disa vite më parë nga Berisha në televizionin e familjes së tij, i cili shprehej: "Thuhet se Gramoz Ruçi ka mohim të përjetshëm të vizës private për në SHBA, pra ka një dënim nga qeveria ndaj këtij personi. Nëse kjo është e vërtetë, përbën një gjë shumë të rëndë. Numri dy i shtetit shqiptar është në rreh në kuq për akte kriminale nga qeveria e SHBA".

Mero Baze shkruan se tani që Berishës i kanë hequr të drejtën familjarisht për të qenë përfaqësues të popullit shqiptar, atë që ka thënë dikur për Ruçin, duhet ta shumëzojmë me 10 për të kuptuar se çfarë e ka gjetur ish-kryeministrin.

“Sali Berisha duke shpjeguar sa e rëndë është për Shqipërinë nëse një politikani shqiptar SHBA i heq vizën. E ka shpikur dikur këtë për Gramoz Ruçin. Tani këtij i kanë hequr të drejtën familjarisht për të qenë përfaqësues të popullit shqiptar, si hajdut dhe minues të demokracisë. Shumëzojeni këtë që thotë vet me 10 për ta kuptuar çfarë e ka gjetur”, shkruan Baze.

DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën më 19 maj si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.