Kryeministri Edi Rama bën shumë mirë qëdo të shkojë në Beograd, edhe pse dy javë e gjysmë më vonë. Mosshkuarja do të sillte dëme të konsiderueshme. Në sytë e Bashkimit Evropian do të konsideroheshim si të prekur nga shovinizmi. Si ende të papërgatitur, si shqiptarë, për të mbrojtur interesat e integrimit evropian. Kjo vizitë, menjëherë pas asaj të Presidentit rus Putin në Serbi, është e rëndësishme dhe për vetë Brukselin. Në vijimin e përpjekjeve për të tërhequr sa më shumë Serbinë, një aleat i natyrshëm dhe i vjetër i Rusisë, drejt integrimit në familjen e madhe evropiane, takimi i Kryeministrit të Shqipërisë me atë të Serbisë në Beograd, çon ujë në mullirin integrues të Evropës.

Janë dy shtete shqiptare që po përpiqen të gjejnë urat e bashkëpunimit me Serbinë. Shqipëria dhe Kosova. Kosova, më tepër e prirur për t’ju bindur këshillave të partnerëve të BE-së, se sa me vullnet të fortë politik të brendshëm, për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjin e vështirë të veriut. Kjo është dukur dhe në formalitetin e takimeve mes Kryeministrit serb dhe atij kosovar, si dhe në mungesën e rezultateve konkrete pas këtyre takimeve. Kurse vajtja e Kryeministrit Rama është prodhim i fidanishtes së politikës së Shqipërisë, edhe pse, sigurisht, e mirëpritur dhe përshëndetur nga Bashkimi Evropian. Rama shkon pa ndonjë këshillë-orientim fillestar nga ndonjë si gjysëm tutori në Bruksel.

Dhe vizita e tij në Beograd, jo vetëm është ngjarje historike, për vetë marrëdhëniet e vështira mes Shqipërisë dhe Serbisë në këto 24 vite tranzicion e demokraci, por jep mesazhin e dëshirës së sinqertë për bashkëpunim. Nuk ka rëndësi nëse Kryeministri serb vendos në momentin e fundit edhe të mos e presë Ramën, në valën e protestave të forta nacionaliste, që kanë përfshirë mbarë Serbinë. Ai dhe e gjithë Serbia vetëm do të humbasin për këtë, pse kanë vënë në altarin e interesave integruese e zhvilluese të këtij vendi, inatet dhe afshet shovene. Kryeministri ynë bën detyrën e tij si faktor bashkimi dhe bashkëpunimi në Ballkan. Ai gjen kurajon të dalë mbi pasionet nacionaliste të popullit të vet dhe të bëjë një politikë afrimi me fqinjin e veriut në Ballkan.

Në një moment shumë të vështirë, pas ngjarjeve të rënda të stadiumit të Beogradit në ndeshjen e bllokuar katër ditë më parë. Edhe pse qeveria e futbollit, UEFA, bëri sikur nuk i dëgjoi koret shovene “vritini shqiptarët!” dhe nuk pa djegjen e flamurit të NATO-s në stadium, këto i pa një botë e tërë. Dhe e kuptuan mirë domethënien e tyre të gjitha kancelaritë evropiane. Prandaj dhe vizita e Ramës në Beograd, pikërisht pas këtyre ngjarjeve, merr një rëndësi edhe më të madhe, nga ç’e kishte përpara ngjarjeve në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri.

Është një vizite e qartë anti-shovinizëm. Nuk është dorëzim apo nënshtrim ndaj atyre që këtë shovinizëm të manifestuar në stadium, e toleruan, në mos në heshtje, edhe iu bashkuan. Vizita e Ramës kryhet nën dritën e atyre çfarë u thanë një muaj më parë në Berlin, në konferencën për Ballkanin, të organizuar nga Merkel. Ideali i një Ballkani të bashkuar, me shtete që lënë pas njëherë e përgjithmonë dasitë e shovinizmave të së kaluarës, kërkon sprova të forta durimi dhe kurajoje politike.

Sprova e Ramës do të shikohet qartë nga amerikanët dhe gjermanët, këta të fundit, protagonistët e dorës së fortë evropiane në konfliktin me Rusinë për Ukrainën. Nëse vizita e shtyrë e Kryeministri shqiptar më10 nëntor dështon apo pengohet, nga kjo humbet shumë Serbia dhe gjasat e saj për integrim të shpejtë nëfamiljen e madhe evropiane. Sido që të jetë rezultati i vizitës, vetëm pse Rama ka kurajon, në këto momente, të shkelë tokën e Beogradit, Shqipëria dhe ne shqiptarët dalim të fituar. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)