*******
Rita Petro është një figurë publike në Shqipëri, e njohur jo vetëm me punën e saj si botuese dhe autore e një numri të madh tekstesh të letërsisë, por dhe për krijimet e saj poetike ekscentrike dhe tejet origjinale. Ky libër me poema, i titulluar rumanisht "Origjina e botës", është fitues i çmimit të bibliofilisë “Lumo Skëndo”, për vitin 2014, akorduar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Duhet të theksohet që në krye të herës se ky libër ka zgjuar debate, duke polarizuar opinionin publik në pro dhe kundër. Duke qenë se libri ka sjellë në vëmendje të lëçitësve të poezisë disa tema tabu në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm, si seksualiteti, erosi, dashuria, të shprehura açik, nëpërmjet një gjuhe të qashtër, të hapur, vëllimi ka ngjallur diskutime të nxehta në shtyp, në media, në radhët e kritikës letrare, diskutime në të cilat janë përfshirë dhe autoritetet.
(Kopertina e librit të Rita Petros në Rumanisht)
Poezia godet përmes lirshmërisë së shprehjes, pa komplekse dhe pa droje, autorja merret me Erosin në mënyrën më të mprehtë të mundshme, duke e integruar atë shpesh, në gjirin e natyrës apo në një sfond kozmik. Në këtë mënyrë, ajo tenton të zbulojë thelbin primordial të aktit erotik dhe seksual, rëndësinë e tij të pandryshuar deri në kohët moderne. Fushat tematike që ka prekur janë të ndjeshme për shoqërinë shqiptare, për këtë arsye ka gjeneruar dhe një debat të zjarrtë publik për një vëllim poetik, dukuri që nuk ka ndodhur, të paktën për disa dekada në Shqipërinë e sotme, të flitet kaq gjatë për një dukuri që vjen nga zonat e letërsisë.
Gjatë gjithë historisë botërore, ndoshta qysh nga Kënga e Këngëve të Solomonit, kjo përmbledhje poezish për dashurinë profane, një nga veprat më të bukura erotike krijuar me anë të fjalës poetike, për më shumë se dy mijë vjet, tërheqja e njerëzve për të diskutuar pareshtur pro dhe kundra nuk ka pushuar, kur është fjala për erotizmin, seksualitetin në letërsi.
Rita Petro është një poete me poezinë e të cilës bie në dashuri me "leximin e parë". Nëpërmjet forcës krijuese që ajo dëshmon, përmes shprehshmërisë dhe çiltërsisë së poezisë së saj, mund të thuhet se poetja na kaplon qysh në krye të herës. Temat e zgjedhura prej saj kanë aftësinë për të kapërcyer vetminë ekzistenciale përmes dashurisë, erotizmit dhe krijimtarisë artistike. Ajo arrin të na befasojë me forcën e metaforave, me saktësinë e vizionit dhe me elegancën dhe thjeshtësinë e gjuhës së saj.
Ajo që e bën librin tejet të veçantë është ligjërimi, zëri i heroit lirik, i përcaktuar qartazi femëror. Zëri bën me kumt çastet më të rëndësishme të jetës, duke i rimarrë ato, qysh nga momenti i ardhjes në jetë, duke vazhduar me çastet kryesore erotike në një gjendje lirike, kllapie, onirike, pse jo, në një gjendje jermi apo të një orgazme të zgjatur dhe atemporale. Erotizmi është ritëm, është imagjinatë, ëndërr, fantazi, ritual, vegim, improvizim, është akt krijues, është temperaturë, është drithërimë. Poemat e shkruara nga poetja Rita Petro, të kujtojnë vizionin e poetit Octavio Paz për Erosin, një zot me funksion të trefishtë: perëndia e seksit, erotizëm dhe dashuri: "Erotizmi është seksualiteti i transfiguruar - metaforë. Agjenti që vë në lëvizje qoftë veprimin erotik, qoftë aktin poetik është imagjinata. Ajo është forca që transformon seksin në ceremoni dhe rit, ndërsa gjuhën në ritëm dhe metaforë. Imazhi poetik është përqafimi i disa realiteteve të kundërta, ndërsa rima është ndërzimi i tingujve; poezia erotizon gjuhën dhe botën sepse është vetë ajo, përmes mënyrës së saj të veprimit, është tashmë erotizëm.” (Octavio Paz)
Seksi konsiderohet baza, fillimi, boshti në të cilin është ndërtuar labirinti i pasionit, erotizmi dhe dashuria. Autorja e këtij libri nuk bën asgjë tjetër veçse të sjell në plan të parë seksin, në një peizazh njerëzor pothuajse kozmik, ku lind erotizëm dhe dashuri.
Transcendenca erotike gjendet në këto vargje, nëpërmjet këtij zëri poetik femëror, i qashtër deri në çarmatosës. Të gjitha gratë dhe burrat kanë jetuar këto momente: Ky është racioni ynë i parajsës, por një poete, një grua, falë guximit të saj, i bën të zëshme, iu jep formë, i jep zë këtij momenti, i jep shpirt tekstit. Njerëzit ruhen nga eksteriorizimi i këtyre momenteve, duke e konsideruar si botën që nuk duhet të ketë qasje askush. Ajo që provokon dëgjimi i zërit të poetes është përvoja e kthimit në realitet primitive, kozmike, stërgjyshore, në atë gjendje që të çon para erotizmit, para dashurisë.
Poetja shqiptare jeton shenjtërinë si një gjendje të patër natyrore të qenies, të pandryshueshme nga komplikimet e rendit metafizik dhe social. E vërteta e dashurisë mistike, aq e komplikuar në pamje të parë, ka lindur po nga kjo hipostazë primordiale, që do të thotë gjendja parajsësore e sinqeritetit dhe e pafajësisë së fëmijës primordial, që krijon nga instinkti, në gjendje të pastër, duke luajtur. Kthimi i saj është një përpjekje për të kuptuar gjuhën e dashurisë, për të kuptuar metaforën e erotizmit dhe për t’i integruar në një të tërë. Një kuptim jo mendor, por të ndjeshmërisë– përmes dijes së ndjenjave.
Ka një qasje mes misticizmit dhe erotizmit dhe një ndryshim që i dallon. Akti që kulmon përvojën erotike, orgazma, është shkëputja nga çdo gjë që është tokësore, humbja e drejtpeshimit apo turbullimi i vetëdijes, prekja e një hapësire të zbrazët përtej nesh, që na çon në një përqendrim fiks – harresën e vetvetes; një fluturim me krahë të padukshëm, humbje graviteti fizik. Është një ndjesi që kalon nga tensioni maksimal deri në braktisjen tërësore të qenies, nga ngjitja në rënie, nga bota e përtejme në botën e këtushme, nga koha në pa kohë. Përvoja mistike është e njëjtë: tension dhe relaksim, pohim dhe mohim dalja nga vetja dhe rikthimi tek vetja në kuadrin e një natyre të pajtuar me veten. Kjo është normale për poetët mistikë dhe ata erotikë që të përdorin një gjuhë të ngjashme: nuk ka shumë mënyra për të shprehur të pashprehshmen. (Octavio Paz)
Rita Petro ruan këtë gjendje, e përzgjat përjetimin e saj me vullnet, si në një ëndërr të tejzgjatur që nuk del dot prej saj, në një ligjërim poetik të artikuluar në jerm poetik, në një ëndërr, në pakohësi, duke jetuar në një shkrirje me natyrën dhe kozmosin.
Erotizmi, seksi i transfiguruar në"metaforë", siç e quan Paz, seksualiteti i cili ka kapur një përmasë sociale dhe njerëzore, seksi i pasuruar nga imagjinata jonë, mendja jonë, nga sensualizmi ynë - të gjitha këto janë ilustruara në mënyrë shembullore në këtë libër.
Kam pasur kënaqësinë ta përkthejmë këtë libër së bashku me përkthyesin e mirënjohur, mjeshtrin Marius Dobrescu, me shpresën se do të ketë të njëjtin impakt për lëçitësin rumun si në Shqipëri.
Marius Dobresku e shoqëron me këtë vlerësim librin e Rita Petros të botuar këto ditë në Rumani nga shtëpia mjaft e njohur botuese “Corint”. Libri mban emrat e dy përkthyesve të mirënjohur Marius Dobresku (i njohur për përkthimin e veprave të Kadaresë) dhe Luan Topçiu.
Poezia e Rita Petro-s është një këngë e pandërprerë që i dedikohet dashurisë, dashurisë mishtore, të cilën pikërisht ajo, një femër që përballet me të gjitha paragjykimeve tona ballkanike, e lartëson dhe përkulet. Është një flijim i vendosur në këmbët e feminitetit.
Kësisoj, duhet të njohim faktin se Rita Petro bën atë që asnjë burrë nuk guxon aq shpesh që ta bëjë, dhe e bën me çiltërsi të plotë, që prek kur lartësitë e Parajsës, kur thellësitë e Ferrit. Është triumfi i sinqeritetit absolut.
Një poezi që meriton gjithë vëmendjen tonë.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com