Kjo është strehëza që fati i ka rezervuar prej vitesh 74-vjeçares Hasime Rakipi dhe djalit të saj të sëmurë nga epilepsia.

Pa kushte higjeno–sanitar, në vështirësi ekonomike e shëndetësore, kjo familje është e njohur në Delvinë, për kushtet me të cilat përballet.

E sikur të mos mjaftonte e gjitha, e moshuara dhe djali i saj i sëmurë gdhihen e ngrysen prej vitesh në errësirë, pasi faturat e papaguara sollën ndërprerjen e energjisë prej më shumë se dy vite.

Në pamundësi për të dalë nga kjo situatë vetë, nëna tregon për Report TV se ka trokitur disa herë në dyert e pushtetit vendor, ka marrë dhjetëra premtime, por kurrë një zgjidhje.

"Me sëmundje toke e kam djalin. Bie gjithmonë djali. Kemi vajtur në bashkia, bashkia nuk merr pjesë. Do të bëjmë neve thonë ata, hiç gjë. Jetojmë si qeni",- thotë 74-vjeçarja.

E lodhur nga vitet që mban mbi supe, e rënduar edhe nga situata në të cilën ndodhet, 74 vjeçarja ende shpreson se dikush do të mendojë, të paktën për një strehë ku të mund të përjetojë “luksin” e të pasurit një tualet, siç e quan ajo.