Një SMS që dukej krejt normal, me emrin e Raiffeisen Bank, ka bërë që dhjetëra qytetarë të bien pre e një skemë mashtrimi pas së cilës fshihej një i ri holandez, me qëllimin për të vjedhur llogaritë e qytetarëve.

Policia e Shtetit, por edhe banka vetë thotë se pas mesazheve që qytetarëve u mbërrinin në celular, nga numri +355 69 369 573,  fshihej një skemë mashtrimi kibernetik, ku përdoruesve u kërkohej të “përditësonin” të dhënat e tyre duke klikuar në një link që imitonte faqen zyrtare të bankës.

Sapo hynin në link dhe plotësonin informacionin, qytetarët u jepnin autorëve akses në të dhënat e tyre bankare.

Foto e mesazhit mashtrues në emër të bankës

 

Faqja që shfaqej pasi përdoruesit klikonin mesazhin mashtrues që u vinte në celular

Skema u godit në kuadër të operacionit “Banka e Rreme 2”, të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Policinë e Tiranës dhe Prokurorinë. Si autor i dyshuar është arrestuar një 25-vjeçar holandez, i identifikuar me inicialet I.K., ndërsa një tjetër person, me inicialet A.R., është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, mesazhet mashtruese dërgoheshin në emër të një institucioni bankar dhe kishin si qëllim marrjen e të dhënave të klientëve. Policia nuk ka bërë të ditur sa persona janë dëmtuar apo sa është vlera e parave të përfituara përmes skemës.

Ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Falsifikim kompjuterik”. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë linke të dyshimta që u vijnë me SMS apo email dhe të mos japin të dhëna bankare përmes faqeve të panjohura.

Sipas policisë, asnjë bankë nuk kërkon përditësim të të dhënave personale apo bankare përmes mesazheve në telefon, ndaj qytetarët të tregojnë kujdes .

Njoftimi i plotë i policisë 

Policia e Shtetit, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Banka e Rreme 2”. Operacioni u zhvillua pas identifikimit të një fushate mashtruese të tipit “smishing”, përmes së cilës qytetarë të ndryshëm kanë marrë mesazhe (SMS) në emër të një institucioni bankar të nivelit të dytë, ku u kërkohej përditësimi i të dhënave bankare nëpërmjet klikimit të një linku mashtrues që imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar. Si pasojë e kësaj skeme kriminale, disa qytetarë kanë dhënë të dhënat e tyre bankare, duke u bërë viktimë e mashtrimit.

Falë reagimit të menjëhershëm të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në koordinim me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj skeme, shtetasit I.K., 25 vjeç, me nënshtetësi holandeze, si edhe shpallja në kërkim e shtetasit A.R të dyshuat si bashkëpunëtor në këtë veprimtari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të parashikuara nga nenet 143/b dhe 186/a të Kodit Penal.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve apo linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhëna personale ose bankare. Asnjë institucion bankar nuk kërkon përditësim të të dhënave sensitive nëpërmjet SMS-ve ose linkeve të dërguara në telefon. Në çdo rast të dyshimtë, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë pranë Policia e Shtetit, si dhe pranë institucionit të tyre bankar.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë