Qendra shëndetësore nr.2 në qytetin e Fierit është në gjendje alarmante për shkak të kushteve minimale të higjienës e sigurisë. Kjo godinë e cila mbulon me shërbim shëndetësor 15 mijë banorë ndodhet në katin e tretë të një objekti mes lagështirës e mykut, pa ashensor duke e bërë pothuajse të paarritshme për të moshuarit dhe pacientët me probleme të rënda shëndetësore.

Përballë kësaj situate qytetarët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për rikonstruksionin e saj, teksa theksojnë se braktisja shumëvjeçare nga institucionet përgjegjëse është e pajustifikueshme.

Ndërkohë po kaq e rëndë paraqitet situata edhe për personelin mjekësor të kësaj qendre të cilët u shërbejnë pacientëve mes lagështirës e mykut dhe ambienteve të pamjaftueshme.

Drejtoresha Shqiponja Hoxha, pohon se situata paraqitet problematike pasi hidroizolimi i taracës së objektit është i dëmtuar plotësisht duke shkaktuar problematika të vazhdueshme në ambientet e brendshme.

Për këtë arsye NjVKSH Fier i është drejtuar në mënyrë të përsëritur bashkisë e cila ka realizuar një ndërhyrje të pjesshme e cila nuk ka ndikuar aspak në përmirësimin e gjendjes ekzistuese të objektit.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e ka përfshirë qendrën shëndetësore nr 2 në projektin e “ Rikonstruksionit të ambulancave dhe qendrave shëndetësore për vitet “2025- 2026”. E megjithatë gjatë vitit 2025 projekti mbeti vetëm në letër, ndërkohë që gjendja e godinës bëhet edhe më alarmante nga viti në vit. Rikonstruksion të shpejtë ose transferim kanë kërkuar njëzëri si qytetarët, ashtu edhe personeli shëndetësor.