Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka ngritur një padi penale ndaj kancelarit Friedrich Merz, pasi ai deklaroi në Parlament se politika e saj për “remigrimin” është sinonim i “spastrimit etnik”. Padia u dorëzua pas fjalimit të Merz në Bundestag, ku ai e cilësoi AfD-në një “forcë shkatërruese” dhe paralajmëroi se programi i saj për dëbimin masiv të emigrantëve do të dëmtonte ekonominë gjermane.
Kreu i departamentit juridik të grupit parlamentar të AfD-së, Stephan Brandner, tha se kancelari “ka kaluar një vijë të kuqe” dhe se deklaratat e tij kanë “rëndësi penale”. Sipas tij, pretendimi se AfD mbështet spastrimin etnik dhe, rrjedhimisht, dëbime apo vrasje, është shpifës dhe kërkon ndërhyrjen e drejtësisë.
AfD argumenton se deklaratat e Merz nuk mbrohen nga imuniteti parlamentar, pasi, sipas saj, bëhet fjalë për fyerje shpifëse ndaj deputetëve të partisë dhe miliona qytetarëve që e mbështesin atë. Formacioni kërkon që Prokuroria të shqyrtojë çështjen dhe të vendosë nëse ka vend për procedim penal.
Sipas nenit 46 të Kushtetutës gjermane, deputetët nuk mund të ndiqen penalisht për mendimet e shprehura gjatë punimeve parlamentare. Megjithatë, ligji parashikon një përjashtim për rastet e fyerjeve shpifëse, çka mund t'i hapë rrugën një hetimi. Nëse Prokuroria vendos të ngrejë akuza, Bundestagu duhet të votojë për heqjen e imunitetit të kancelarit që procedura penale të vijojë.
Përplasja shpërtheu pasi Merz deklaroi se termi “remigrim”, i përdorur nga AfD për politikën e saj ndaj emigracionit, “nuk është gjë tjetër veçse sinonim i spastrimit etnik në bazë të origjinës dhe ngjyrës së lëkurës”. Deklarata erdhi në daljen e tij të parë në Bundestag pas fitores së AfD-së në zgjedhjet rajonale të së dielës në landin Saksoni-Anhalt.










Komente
Komento