Mesazhi i Merkel, PD dhe Vettingu

I nderuar Kryetar i Kuvendit!

Shumë të nderuar dhe të dashur veteranë dhe familjarë të familjeve të dëshmorëve!

Të dashur deputetë, ministra!

Dje kremtuam Ditën e shënuar të Pavarësisë së Shqipërisë! Unë pata privilegjin të jem në Berlin me Kancelaren gjermane, një grua vizionare që mban sot timonin e Europës së Bashkuar, në krye të një shteti mik dhe aleat strategjik të Shqipërisë dhe një mike e shtrenjtë e shqiptarëve.

Ishte një emocion shumë i veçantë, që rasti e solli që në praninë time Angela Merkel t’u uronte shqiptarëve festën e flamurit tonë kombëtar. Por ishte gjithashtu një motivim shumë i veçantë që në një ditë aq të shënuar për ne të merrja drejtpërdrejtë përgëzimet e saj publike për progresin e bërë në vitet e fundit, si dhe të rikonstatoja mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë mike për Shqipërinë. Për fjalën e fundit lidhur me rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, do të duhet të presim mesin e dhjetorit. Po sot mund t’ju them se jam i sigurt që Gjermania do të jetë plotësisht në krahun tonë. Nuk besoj se mund të kishte të nesërmen e një takimi kaq të rëndësishëm me Kancelaren gjermane, një ditë më të përshtatshme se kjo, 29 nëntori i çlirimit të atdheut për të komentuar një takim të kësaj rëndësie.

Pa asnjë ekuivok Angela Merkel u shpreh dje publikisht për progresin e këtyre viteve duke thënë, “ne sot mund të themi se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht gjatë këtyre viteve të fundit dhe se janë bërë reforma shumë të rëndësishme. Këto reforma, - vazhdoi ajo - duhet të vazhdojnë, dhe KE që ndjek zhvillimet e vazhdueshme me Shqipërinë e ka pranuar gjithashtu këtë progres në raportin e fundit”.

Duke e njohur tani më mirë Kancelaren dhe tonin e saj gjithnjë të përmbajtur, më lejoni që përgëzimet e përzemërta që ajo më adresoi shprehimisht për këta hapa përpara, t’i ndaj me të gjithë ju. Me Ilir Metën, bashkëkryetarin e koalicionit në radhë të parë, pa të cilin reformat tona të thella e të vështira do të kishin qënë të pamundura, por dhe me partnerin tjetër në koalicion, po ashtu, roli i cili ka qënë kyç, në momente kyçe të procesit legjislativ, sidomos për Reformën në Drejtësi dhe Reformën Administrative Territoriale; me anëtarët e qeverisë së koalicionit që në këta 3 vjet e pak, kanë punuar si një skuadër kompakte, pa asnjë dallim partiak dhe me grupe parlamentare që e kanë mbështetur dhe e kanë përmirësuar çdo projekt të rëndësishëm të qeverisë sonë në Kuvendin e Shqipërisë. E në fund, por jo për nga rëndësia, me qytetarët shqiptarë pa asnjë dyshim, të cilët janë burim i çmuar i energjisë së madhe të qeverisjes sonë dhe motivimi im parësor në kryerjen e kësaj detyre të lartë.

Shumë sinqerisht do të doja shumë t’i ndaja edhe me opozitën përgëzimet e Kancelares Merkel për ato që ajo i quajti, citoj: “ndryshimet rrënjësore të viteve të fundit”. Por, fatkeqësisht nuk mundem. Jo se opozita nuk e njeh 29 nëntorin edhe pse s’ka shkrehur asnjë pushkë, as për mungesë zemërgjerësie, por sepse realisht e kam të pamundur të bëj sikur nuk e shoh dhe nuk e dëgjoj, jo thjesht atë që opozita bën në parlament çdo të enjte apo nëpër tribuna, foltore dhe sallore çdo ditë. Kjo pjesë, sado e mundimshme dhe sado rëndom e pagëlltitshme për shkak të nivelit aq të ulët etik dhe moral edhe mund të pranohej me shumë zemërgjerësi.

Por e kam të pamundur të bëj sikur nuk e shoh, dhe nuk e dëgjoj atë që Partia Demokratike ka bërë dhe po bën pa pushim, për ta rrënuar imazhin e Shqipërisë në sytë dhe në veshët e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë duke u përpjekur në mënyrë këmbëngulëse ta pengojë, ta bllokojë vendin tonë, në rrugën e negociatave, duke mos lënë shpifje pa amplifikuar lartë e poshtë, për ta bindur Brukselin dhe kë të mundet ndër vendet anëtare të BE që ky vend është Kolumbi, që qeveria e këtij vendi është një kartel droge, që shumica parlamentare shqiptare është një strofull kriminelësh, që Shqipëria është një gropë e të gjitha të zezave, prej ku të gjithë duan të arratisen.

Mbi të gjitha nuk i ndaj dot përgëzimet e Kancelares gjermane me Partinë Demokratike sepse tani është fare e qartë që jo Brukseli, as Gjermania, Franca apo Hollanda apo cilido tjetër prej vendeve anëtare, po thjesht opozita jonë i ka ngritur Shqipërisë një mur që e pengon sot çeljen e menjëhershme të negociatave, sepse ka bllokuar zbatimin e ligjit të Vettingut. 

Tani “natyrshëm duhet të vazhdojmë sëbashku këtë rrugë, në këto piketa të rëndësishme, - tha dje kancelarja Merkel. Kjo, - vazhdoi ajo, - përfshin ndër të tjera zbatimin e vazhdueshëm të Reformës në Drejtësi”. Ky zbatim e dimë të gjithë për Komisionin Europian fillon me zbatimin e ligjit të Vettingut pa të cilin nuk ka negociata me BE dhe e vërteta është që nuk ka se si të ketë.

Prandaj unë dua t’ju bëj sot në këtë 29 nëntor thirrje të gjithë anëtarëve të thjeshtë dhe votuesve të Partisë Demokratike, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime të mos duan të qeverisen nga ne, që të ushtrojnë presion mbi lidershipin dhe ata deputetë të opozitës që janë pjesë e zgjedhjes për ta ngritur atë mur, që ta heqin murin që i kanë vënë Shqipërisë përpara, duke bllokuar plotësimin e kushtit të vetëm për hapjen e negociatave, zbatimin e ligjit të Vettingut. Kjo është e papranueshme sepse nuk është kundër nesh, por është kundër Shqipërisë, është kundër të ardhmes së çdo komuniteti, familjeje, njeriut të zakonshëm të këtij vendi. Ja pse kur vjen puna tek ky ligj që garanton spastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, Shqipëria duhet të jetë një, e bashkuar. Shqiptarët duhet të bëhen bashkë, socialistë dhe demokratë, gegë, toskë dhe çamë, këtu në Shqipëri apo kudo ku jetojmë pa dallim feje, krahine e ideje.

Nëse për një grusht njerëzish të mbledhur nën strehën e selisë së PD është e pamundur t’i bashkohen Shqipërisë për ta shembur murin pas të cilit fshihen pengmarrësit e korruptuar të sistemit të drejtësisë, kjo është jo vetëm e mundur, por edhe një detyrim patriotik për të gjithë, për çdo deputet, anëtar apo zgjedhës të asaj partie që nuk ka pse i friket një drejtësie të re, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, nga ata që janë në majë, tek ata që janë në bazën e piramidës të sistemit tonë demokratik. 

Unë jam sot krenar sepse t’ju them të vërtetën e kam dëshiruar shumë arritjen e marrjes rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave brenda këtij mandati, por po ashtu nga pika e hallit ku u nisëm, më është dukur një përpjetë shumë e lartë për t’i dalë në krye, në më pak se 4 vjet.

 “Unë besoj se ne mund të themi në përgjithësi se tashmë më e rëndësishmja është bërë”, - u shpreh dje Kancelarja e Gjermanisë dhe shtoi se “kush i sheh konfliktet e politikës së brendshme, - pra në Shqipëri, - e di se sa shumë forcë dhe kurajë duhet për të ecur përpara në këtë rrugë”. 

Shumë e vërtetë, siç është po kaq e vërtetë se - tamam ashtu siç e lajmëroi dhe vetë në fund të prononcimit të saj sintetik në konferencën e djeshme për shtyp Kancelarja, - më pas ne folëm më në detaje rreth asaj se si Gjermania mund të ndihmojë për të siguruar që përparimi në këtë rrugë, të mund të zotërohet me sukses. 

Bashkëbisedimi që pasoi ishte i hapur dhe intensiv, me plot detaje për problemet dhe për qasjen ndaj tyre. Natyrisht, nuk ishte nevoja që ne ta dëgjonim dje nga Kancelarja për të qenë plotësisht të vetëdijshëm, që në pritje që Vettingu të zhbllokohet dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar të fillojë konkretisht, ne duhet të vazhdojmë të bëjmë progres në zbatimin e 5 prioriteteve kyçe, të dakordësuara me Komisionin Europian. E kemi pasur të qartë këtë që ditën e parë të qeverisjes. E kemi thënë qartë këtë dhe ditën kur doli raporti i fundit i progresit. Lufta kundër krimit të organizuar ka dhënë, padyshim, rezultate që as mund të mendoheshin deri tre vjet më parë, të pranuara si shprehje e qartë e progresit dhe në raportin e Komisionit.

Por sidoqoftë, në radhë të parë për ne, por sigurisht dhe për Komisionin e për Bashkimin Europian, këto rezultate janë larg së qenit të mjaftueshme. Ne natyrisht na vjen mirë që Komisioni dhe të gjithë miqtë e partnerët e sinqertë të Shqipërisë në këtë fazë të procesit, çmojnë me nota shumë pozitive progresin e bërë për modernizimin e Policisë së Shtetit dhe rezultatet e arritura në luftën kundër trafikut të drogës. As në Bruksel dhe as në Berlin, ashtu sikundër në asnjë takim me homologë të mi apo përfaqësues të lartë europianë apo amerikanë, nuk e kam dëgjuar asnjëherë të vetme fjalën “kanabis”. Por pa asnjë dyshim e di unë, e dimë shumë mirë ne të gjithë dhe të parët jemi ne që e dimë, se në këtë luftë më e mira mbetet akoma për t’u bërë. Po ashtu më e mira mbetet akoma për t’u bërë dhe në luftën kundër korrupsionit, e cila do të thotë reforma dhe modernizim. Por qoftë këto çështje, që siç e nënvizoi dhe Kancelarja, janë të përhershme në rendin e ditës së punës dhe qoftë zgjedhjet e ardhshme, nuk janë kushte për të hapur negociatat, por vetëm kritere të zhvillimit demokratik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Prandaj loja “macja me miun” që bën Partia Demokratike dhe mediat, portalet e kanalet e saj të kontaminimit publik për gjoja kushtëzime të procesit, është thjesht pjesë e lojës së vjetër të asaj partie për të çoroditur publikun shqiptar me gënjeshtra e manipulime të pafundme të të vërtetës e të fakteve. Sot, në këtë ditë të bekuar të çlirimit të atdheut tonë, që përkon me 29 nëntorin e katërt për mua si Kryeministër, jam edhe më i bindur, edhe më i vendosur, edhe më i motivuar se sa 29 nëntorin e vitit 2013, që ne, që ky koalicion, mund ta bëjmë, po e bëjmë e do ta bëjmë vërtet Shqipërinë një shtet dinjitoz, mes shteteve të BE. 

Sot, ekonomia nuk është më në ngërç të rëndë si në 29 nëntorin e vitit 2013, por është në rritje të qëndrueshme, edhe pse nuk mjafton.

Sot, financat publike nuk janë më në krizë të thellë, si në atë 29 nëntor, dhe borxhi publik nuk është më në rritje kërcënuese, por ka nisur të bjerë, edhe pse nuk mjafton.

Sot, fuqia blerëse e shqiptarëve nuk është më në gjysmë paralizë, por duke u gjallëruar hap pas hapi, edhe pse nuk mjafton.

Sot, taksat mbi të ardhurat nga rroga apo biznesi nuk janë më një lak në fytin e atyre që fitojnë më pak, por sa më pak të fitosh, aq më pak paguan, edhe pse nuk mjafton. 

Pasi kemi spostuar 140 milionë dollarë në tre vjet nga buxheti i shtetit, në buxhetet e punonjësve në shtet, apo në privat, përmes uljes së taksave, ne sot jemi gati me projekt-buxhetin e ri të spostojmë dhe 100 milionë dollarë të tjera nga buxheti i shteti në buxhetin e pensionistëve dhe të familjeve të punonjësve tanë, përmes rritjes më të madhe të rrogave e pensioneve në një vit të vetëm buxhetor gjatë këtyre 25 vjetëve edhe pse edhe kjo sigurisht, nuk mjafton.

Sot, ne nuk jemi më të kërcënuar nga kolapsi energjetik e financiar siç ishim në 29 nëntor të vitit 2013, por jemi në gjendje të investojmë çdo vit më shumë, se sa në 20 e kusur vite bashkë me radhë për të rimëkëmbur rrjetin tonë të degraduar elektroenergjitik, edhe pse nuk mjafton.

Sot ne nuk jemi më të kërcënuar nga kriminaliteti i kudondodhur dhe të përqeshur nga korrupsioni i punonjësve të policisë në çdo cep e në çdo hap, por kemi një Polici Shteti që fuqizohet, moralisht e profesionalisht çdo ditë, edhe pse nuk mjafton.

Sot ne nuk jemi të kërcënuar nga shkatërrimi i gjeneratës tjetër për shkak të teksteve shkollore jashtë çdo standardi e mësuesve pa shkollë apo jashtë profili, por kemi nxënës që mësojnë me tekste të standardeve më të larta europiane e mësues që hyjnë në punë sipas diplomës e meritës, edhe pse nuk mjafton. Sot ne nuk jemi të kërcënuar nga degjenerimi arsimor i shoqërisë për shkak të diplomave që blihen me kuintal si presh në tregun e shumicës, por kemi një sistem të arsimit të lartë që ka nisur të lëvizë në binarët e konkurrencës e të meritës, edhe pse nuk mjafton.

Sot ne nuk vazhdojmë më në rrugën e frikshme të një të ardhmeje pa zanate, por kemi rihapur pas 20 e kusur vjetësh, rrugën e arsimit cilësor profesional, edhe pse nuk mjafton.

Sot ne nuk jemi një vend ku ilaçet paguhen më shtrenjtë se në vendin e origjinës apo ku spitalet nuk kanë as ilaçe, as çarçafë apo batanije, por kemi një qeveri që lufton çdo ditë, mes 1001 mangësish e vështirësish të krijuara nga kalbëzimi 20 e ca vjeçar, për ta përmirësuar çdo ditë, pak nga pak shërbimin shëndetësor, edhe pse nuk mjafton. 

Sot ne nuk bëjmë më sehir duke parë të na shemben monumentet e kulturës e të na treten para syve thesare të trashëgimisë sonë kulturore, por shpëtojmë vazhdimisht monumente dhe i kemi inventarizuar të tëra thesaret tona, edhe pse nuk mjafton.

Sot ne nuk jemi më të kërcënuar nga zhdukja e pyjeve, po i kemi vënë ato në mbrojtje tërësore e po i ripërtërijmë, pak e nga pak, në çdo sezon mbjelljesh të reja, edhe pse nuk mjafton.

Sot ne nuk jemi një vend ku mund të ndërtosh pa leje ku të duash dhe pastaj të të marrë lumi me gjithë shtëpi ose të mbetesh pa lejen e legalizimit tërë jetën, por i kemi dhënë fund ndërtimeve pa leje dhe po shkojmë drejt shifrës së 100.000 legalizimeve deri në fund të këtij viti, edhe pse prapë nuk mjafton!

Sot ne nuk i shpërdorojmë më paratë publike për ta bërë buxhetin e bujqësisë çika e thërrime elektorale, por po investojmë që familja fermere të kalojë nga lëmosha tek sipërmarrja, edhe pse nuk mjafton.

Pasi morëm në dorë një vend ku qytetet ishin kthyer në konvikte dhe në parkime makinash, pa hapësira publike e mjedise sociale, ne po u kthejmë komuniteteve qytetin e tyre, duke nisur një orientim masiv që ka filluar nga qendrat e do të shtrihet hap pas hapi, më tutje drejt periferive rurale të bashkive të reja, edhe pse prapë nuk mjafton.

Mund të vazhdoja edhe më gjatë, shumë më gjatë, sepse e gjatë është lista e gjërave që kemi bërë edhe pse sado e gjatë lista, sidoqoftë nuk mjafton.

Ajo çka mjafton besoj, sot për sot, është fakti se nën udhëheqjen e këtij koalicion qeverisës, Shqipëria po merr një kthesë historike. Sot ne nuk jemi më një shëmbëlltyrë pa identitet kombëtar dhe europian në rajon dhe në Europë, por një shtet me një politikë të jashtme dinamike që nuk e negocion interesin kombëtar, dinjitetin e vendit dhe të shqiptarëve kudo ku janë dhe kornizën e vlerave e parimeve demokratike të Familjes Europiane, ku bëjmë pjesë me zemër, mendje dhe sjellje, edhe pse nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian. 

Besoj, të nderuar dhe shumë të dashur miq këtu të pranishëm, se ndani me mua mendimin se gjithçka kemi bërë nga 29 nëntori i vitit 2013 kur u ngjitëm në këtë kodër të shenjtë për herë të parë, si forcë e re qeverisëse e Shqipërisë, e deri sot, në 29 nëntorin e fundit të këtij mandati të parë qeverisës, mjafton për ta mbajtur kokën lart, në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare.

Ne i kemi bërë padyshim gabimet tona. Ne jemi padyshim ta papërsosur dhe kemi shumë gjëra për të përmirësuar, por po ashtu, pa dyshim ne një gjë nuk e kemi bërë kurrë në këtë kohë përgjegjësie të lartë për atdheun tone; nuk e kemi tradhtuar asnjëherë Shqipërinë dhe qytetarët e saj në vendimmarrjet apo qëndrimet tona. E deri kur populli të na besojë ne këtë përgjegjësi kaq të lartë, ne do ta udhëheqim Shqipërinë me vullnetin për t’u përmirësuar vazhdimisht, me vetëdijen se duhet të bëhemi për ditë e më modestë në krye të detyrës e të pranojmë dhe gabimet e natyrshme, në një punë voluminoze e të përditshme dhe mbi të gjitha me vendosmërinë që kurrë të mos e bëjmë mëkatin e tradhtisë ndaj njerëzve tanë, popullit të mrekullueshëm të kësaj toke, për lirinë e të cilit dhanë jetën ata që sot ne i nderojmë me plot mirënjohje. 

Gëzuar 29 nëntorin, Ditën e Çlirimit të atdheut!

Lavdi përjetë, heronjve e dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare!

Gëzuar të gjithëve ju veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve!

Paçi shëndet e suksese!

Shumë faleminderit!​​

*Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, me rastin e festës së 29 nëntorit

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Abuzim me tenderat, dënohet me burg ish-kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj, i konvertohet në shërbim prove

Abuzim me tenderat, dënohet me burg ish-kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj, i konvertohet në shërbim prove