TIRANË- Mielli, vaj, sheqeri dhe orizi, janë 4 produktet që Bordi i Transparencës ka vendosur që të mbajë në monitorim dhe caktojë një çmim tavan për shitjen e tyre. Kështu nga sot, në të gjitha dyqanet, 1 kg sheqer do të blihet me një çmim jo më të lartë se 123 lekë; 1 kg oriz 104 lekë si edhe 1 kg miell do të shitet jo më shtrenjtë se 90.5 lekë. Ndërkohë, 1 litër vaj luledielli do të kushtojë jo më shumë se 321 lekë. Çmimi i vajit ka arritur në nivele maksimale, madje ai sot tregohet më shumë se nafta. Referuar një denoncimi që bëri më herët ish zv.kryeministri Erion Braçe, vaji 'Floriol' para luftës ishte 145 lekë/litër e ndërsa ka arritur në kulmin e saj edhe 345 lekë litri.

Vendimi është marrë ditën e djeshme, por Bordi i Transparencës zgjodhi që t'i bënte publike 1 ditë më pas. Në vendimin e marrë është përcaktuar qartë edhe mazhi i fitimit, shumicë dhe pakicë për të gjitha këto produkte.

"Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.

c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg", thuhet në njoftim.

Krahasimi i çmimeve, para, gjatë luftës dhe sot
Nëse do të bënim një krahasim me çmimet të produkteve të shportës që kanë qenë para dhe gjatë luftës, është vënë re një rritje marramendëse e tyre, prandaj ndërhyri Bordi me qëllimin për t'i balancuar. E më konkretisht, 1 litër vaj para luftës ka kushtuar 140 lekë, më pas është rritur sërish ku ka shkuar në maksimumin e saj deri në 350-370 lekë për litër, një denoncim i bërë më herët edhe nga ish zv-kryeministri Erion Braçe për abuzime në nivele të larta. Sot Bordi vendosi që vaji të shitet me 321.

Ndërkohë, sa i përket miellit, para luftës është shitur me 70-90 lekë, e ndërsa njësoj si produktet e tjera edhe ai pësoi një rritje të ndjeshme ku është shitur deri në 115 lekë për kilogramë. Me vendimin e sotëm, çmimi i miellit do të pësoj një ulje dhe do të shitet jo më shtrenjtë se 90.5 leke/kg. Bordi ka vendosur që të ulë edhe çmimin e orizit. Deri dje ai është shitur me 145 -190 lekë kilogrami, por nisur nga sot në biznese nuk do të tregohet me më shumë se 104 lekë/kg.

Vlen për t'u theksuar se sa i përket çmimit të sheqerit, në pikën kulminate të saj, ai është shitur me 99-100 lekë, por Bordi në vendimin e saj ka vendosur që ta rrisë me 20 lekë. Pra sot, 1 kg për sheqer do të shitet jo më shumë se 123 lekë për kilogram.

Kjo listë e çmimeve ka hyrë në fuqi në 5 prill, teksa në ndryshim nga sa ndodh me çmimet e karburanteve, Bordi i Transparencës nuk ka përcaktuar një afat ku rimblidhet sërish për të parë luhatjen e tregut që vjen si pasojë e luftës apo edhe krizës energjetike. Thënë ndryshe, këto çmime do të jenë në fuqi deri në një afat të përcaktuar dhe janë të detyrueshme për të gjitha bizneset që tregtojnë me shumicë/pakicë

Çmimet e produkteve të shportës të vendosur nga Bordi
104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)
123 lekë/kg për sheqerin (1 kg)
321 lekë/litër për vajin e lulediellit
90.5 leke/kg për miellin masiv
Çmimet e produkteve të shportës para dhe gjatë luftës
Para luftës- Vaji 140 lekë litri
Gjatë luftës- Deri në 350-370 lekë litri
Para luftës- Mielli 70-90 lekë kg
Gjatë luftës- 90-115 lekë kg
Para luftës- Orizi 145 lekë kg
Gjatë luftës- 190 lekë kg
Para luftës- Sheqeri 60-70 lekë kg
Gjatë luftës- Deri 99-100 lekë kg