Një makinë është përfshirë nga flakët gjatë paradites së sotme në aksin Korçë-Pogradec, në afërsi të Maliqit. Pasi është furnizuar me gaz në nje prej pikave të karburantit në vendin e quajtur Gryka e Pocestës, sapo ka dalë në rrugë makina është përfshirë nga flakët duke shkaktuar panik te drejtuesi dhe pasagjeri.
Në kushte të tilla, drejtuesi i mjetit i përfshirë nga flakët ka humbur kontrollin e makinës duke përfunduar në kanal në anë të rrugës. Sipas burimeve janë dëgjuar tre shpërthime.
Drejtuesi i makinës dhe pasagjeri kanë marrë djegie në trup dhe janë dërguar në spital ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të dy kanë pësuar djegie në krahë dhe fytyrë.
Zjarrikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe kanë dhënë ndihmën e parë për të lënduarit. Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave.
Report Tv ka siguruar videon e momentit kur makina shpërthen në flakë sapo ishte mbushur me gaz në një pikë karburanti dhe po dilte prej andej. ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të Maliqit, pasi është furnizuar me gaz në një prej pikave të karburantit në vendin e quajtur Gryka e Pocestës.
Siç shihet në video makina pas furnizimit me gaz po lëvizte ngadalë për të hyrë në rrugë kryesore, por nuk ka mundur pasi ka shpërthen në flakë për shkaqe ende të panjohura. Nga shpërthimi drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri kanë dalë në kohë duke marrë disa djegje në trup, ndërsa makina ka vijuar të lëvizë vetë duke kaluara rrugën kryesore dhe përfunduar në një kanal.
Dy të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.