Mesazhi i të vrarit në Siri: Kaq
paskam pas ymër, po takoj Allahun

Mesazhi i të vrarit në Siri: Kaq<br />paskam pas ymër, po takoj Allahun
PRISHTINË - “Amanet fëmijët, kaq paskam pas ymër, tash po takohem me Allahun”, ishte mesazhi i fundit që e mori gruaja e F.S. (42 vjeç), nga Prishtina, i vrarë ditë më parë në Siri. Ky mesazh asaj i erdhi të hënën rreth orës 16:00.

Familja i ka hapur të pamën në një shtëpi maje “Taslixhes” në kryeqytet. Ata po presin ngushëllimet për djalin e tyre të rënë në Siri edhe pse trupi i tij nuk dihet ku është. Konfirmimin për vdekjen e tij familjarët thonë se e kanë marrë “përmes do lidhjesh”, nga të tjerë që ishin me të në qytetin Alepo të Sirisë ku edhe ishte vrarë. F.S. ka lënë në Kosovë gruan dhe dy fëmijët e tij, vajzën 9 vjeçe dhe djalin 7 vjeç, të cilët vijojnë shkollën në Prishtinë.

Sipas familjarëve, babait, vëllait dhe të afërmve tjerë, ai kishte qenë edhe më herët në Siri. Ishte kthyer, por kishte shkuar prapë, sepse nuk i qetësohej shpirti në këtë dhe.

Herën e parë kishte qëndruar në Siri katër muaj, ku fillimisht i kishte kryer disa trajnime ushtarake atje, pastaj ishte futur në luftë. Ai pas katër muajsh ishte kthyer në Kosovë .

Kishte  falur edhe një pjesë të shtëpisë së tij dhe tre ari truall që të ndërtohej një xhami për të cilën dëshmonin shtyllat e betonit pasi ndërtimi u ndalua nga inspeksioni ndërtimor. Në familje kishte qëndruar rreth një muaj por, nuk ishte ndjerë i qetë duke parë vazhdimisht masakrimet e grave dhe fëmijëve që po ndodhnin në Siri.

Ishte i qetë dhe shumë human, sipas përshkrimit që i bënin të afërmit e tij.

Ai para një kohe kishte hapur edhe gjelltoren për ushqim falas për të varfërit, aty afër tregut të gjelbër në Prishtinë, të cilën për një kohë e kishte mbajtur me donacione të ndryshme. Ishte shpirti i huaj, edhe teshat e shtatit ishte i gatshëm t’i jepte për nevojtarë.

Para gjashtë muajsh kishte vendosur të nisej prapë në rrugën e vdekjes, atë të Sirisë. Madje u kishte thënë se nuk kthehet më, vetëm nëse arrin ta çojë deri në fund qëllimin e tij.

Edhe para tre muajsh ai ishte plagosur, por s’e kemi ditur. Nuk i ka treguar askujt, as familjes së ngushtë.

“Kam folur vazhdimisht në internet, por nuk e kam ditur që është i plagosur” thotë  babai duke iu dridhur buza.

Ata nuk e kanë ndërmend njëherë që ta kërkojnë trupin e djalit, për ta kthyer e varrosur në Kosovë. Mbase edhe për atë se ata mbesin aty ku kanë rënë. Familjarët, përkundër dhimbjes së madhe për humbjen e djalit të tyre, thonë se ndjehen krenarë me të, sepse e ka ndjekur idealin e tij dhe e ka çuar deri në fund, duke dhënë edhe jetën.

Babai i tij megjithatë lutet që, edhe pse djali i tij është vrarë, të mos ketë kosovarë të tjerë që i ka ndjekur i njëjti fat, sepse sipas informatave që ata i kanë, në grupin e përfshirë në këto sulme në fillim të kësaj jave në Alepo ka pasur edhe shumë kosovarë të tjerë që kishin shkuar në Siri për t’iu bashkuar opozitës për rrëzimin e presidentit Bashar Al Assad.

Sipas detajeve që i di familja, në bazë të komunikimit me djalin e tyre, rreth 150 kosovarët në Siri ishin në Alepo, ku ndodhi edhe ofansiva e madhe e pak ditëve më parë, që ende nuk dihet sa i la të vrarë por emrat nuk po i japin përnjëherë.

Atje nuk po dihet kush me kë lufton dhe as kush mund ta ketë kryer këtë sulm, sepse përveç ushtrisë së shtetit sirian janë edhe tri grupe tjera luftuese: opozita revolucionare, e cila që nga fillimi ka pasur për qëllim rrëzimin e Assadit, Al Nusra, organizatë e lidhur dhe e financuar nga organizata e cilësuar si terroriste Al Qadea, dhe grupi i njohur si “Shteti Islam i Irakut dhe Levantit”, grup ky i shkëputur nga Al Nusra dhe të cilët, siç spekulohet,  e luftojnë njëri- tjetrin, opozitën dhe forcat qeveritare në të njëjtën kohë. Një mish-mash i vërtetë, ku askush nuk e di se nga kush të ruhet e me kë është.

Kosovarët që nisen për në Siri, shkojnë me qëllimin për t’iu bashkuar forcave opozitare, sepse veprimet e grupeve luftuese të lidhura me Al Qadea-n i konsidrojnë si anti islame por a kanë arritur të gjithë të takohen me forcat opozitare pasi kanë shkuar në Siri, mbetet një mister, që lë të hapur mundësinë që  të jenë takuar dhe të kenë hyrë në grupet tjera.

Në cilin grup ishte dhe në ç’rrethana humbi jetën tash i ndjeri F.S. as familja e tij nuk mund të thotë me siguri. Sidoqoftë, vëllai i tij me bindje thotë se nuk ka qenë me Al Qadea-n për të cilën ai thotë se as që ka të bëjë me islamin.

Sipas të afërmve që ishin prezentë në të pame, edhe gruaja e të ndjerit ka të njëjtat ideale fetare sikur bashkëshorti tashmë i ndjerë dhe praktikon rregullat

Karriga e mbuluar me peshqir dhe e vendosur para derës, si  shenjë se ka të pame, ishte  vendosur aty pa një fotografi të të ndjerit, siç ndodhë në shumicën e rasteve.

Madje, thotë i ati, sipas rregullave të reja dhe parimeve të përqafuara nga djali për të cilën priste ngushëllime,  as karriga nuk duhet të qitet para dyerve por ai këtë megjithatë e kishte bërë, së paku si shenjë se kishte hapur të pame.

Nuk ishte vetëm karrigja, ajo të cilës i mungonte fotografia. Babai i të ndjerit tregoi se tashmë në shtëpinë e tyre nuk ka asnjë fotografi. Janë hequr të gjitha, as fotografitë e gjyshit, babës, nënës, asgjë. Djali i kishte hequr të gjitha fotografitë tjera që kishin qenë të vendosura në shtëpinë e tyre, sepse sipas tij,  një gjë e tillë është haram, diçka që nuk përkonte me rregullat e fesë islame.

Marrë nga "Zëri"

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar