TIRANË- Ambasada e SHBA-së del sërish në mbështetje të SPAK dhe drejtësisë së re. Një mesazh i shkurtër, por i fortë, ku SHBA thekson se ka ardhur koha që SPAK të lejohet të bëjë punën e saj pavarësisht kush është i pandehur. Sipas saj, kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE.

"Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë - oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit - duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE", shkruhet në reagimin e SHBA-së.

Një reagim ka pasur edhe vetë ambasadorja, Yuri Kim. Teksa ka shpërndarë mesazhin e SHBA, ajo shkruan se e gjithë puna e SPAK bëhet për të ndëshkuar kriminelë të njohur asgjë më shumë e asgjë më pak. 

"Çështjet e rëndësishme shpeshherë shoqërohen nga fushata të shtrenjta për të krijuar dyshime dhe konfuzion, për të blerë influencë, për të mohuar të vërtetën, për t'i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo është për të ndëshkuar kriminelë të njohur, asgjë më shumë. Mbështesim fort SPAK dhe policinë", shkruan Kim. 

Në javët e fundit, SPAK ka kryer dy operacione të bujshme, që kanë të bëjnë me dosjen 339 për krimin zgjedhor dhe sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi.

Postimi i plotë i Ambasadës së SHBA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:50
Pas SHBA, edhe Kim në mbrojtje të SPAK: Kjo bëhet për të ndëshkuar kriminelë të njohur, asgjë më shumë

Një tjetër reagim i fortë nga SHBA në mbrojtje të SPAK dhe Policisë së Shtetit. Reagimi vjen nga vetë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

"Çështjet e rëndësishme shpeshherë shoqërohen nga fushata të shtrenjta për të krijuar dyshime dhe konfuzion, për të blerë influencë, për të mohuar të vërtetën, për t'i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo është për të ndëshkuar kriminelë të njohur, asgjë më shumë. Mbështesim fort SPAK dhe policinë", shkruan Kim.

Postimi i plotë i Yuri Kim