Nuk dihet se si i u atribua kjo përkatësi kaq e lartë, e cila me kohë mori çertifikatën e vërtetësisë. Njëlloj si legjendat të cilat pasurohen dhe zbukurohen me kalimin e kohës, kështu edhe këto urna, apo vazo siç i quanin, u bënë gjithnjë e më tepër atraktive në sajë të meritës perandorake.
Dhe kështu, mendimi ëndërrimtar që endet nga fantrazitë më të paimagjinueshme, i lau me vlera ari….
Edhe unë u tundova dhe i u vura punës me pasion për të zbuluar misteret e tyre. Nuk ishte e lehtë. Në se imagjinata për to dhe kërshëria kërkonin një vërtetësi, u deshën plot dyzetë e dy vjet…
Dhe misteri u zgjidh në gushtin e këtij viti, kur shkova posaçërisht në Paris dhe vizitova Galerinë e betejave në Pallatin mbretëror të Versajës.
Por le t’i marrim punët me rradhë. Rradha e punëve është ndoshta më pranë realitetit të kërkimit të enigmës.
Ato janë një kompleks porcelani dhe bronxi të larë me ar, shumë të bukura, që paraqesin në pikturën e tamburit Napoleon Bonapartin në dy beteja, njera e vitit 1807, e Friedlandit dhe tjetra e vitit 1809, e Wagramit, vite të shënuara me shifra ari në bazamentin konik.
Historia. Ato nuk kanë histori të origjinës, kanë vetëm një numër inventari që nuk thotë asgjë dhe vetëm kaq. Sipas klasifikimit të vitit 1947 vazot bënin pjesë në “Fondin e huaj”, pra jo të prodhuara në Shqipëri.
Në kërkim të origjinës Askush nuk di të thotë diçka. Fillimisht Fondi etnografik u krijua pranë Institutit të Shkencave me objektet e Muzeut Kombëtar. Atëhere edhe u riinventarizuan. Në dokumentacionin e Muzeut Kombëtar, që funksionoi nga viti 1922 dhe edhe disa vite gjatë luftës, dhe që ruhet në Arkivin e shtetit, nuk ka asnjë që të përmendi historinë e objekteve dhe as të këtyre vazove.
Atje ka dokumentacion, por jo shumë të hollësishëm për flamujt e disa ngjarjeve të historisë së Shqipërisë, për Bandën “Vatra” dhe për dhuratat e vitit 1922 të Qeverisë franceze, 33 porcelane të Sevrës, për Muzeun Kombëtar.
Për të tjerat ka vetëm një klasifikim pa përshkrim, si psh se filani “i dhuroi Muzejës Kombëtare” kaq armë të vjetra, ai tjetri kaq monedha të gjetura në tokë, dikush kaq sende, kaq veshje, etj njoftime të kësaj natyre, por pa asnjë përcaktim.
Në një shkresë që Zef Mala, drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeumit, i dërgonte në fillim të prillit të vitit 1946 Ministrisë së arsimit, prej edhe nga ku varej, thuhet se “mungon krejtësisht” inventari i hollësishëm i objekteve të Muzeut Kombëtar dhe nuk dihet saktësisht se çfarë ka patur dhe sa objekte kanë humbur, apo janë grabitur gjatë kohës së luftës...
Unë nuk e besoj këtë, sepse gjatë restaurimit të shumë objekteve që vinë nga ai muze, kam parë që shumë prej tyre të kenë të ngjitur veç numurit të sotëm, një numër inventari mjaft të mirë, e të qartë, e që nuk e kemi as sot, të stampuar në shtypshkronjë. Disa numura kanë qenë edhe të dëmtuar. Pra, inventar ka patur dhe ndoshta ai mund të jetë diku dhe edhe mund të gjindet ndonjë ditë.
Gjatë punës restauruese përgjithësisht nuk i hoqa numrat e vjetër të inventarit sepse mendova që “le të jenë për çdo rast”, pa ditur akoma origjinën e tyre dhe shkresën drejtuar Ministrisë së arsimit.
Edhe këto vazo e kanë patur një letër me numër, ndonëse të dëmtuar. Kurse numurat e rij të inventarit përputhen me numurat e vendosura aty nga vitet 1947-1950 dhe ndoshta edhe pak më vonë. Pra këto vazo janë pjesë e koleksioneve që trashëgohen nga Muzeu Kombëtar.
Disa vite më parë lexova në një nga gazetat tona se Musolini i dhuroi Ahmet Zogut me rastin e martesës dy enë prej bronxi të Napoleon Bonapartit, të blera dikur gjatë një ankandi të zhvilluar në Francë. Nuk e besova këtë lajm duke menduar se “Franca nuk ka luajtur mendsh që të shesi në ankande objektet e Napoleon Bonapartit”.
Por kureshtja nuk më la. Pyeta në Oborrin mbretëror: ata nuk dinin gjë. I kërkova një mendim edhe të ndjerit Robert Elsie, i cili më këshilloi të kërkoja nëpër rregjistrat e kompanive të ankandeve! Por kjo, pa patur asnjë të dhënë orientuse, do një jetë të tërë dhe edhe mund te mos arrish në ndonjë përfundim. As nga Ambasada franceze në Tiranë nuk sigurova informacion të vlefshëm.
Por në një shkrim të mëvonshëm të një gazete të botuar këtu, lexova se vazot që Musolini i kishte dhuruar Ahmet Zogut i kishte marrë ushtria italiane gjatë periudhës së pushtimit. Kështu që kjo mundësi u përjashtua.
Gjatë kohës që Napoleoni ishte në fuqi e vuri atelienë e famshme të Sevrës të prodhonte dhurata perandorake, duke urdhëruar që në porcelanet e prodhuara me porosi të tij , të vendosej germa “N”, shqiponja perandorake me kurorën sipër dhe në një sfond jeshil. Të gjithë këta elementë madhështie i plotësojnë të dyja vazot, apo urnat, që kemi në ruajtje.
Duke kërkuar rashë në një katalog që rendiste objektet e mbetura nga Napoleoni. Ishin shumë, shumë pak, prandaj mendimi “se Franca nuk ka luajtur mendsh që të shesë në ankande objektet e Napoleon Bonapartit” , ishte i saktë.
Atëhere mendova se duhej të zbërthenim kuptimin e pikturave të realizuara në tamburet e urnave dhe autorët e pikturave, si e vetmja rrugë që do të ngrinte perden e misterit që ato përmbënin.
Mendimet e njeriut janë si rrenjët e bimëve: ata shtrihen më hapësirat më tëj dhe kërleshen në rrugëtim, duke eliminuar njeri-tjetrin: në Versajë!
Dhe në gusht të këtij viti u nisa dhe shkova në Versajë për të vizituar Pallatin mbretëror. Etja ime ishte Galeria e betejave! Atje do ta gjeja zgjidhjen e kërkuar prej kohësh! Hyra. Përshtypja e parë ishte madhështia!
Ideja e krijimit të Galerisë së betejave ishte e Luigjit I-rë, (Louis-Philippe I), mbret i Francës. Qëllimi i saj ishte paraqitja në art e betejave më të famshme, që ndikuan në rrugëtimin historik të Francës. Arkitektura e Galerisë u projektua në vitin 1833, nga Frederik Nepveau me këshillat e Pierre-Leonard Fontaine. Po atë vit filloi edhe ndërtimi.
Katër vjet më vonë, me 10 qershor 1837, ajo u inagurua. Në të janë ekspozuar tridhjetë e tre piktura, të gjitha tabllo të mëdha, njëra më interesante se sa tjetra. Në renditjen e ngjarjeve historike e para paraqet betejën e Tolbiakut, të cilën e fitoi Clouvis në vitin 496, ndërsa e fundit i takon betejës së Wagramit në vitin 1809…
Katër tabllotë më të mëdha, të cilat paraprinë ndërtimin e Galerisë, ishim koleksionuar nga Napoleon Bonaparti si dhe gjatë periudhës së Restaurimit, ndërsa të tjerat, njëzetë e nëntë copë, u porositën nga Lui Filipi I-rë dhe u realizuan gjatë viteve 1834 dhe 1835, posaçërisht për Galerinë e betejave.
U angazhuan autorë të famshëm, midis të cilëve Eugene Delacroix, por edhe parisiani Horace Vernet, (1789 – 1863). Dhe për zgjidhjen e enigmës së çështjes së vazove tona ky i dyti është më i rëndësishmi.
Në Galerinë e betejave ka disa piktura të Horace Vernet, nga të cilat na interesojnë vetëm dy, njera që i dedikohet betejës së Frienlandit e zhvilluar në vitin 1807 dhe tjetra për betejën e Wagramit, në vitin 1809.
Në këtë vit, me datë 14 qershor, u zhvillua beteja e Friedlandit. Këtë betejë historianët e kohës e cilësojnë si një fitore të Napoleonit, që kompensoi pengesën e ngritur nga beteja e mëparshme dhe e përgjakshme e Eulanit, ku ushtritë franceze u ndeshën keqas me ato ruse.
Në ato kohëra Friedlandi bënte pjesë në Prusinë lindore, ndërsa sot i takon qarkut të Kaliningradit.
Ushtria e Napoleonit kishte 80000 trupa, jo vetëm francezë, por edhe polakë, gjermanë, italianë, etj, kurse ushtria ruse numuronte rreth 58000 nën komandën e gjeneralit Leonty Leontyevich Bennigsen.
Në mëngjesin e asaj dite trupat ruse kaluan lumin Alle dhe sulmuan trupat e izoluara franceze që ishin nën komandën e marshallit Jean Lannes. Ky bëri si bëri dhe i përballoi rusët për nëntë orë rresht, duke i dhënë mundësi Napoleonit që të organizonte forcat e veta. Napoleoni sulmoi në orën pesë të mbasdites me 65000 ushtarë, duke i thyer egër trupat ruse.
Car Aleksandri I-rë u detyrua të pranojë traktatin e Tilsitit, duke i dhënë fund luftës së Koalicionit të katërt dhe duke e rreshtuar Rusinë në Sistemin kontinental në luftë kundër Britaninsë së Madhe. Vetë Prusia e pësoi më keq, ajo humbi gjysmën e teritorit të saj.
Këtë betejë e paraqet në mënyrë artistike piktori francez Horace Vernet. Tablloja është shumë e madhe, e dedikuar për një sallë dhe ka dimensionet e saj 5,43 me 4,65 metra. Atë e koleksionoi Lui Filipi për Galerinë e betejave në vitin 1835.
Ajo paraqet Napoleonin në betejën e Friedlandit, sipas disa studiuesve duke përshkruar situatën e luftës dhe duke i dhënë udhëzime gjeneralit Nicolas Oudinot, komandant i kavalerisë së zgjedhur, ndërsa sipas disa të tjerëve duke urdhëruar gjeneralin trim për të ndjekur me kavaleri trupat ruse në tërheqje e sipër. Midis Napoleonit dhe Oudinot qëndron gjithë vëmendje gjenerali Etienne de Nasnsouty dhe mbas Perandorit, në të djathtë te tij, marshalli i famshëm Michel Ney.
Vetë tablloja është një kompozim. Një tjetër aspekt i betejës është pikturuar poshtë, në anën e majtë, ku paraqitet i shtrirë në tokë dhe i mbuluar me një batanije të trashë e të bardhë, koloneli Faure Jonquiere Komandant i Legjionit të nderit i regjimentit 76 të këmbësorisë.
Ai luftonte i bindur dhe trim i çartur nën urdhërat e Neit, të cilin e njihte personalisht. Gjatë një çasti të përleshjes së egër në betejë e sipër ai hypi mbi shtratin e një topi dhe filloi të komandonte që aty, e t’u ipte kurajo ushtarëve të regjimentit të tij, kur një plumb fatal i përshkoi zemrën tej e tej. Marshalli Nei tregoi keqardhje të madhe për vdekjen e oficerit të tij, tek i cili vlerësonte shumë talentin dhe kurajon e jashtzakonshme.
Pikërisht kjo tabllo është pikturuar edhe në njërën prej urnave të cilave po mundohemi t’u gjejmë sekretin. Por ajo aty është realizuar në të kundërt, njëlloj sikur të ishte parë në një pasqyrë të vendosur anash. Pse? Nuk e dimë.
Në këtë vit, me pesë dhe me gjashtë korrik, u zhvillua beteja e Wagramit, e cila konsiderohet nga historianët ushtarakë si një fitore vendimtare e Napoleonit dhe aleatëve të tij kundër ushtrisë austriake, të komanduar nga Arqiduka Charles, marshall fushor, i biri i Imperatorit Leopoldi II-të, duke thyer kështu Koalicionin e pestë të Austrisë dhe të Britanisë së Madhe kundër Francës. Natyrisht që erdhi si kulmimi i veprimeve luftarake, të ndodhura paraprakisht, gjatë disa muajve të parë të atij viti.
Në 1809 u zvogëlua prania e ushtrisë franceze në Gjermani, sepse Napoleoni transferoi një pjësë të trupave të tij në Luften e gadishullit. Bëhet fjalë për gadishullin Iberik. Situata luftarake që u krijua ishte e favorshme për Perandorinë austriake, e cila shfrytëzoi rastin për të rimarrë disa zona të influencës së saj. Ajo sulmoi Mbretërinë e Bavarisë, që në atë kohë ishte aleate e Francës.
Kjo ishte një e papritur për Napoleonin, por ai e mori shpejt veten, thyu forcat austriake dhe në muain maj të po atij viti pushtoi Vienën. Pavarsisht nga humbjet Arqiduka Charles, Duka i Teschen, arriti të shpëtojë nga shpartallimi një pjesë të ushtrisë së tij, duke u tërhequr në veri të Danubit.
Dhe ishte pikërisht kjo lëvizje që i dha mundësi për të vazhduar luftën. Napoleoni pësoi një humbje në betejën e Aspern-Essilingut. Duka u shpall hero kombëtar, sepse nuk ishte gjë e vogël që të mundje Napoleonin. Madje atij i kanë ngritur edhe një monument madhështor në Heldenplatz, Sheshi i herojve, në Hofburg të Vienës.
Napoleonit nuk i u desh shumë kohë për të përgatitur vazhdimin e betejës, vetëm gjashtë javë. Ai mblodhi 165000 ushtarë, kryesisht francezë, por edhe gjermanë dhe italianë dhe i përqëndroi në afërsi të Vienës.
Natën e katër korrikut kaloi Danubin me pjesën më të madhe të këtyre forcave dhe sulmoi ushtrinë e fortë austrikake prej 145000 vetash. U bënë shumë luftime të ashpra, gjaksore.
Matrshalli Louis-Nicolas Davout, i Gardës perandorake, i cilësuar edhe si “Marshalli i hekurt” dhe tek i cili Napoleoni kishte shumë besim, me trupat dhe kavalerinë e tij të lehtë, ishte vulosësi i fatit të betejës. Mbasditen e datës 6 qershor arkiduka Charles pranoi shpartallimin. Morali austriak ra! E gjitha përfundoi me Traktatin e Shënbrunit, (Schönbrunn), në bazë të të cilit Austria humbi një të gjashtën e teritorit të vet.
Këtë betejë e ka kompozuar Horace Vernet në një tabllo të madhe, thuajse sa e para, 5,3 me 4,65 metra, të cilën e porositi Lui Filipi për Galerinë e betejave në Pallatin e Versajës. Vernet pikturonte shpejt, ai i krijonte figurat me disa lëvizje të penelit, duke qenë kështu shumë rezultativ. Edhe këtë pikturë ai e realizoi në vitin 1835, megjithëse ndokush përmend edhe vitin 1836, por në këtë vit u paraqit në Sallon.
Natyrisht që figura qendrore është Napoleoni i hypur në kalin e bardhë, që kontraston me të gjitha të tjerat, duke të bërë që të përqëndrosh vëmendjen. Napoleoni paraqitet duke parë me tejqyrë linjat gjithë tym të frontit, ndërkohë që i jep marshallit Davout planin e betejës dhe urdhërin me shkrim për zhvillimin e luftimeve.
Në këtë kompozim Vernet ka vendosur edhe figurën e Dukës së Istries, Jean-Baptiste Bessiere, komandanti kavalerisë në Gardën perandorake, që u godit nga nje gjyle austriake. Eshtë ai, i rrëzuari, mbas kalit të Napoleonit.
E pikërisht kjo tabllo është pikturuar në urnën që i dedikohet betejës së Wagramit, që mban në bazamentin konik vitin 1809, të shkruar me ar.
Si?
Gjatë kohës së sundimit të Napoleon Bonapartit, që ishte i frymezuar nga Egjypti i lashtë dhe nga Perandoria romake, me përkrahjen, apo nxitjen e tij, u krijua stili perandorak, që konsiderohet të jetë si fazë e dytë e neoklasicizmit.
Është një lëvizje kompozuese në arkitekturë, mobilje dhe në artin dekorativ dhe kishte si qëllim të idealizonte shtetin francez të Napoleonit. Ky stil zgjati me pak ndryshime deri në vitin 1830. Por në Francë pati nje rizgjim në gjysmën e dytë të shek XIX.
Në këtë rizgjim u perfshi edhe Ateliea e famshme e Sevrës, ku u prodhuan shumë porcelane të llojeve të ndryshme në stilin napoleonik. Atje punonte edhe piktori H. Despresz, (Henri Desprez),i cili dekoronte vazot, pjatat, etj, dhe natyrisht edhe urnat.
Ai shkruante edhe emrin e tij H. Desprez dhe poshtë emrit, Sévres. Shumë nga vazot dhe urnat paraqesin betejat e Napoleonit jo vetëm në shumllojshmëri pamjesh, por edhe thuajse njësoj, pra, si të thuash, prodhime në seri. Edhe urnat po kështu. Ishin të formave dhe madhësive të ndryshme, në sfond jeshil, ose në blunë karakteristike të Ateliesë së Sevrës, me bazamente bronxi, të lara me ar.
Në këtë kontekst është edhe shpjegimi i historisë së të dy urnave që ruhen në Fondin etnografik dhe që u cilësuan si të Napoleon Bonapartit.
Pikturat që ato përmbajnë dhe që paraqesin betejën e Friedlandit dhe atë të Wagramit janë kompozime të Horace Vernet dhe të realizuara gjatë viteve 1834 dhe 1835 me porosi të Lui Filipit I-rë për Galerinë e betejave në Pallatin e Versajës. Tek këto piktura është bazuar H. Desprez, imazhin e të cilave e ka kaluar në urna dhe vazo, duke e thjeshtëzuar paksa, sidomos me heqjen e disa episodeve.
Figurat e tjera nuk i kam zbërthyer, por ato gjinden thuajse njësoj, por me ndryshimet e levizjes së penelit, në të gjitha vazot dhe urnat e ngjashme. Këto dy urna duhet të jenë realizuar diku në harkun kohor 1875-1890. Duhet të shtoj se porcelanet e prodhuara në Sevër kanë stampat karakteristike që i dallojnë nga fallcot dhe që tregojnë vitet e prodhimit.
Por në disa periudha kohore, këto shenja dalluese nuk janë përdorur. Edhe urnat për të cilat po flasim nuk e kanë stampën dalluese dhe është pikërisht kjo mungesë, që e ben të vështirë përcaktimin e vitit të prodhimit.
Si u ndodhën në Shqipëri?
Ja, këtë nuk kam arritur ta gjej deri më tani. Por le të shpresojmë se në të ardhmen do të mund të na mundësohen nga Arkivi i Shtetit të tjera dokumente dhe atëhere ndoshta do të mund të gjejmë diçka, që të na shuaj kërshërinë.
Një mbyllje e dytë
Është, për të gjithjë ata që nuk kanë patur mundësinë për ta lexuar shkrimin. Napoleon Bonaparti vdiq në vitin 1821. Pikturat për Galerinë e betejave në Pallatin e Versajës i porositi Lui Filipi I-rë dhe disa prej tyre u realizuan në vitet 1834-1835 nga Horace Vernet, pra Napoleoni nuk i ka parë kurrë këto piktura. Pastaj, nga fundi i shek XIX piktori H.
Desprez i hodhi këto tabllo në urnat që kemi në ruajtje. E pra, të dyja urnat nuk kanë qenë kurrë të Napoleon Bonapartit dhe cilësimi i tyre si “vazo të Napoleonit”, ishte një sajesë me të gjithë fatin e sajesave, i kotë.
Ndokush mund të pyesi për kuriozitet: sa kushtojnë? Vlera reale e të tilla sendeve përcaktohet në ankande. Të ngjashme dhe të padëmtuara shkojnë në 40000-50000 dollarë! Ndoshta edhe më tepër.
[gallery]25077[/gallery]
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com