TIRANE-  Pas 7 ditësh rikthehen në qeli 7 të arratisurit e burgut të Drenovës në Korçë. Policia greke njoftoi sot në mëngjes arrestimin e  Eduard Lulos, dhe Reis Haxhirajt , dy të arratisurve të fundit të grupit prej 7 të burgosurve të cilët mbrëmjen e 23 nëntorit arritën të arratiseshin nga burgu me një plan të mirëorganizuar.  

Fillimisht në mëngjes (07:30) u njoftua arrestimi në pyll i Eduard Lulos, jo shumë larg vendit ku u kap mbrëmë, i arratisuri tjetër, Gëzim Toma.  Lulo nuk ka qenë i armatosur dhe nuk ka bërë rezistencë në momentin kur u prangos nga policia.

Disa orë më pas (ora 10:17 ) u njoftua dhe arrestimi i të arratisurit të fundit Reis Haxhiraj.  Ai u kap  në Kostur të Greqisë

Gëzim Toma u arrestua dje pas një përleshjeje me armë me policinë greke, 27 km larg kufirit me Greqinë, në mes të fshatit Elaptora. Nga përleshja ai kishte mbetur i plagosur.

Mwenjëherë përmes një postimi në Twitter Kryeministri Edi Rama përgëzon ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit si dhe bashkëpunimin me policinë greke.

ORA 12:30 ARRESTIMET NE GREQI TE TE ARRATISURVE, REAGON POLICIA E SHTETIT
Pas arrestimit të të arratisurit të fundit, Policia e Shtetit ka reaguar dhe sqaruar hetimet dhe operacionin e ndjekjes së 7 të dënuarve që u arratisën nga burgu në datën 23 nëntor 2013.

“Pas një ndjekje të vazhdueshme dhe mjaft profesionale të forcave të Policisë së Shtetit, informacioneve të sakta të marra mbi lëvizjen e tyre dhe në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyer me Policinë Greke, u bë e mundur kapja në territorin  grek e 3 personave të arratisur nga Burgu i Drenovës, me datë 23 nëntor:
1.      Gëzim Ndue Toma,
2.      Reiz Namik Haxhiraj,
3.      Eduard Kujtim Lula,

Prej 5 ditësh, forcat e specializuara të Policisë së Shtetit i ndoqën pa ndërprerje këta shtetas, gjatë gjithë itinerarit të lëvizjes së tyre në malin e Gramozit, me gjithë kushtet e vështira të motit. Në këtë operacion të gjerë u përfshinë forcat speciale RENEA, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe forcat e  Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin e Migracionin Korçë.
 
Njëherazi u kontaktuan autoritetet policore greke, duke u dhënë informacione të sakta mbi lëvizjen e tyre, të cilat përforcuan shërbimet për të mundësuar kapjen e të arratisurve.
 
Në vijimësi janë ushtruar kontrolle gjatë të dy anëve të kufirit,  si nga Policia Shqiptare ashtu dhe nga Policia Greke me qëllim kapjen e të arratisurve, po ashtu është shkëmbyer informacion i vazhdueshëm rreth lëvizjes së tyre.
 
Në sajë të këtyre masave u bë e mundur kapja e të arratisurve nga forcat policore greke në brendësi të territorit grek. I arratisuri Gëzim Toma u arrestua gjatë aksionit të djeshëm të policisë greke ndërmjet fshatit Eptahor dhe Krisi, ku ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe tre të arratisurve, ndërsa dy të tjerët kanë arritur t’i shpëtojnë policisë greke. Gjatë natës vijuan kërkimet për Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulon, duke mundësuar kapjen e tyre mëngjesin e sotëm.
 
Këta shtetas do t’i nënshtrohen procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku do të vuajnë dënimin për krimet për të cilat janë deklaruar fajtor nga organet e drejtësisë. Interpol Tirana në një kohë shumë të shpejtë ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të të arratisurve. Me arrestimin e tyre,  tashmë është bërë e mundur kapja e 7 të arratisurve nga Burgu i Drenovës.  
 
Gjejmë rastin të falenderojmë komunitetin për bashkëpunimin, strukturat homologe greke për angazhimin maksimal e bashkëpunimin e shkëlqyer, si dhe çdo punonjës policie, për gatishmërinë e lartë, angazhimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar, duke mundësuar kapjen brenda një harku të shkurtër kohor të 7 të arratisurve nga Burgu i Drenovës, të cilët ishin deklaruar fajtor për krime të rënda”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

LULO TENTOI T'I SHPETOJE RRETHIMIT TE POLICISE,  QENI ZBULOI VENDNDODHJEN E REIS HAXHIRAJT
Media greke ka sqaruar edhe detaje në lidhje me arrestimin e tre të dënuarve. I fundit, Reiz Haxhiraj, është arrestuar në një përruar dy kilometra larg vendit ku mbrëmë policia u përplas me të arratisurit.

Haxhiraj mësohet se është zbuluar nga një qen i policisë helene, i trajnuar për të gjetur gjurmët. Menjëherë ai është rrethuar nga policia dhe është vënë në pranga pa bërë asnjë rezistencë.

Rreth orës 06:30 minuta, policia greke arrestoi edhe të arratisurin tjetër nga burgu, Eduard Lulo. Siç shkruan gazeta greke, Ta Nea, Lulo ka tentuar që t'i shpëtojë rrethimit të policisë, por është dorëzuar në duart e policisë, pa bërë rezistencë.