Mesazhi i SHBA, SPAK dhe si mund të ‘shpëtojë’ PD nga Berisha

Mesazhi i SHBA, SPAK dhe si mund të ‘shpëtojë’ PD nga Berisha

Ish kryeministri, Berisha

Ka kaluar si pa vënë re takimi i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim me prokurorët e SPAK, një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor.

Ethet e daljes së rezultatit të këtij ballafaqimi elektoral, sikur e lanë në hije këtë lajm, i cili për nga forca e mesazhit që përmban, ndoshta ishte lajmi më i rëndësishëm i kësaj periudhe, dhe më shumë se sa vetë rezultati i zgjedhjeve të 14 majit.

E themi këtë sepse rezultati i zgjedhjeve dihej, PS do të fitonte thellë në këto zgjedhje, përballë një opozite në përçarë, të pabesueshme. Për më tepër që pjesa kryesore e kësaj opozite, koalicioni “Bashkë Fitojmë” udhëhiqej në fushatë nga Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të, Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë e lidhje me elementët kriminalë, por dhe i konsideruar i tillë nga vendet e BE dhe ato të rajonit.

Dhe më e keqja është se në shpalljen ‘non grata’ të Berishës nga këto vende kanë ndikuar jo vetëm këto tre-katër motivime që janë shënuar në versionin zyrtar, por dhe vepra të tjera, që kanë cënuar sigurinë e vetë SHBA dhe aleatëve, siç janë ‘flirtet’ me Rusinë, Serbinë e deri vendet arabike dhe Iranit, e shprehur dhe në vlera monetare, duke marrë gjysmë milioni dollarë nga Moska për të rrëzuar qeverinë e ligjshme shqiptare, destabilizuar rajonin dhe hapur rrugën e shtrirjes së ndikimit rus në Ballkan.

Po çfarë përmbante mesazhi për prokurorët e SPAK në takimin që realizoi ambasadorja Yuri Kim vetëm një ditë pas zgjedhjeve, larg zhurmës së përplasjes për vota, dhe teksa trendi i fitores së thellë të socialistëve në pjesën dërmuese të bashkive në vend kishte marrë udhë.

Sipas njoftimit të vetë ambasadës së SHBA në Tiranë, ambasadorja zhvilloi një takim me kreun e SPAK Altin Dumani dhe prokurorët e këtij institucioni në vilën e Ryerson House. Në postimin në adresën zyrtare në rrjetin social, Kim nënvizoi fort se SPAK duhet të përparojë me përpjekjet për t’i dhënë fund mënyrave të vjetra të mosndëshkimit, ndërsa theksoi se SHBA mbështet fuqishëm SPAK në luftën e këtij institucioni kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ishte një nder të ftoja prokurorët e SPAK në Ryerson House. Ne shprehim falënderime dhe respekt për këta prokurorë të jashtëzakonshëm për guximin dhe profesionalizmin e tyre në përballjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë 3 viteve të fundit. Tani është koha për të intensifikuar ato përpjekje dhe për t’i dhënë fund mënyrave të vjetra të mosndëshkimit.

SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se askush, sado i pasur apo i fuqishëm qoftë, nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, përfshirë SPAK-un, sepse duam një aleat të fortë, të sigurt dhe të begatë, dhe sepse besojmë ashtu si populli shqiptar: Shqipëria i përket BE!”, shkroi ambasadorja Kim, pikë për pikë.

Pra, shkurt, pastër dhe qartë mesazhi i SHBA konkludon në presionin pozitiv ndaj SPAK që t’i japë fund ‘akrobacive’ me dosjet e rënda në ngarkim të njerëzve të fortë, të fuqishëm apo të pasur që kanë nën hetim, dhe t’i bien drejt për të bërë drejtësi. Dhe njerëz të fuqishëm dhe të pasur këtu në Shqipëri në krye të herës janë politikanët, të cilët me zullumet e tyre ia kanë marrë frymën dhe erzin shqiptarëve për 32 viteve me radhë, duke i mashtruar, vjedhur, dhunuar dhe vrarë në shumë raste.

Pra SHBA kërkon me insistim që SPAK të bëjë detyrën për të cilën paguhet, madje paguhet dhe trajtohet fort nga partnerët tanë dhe nga shteti shqiptar, që të hetojë korrupsionin madhor, krimin e organizuar dhe veprat e tjera penale të lidhura me to. Pa bërë asnjë dallim, apo anësi politike.

Ndoshta i vetmi që një ‘sy e një vesh’ e kishte nga rezultati i zgjedhjeve dhe ‘syrin e veshin tjetër’ nga takimi i ambasadores së SHBA me SPAK dhe mesazhet e përcjella prej tij, ishte Sali Berisha, lideri ‘non grata’ u koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Madje tërë vëmendjen mund të themi, pasi rezultatin e 14 majit Berisha e dinte, humbjen me plus minuset e veta e kishte parashikuar kohë më parë. Ndaj kishte gjetur me kohë e vakt dhe alibinë e humbjes, muaj më parë, tek ‘tjetërsimi i votës nga mazhoranca’ sipas tij, dhe tek ‘të shiturit’ e PD zyrtare tek Rama.

Ndonëse kjo alibi e fundit nuk funksionoi, pasi dhe sikur votat e PD së Alibeajt ti kishte në dizpozicion, nuk arrinte as të afrohej te rezultati i PS në bashkitë më të mëdha të vendit, jo më të rrezikonte fitoren. Duke humbur në këtë mënyrë dhe ‘bastionet’ e fundit që i kishin mbetur, kryeqendrën e veriut, Shkodrën dhe vendlindjen e tij Tropojën. Fitoi thellë e bindshëm Rama në këto dy bashki përmes kandidatëve respektivë Benet Beci dhe Rexhë Byberi. Bashki të cilat i bashkohen fitores dhe në 52 bashki të tjera në vend. Pra plot 54 të fituara në 61 bashki gjithësej.

Pra Berisha s’ishte i shqetësuar për humbjen më të thellë të shënuar ndër vite nga ana e opozitës, nuk ishte i shqetësuar se e braktisën thuajse 250 mijë votues, ndërsa rivali përballë tij Edi Rama kishte ruajtur gjithë ‘paketën’ e tij të votuesve prej plus-minus 800 mijë vota, që në çdo palë zgjedhje nuk kanë lëvizur nga mbështetja për PS. Asgjë që kishte lidhje me 14 majin nuk e shqetësonte.

Berishën e ka shqetësuar mesazhi i SHBA për SPAK, sepse kërkohej t’i jepej fund mënyrave të vjetra të mosndëshkimit të “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit pa asnjë dallim ngjyrimi politik, mënyra që kanë sjellë jo vetëm mos-hetimin e vetë Berishës por as thirrjen e tij thjeshtë e vetëm për të dëshmuar. Dhe ana e kundërt e këtyre mënyrave të vjetra, është marrja qoftë dhe me forcë e tij për të dhënë shpjegime për akuzat që ka në ngarkim, që nga privatizimi i ish kompleksit “Partizani”, tek ’21 janari’, “Gërdeci’, afera e CEZ-DIA, vjedhja e floririt në Krrabë, financimi rus i PD, hetimi i pasurisë e deri tek kallzime të tjera penale në ngarkim të tij.

Pikërisht kësaj iu tremb Berisha, teksa një ditë më parë deklaroi pa u skuqur fare se koalicioni i udhëhequr prej tij “Bashkë Fitojmë” nuk kishte humbur përballë socialistëve të Ramës. Duke dhënë mesazhin e qartë se nuk ka ndërmend të mbajë përgjegjësi për humbjen më të madhe të shënuar nga e djathta në 32 vitet e ballafaqimit të saj elektoral, e mbi të gjitha nuk ka ndërmend të reflektojë për këtë humbje. Ku reflektimi i parë është që të largohet nga drejtimi i grupimit më të madh në PD, “Rithemelimi” dhe të hapë rrugën për zgjedhjen e një lideri të ri që do të ringrejë PDinë dhe të bashkojë tërë opozitën, për të qënë alternativë qeverisëse në Shqipëri.

Nuk është se po e kërkojmë ne një gjë të tillë, atë po e kërkojnë të gjithë tek Partia Demokratike, në të dy pjesët e saj. E kërkoi Tabaku, Gjekmarkaj, e kërkoi dhe vetë kandidati humbës për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi përmes kërkesës për reflektim ndaj kësaj humbjeje. E kërkuan kandidatët për kryebashkiakë që humbën më 14 maj, ndoshta u penalizuan nga votuesit thjeshtë dhe vetëm për faj të Berishës, e kërkuan më në fund dhe disa nga analistët afër tij.

E kërkuan mbi të gjitha 250 mijë qytetarët, nga Tropoja, Shkodra e deri në Konispol, të cilët refuzuan të merrnin pjesë në mbështetjen ndaj Berishës, duke qëndruar në shtëpi, apo dhënë votën për kundërshtarët dhe partitë e tjera të vogla politike. Votuan për vete dhe kundër talljes së Berishës dhe familjes së tij me demokratët.

Për të qënë korrekt me veten, por dhe me demokratët e qytetarët në tërësi, ajo që mund të themi është se Sali Berisha nuk shkulet nga drejtimi i grupimit më të madh në PD, as nga strategjia e tij e përçarjes së opozitës, thjeshtë e vetëm për të mbetur faktor politik në Shqipëri, me qëllimin e vetëm për të sfiduar SHBA dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e mbi të gjitha drejtësinë shqiptare. Mjafton të mbetet në lojën politike si drejtues i një grupimi, qoftë dhe në humbje, qoftë dhe me pak mbështetje.

E ka ndarë mendjen për këtë dhe duke qënë se Berisha nuk e njeh marshin ‘indietro’ askush të mos shpresojë që ta shohë një ditë të bukur që të dalë dhe të deklarojë largimin e tij përfundimtar jo nga drejtimi i “Rithemelimit” por përfundimisht nga politika. Pasi kreun e grupimit më të madh në PD e kërkon vetëm për një qëllim: për ta përdorur si mburojë politike përballë akuzave që ka në ngarkim, për zullumet e kryera në 32 vite në krye të kupolës politike në vend, qeverisje ose jo. I nevojitet sot më shumë se kurrë, teksa 14 maji vertetoi dhe njëherë se opozita sa të ketë në krye të saj Berishën, jo vetëm që nuk vjen kurrë në pushtet, por do të shkojë drejt shuarjes.

Mesazhi i SHBA për SPAK jo vetëm që e ka frikësuar atë, por shpresojmë që të ketë motivuar dhe t’u ketë dhënë zemër sgë prokurorëve të Posaçëm që të bëjnë detyrën: Ta thërrasin sëpaku për të dëshmuar Berishën për të gjitha ato akuza që janë nën hetim në këtë institucion të lartë drejtësie. Të marrë dënimin që meriton nëse konsiderohet i fajshëm, të pastrohet nga të gjitha akuzat, nëse nuk ka asnjë faj. Nuk paragjykojmë asgjë.

Ajo që parashikojmë është se në të dyja rastet, PD do të shpëtojë nga makthi i Berishës. Nëse shpallet i fajshëm izolohet në ‘shtëpinë pa qira’, nëse shpallet i pafajshëm atëherë merr fund makthi i tij për futjen në burg, bie kauza e mbajtjes peng të opozitës për hallin e tij personal, e për pasojë dhe interesi i tij për të qënë me patjetër në krye të grupimit më të madh në PD.

Pra hapet rruga për zgjedhjen e një lideri të ri, jo nga këta që janë rritur nën hijen e Berishës, madje as Lulzim Basha që mund të rikthehet, por një lider i fortë dhe i papërlyer që të përbashkojë dhe ringrejë PD dhe opozitën për të pretenduar pushtetin. Qoftë dhe një grua politikane që mund të jetë e pëlqyeshme nga të gjitha palët në PD, përjashtuar ata që kanë lëvizur si ‘kiu fiu’ sa në një cep në tjetrin.

Ndaj themi se SPAK ka në dorë që të bëjnë drejtësi. Fundja drejtësia e re u ngrit për të pastruar politikën nga njerëzit e korruptuar! Sa për Ramën, ndoshta është njeriu më i interesuar që Berisha të vijojë të qëndrojë në krye të opozitës më të madhe në vend. E ka një ‘aset’ të vyer politik, tabelë të lehtë ‘qitjeje’ dhe me të përballë do të qëndrojë në pushtet, pa u lodhur për vite e vite me radhë, derisa të mërzitet!

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ledina: 18/05/2023 02:28

    Bravo, shkrim brilant: tashme topi eshte ne fushen e SPAK-ut. Shpresojme shume qe kesaj radhe me ne fund te fitoje sistemi demokratik dhe shteti ligjor ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë