A1 Report ka shkuar në gjimnazin “Sami Frashri” në kryeqytet ku mungon sistemi i ngrohjes. Drejtoresha Rajmonda Kanina tregon për kamerën e A1 Report se si është situata në këtë shkollë.
“Në shkollën tonë si në të gjitha shkollat pothuajse mungon sistemi i ngrohjes qendrore. Me iniciativën e Këshillit të Prindërve dhe Senatit të klasave në çdo klasë është siguruar një ngrohje provizore nëpërmjet rezistencave të ndryshme e cila nuk e përballon këtë të ftohtë. Situata në klasa nuk është e përshtatshme për zhvillimin komod të orës së mësimit”, - shprehet drejtoresha Kanina.
Nxënësit ngrohen më furnela elektrike, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme pasi korridoret dhe ambientet e tjera të shkollës janë të ftohta.
Në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” edhe pse kaloriferët janë të montuara, nuk ka pasur ngrohje deri në ditën e sotme, pasi është dashur që të ndryshohet lënda djegëse nga ajo naftë në tallash.
Edhe nxënësit e shkollës “1 Maj” ngrohen me rezistenca elektrike, por kjo është një nga shkollat më të ftohta në kryeqytet si rezultat edhe i pozicionimit të saj. Agron Gabo mësues i histori-gjeografisë në këtë shkollë shtron pyetjen se përse çdo vit kemi të njëjtën situatë problematike me ngrohjet në shkolla.
“Në gjithë këto vite e njëjta situatë, nuk ka marrë zgjidhje ky problem. Në këtë kuadër do t’i thoja edhe kryebashkiakut aktual edhe ata që do të vijnë pas, mos të premtojnë shumë gjëra, minimalisht të vendosin ngrohjet nëpër shkolla dhe kanë bërë shumë kaq edhe kaq po bënë shprehet”, -profesor Gabo.
Situata më problematike është në shkollën “9 Janari” ku jo vetëm që mungon ngrohja por ka edhe mungese të energjisë elektrike si rezultat i mbingarkesës së linjës nga ngrohësit elektrik. Kështu disa prindër janë detyruar që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Në kopshtin “Nënë Tereza” në kryeqytet është e njëjta situatë, edhe aty kaldajat nuk punojnë, kështu mësues e fëmijë janë detyruar që të sigurojnë mënyrat alternative të ngrohjes.
"Megjithëse nuk ka pasur kaldaja, kanë ardhur stafi për ta rregulluar, prindërit na kanë sjellë rezistenca,kemi pasur edhe vetë kopshti më parë dhe nuk e kemi ndjerë të ftohtin”, shprehet Margarita Jashari, edukatore në kopshtin “Nënë Tereza”.
Bashkia Tiranë e kontaktuar për këtë situatë emergjente në shkollat, çerdhet dhe kopshte e kryeqytetit fajëson qeverinë për bllokim të buxhetit. Deri në momentin e zgjidhjes së këtij ngërçi mes bashkisë dhe qeverisë do të jenë fëmijët të cilët do të përballen me të ftohtin.
Reagimi i Bashkisë së Tiranës pas interesimit të Shqiptarja.com
Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se:
Ne 3 vjet Bashkia e Tiranës ka instaluar 42 impiante të reja ngrohjeje ne shkollat, kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit. Nga 69 impiante ngrohëse që ishin në vitin 2011, sot janë 111 të tilla.
Në buxhetin e 2014 u parashikua zë i veçantë për të instaluar impiante ngrohje në të gjitha kopshtet dhe çerdhet dhe në 95% të shkollave.
Bllokimi i buxhetit me urdhër politik nga kryeministri Rama i cili u zhbllokua me vendim gjykate bëri të pamundur realizimin e këtij projekti brenda viti 2014.
Procesi i tenderimit për instalimin e sistemit të ngrohjes është drejt përfundimit dhe dimri i vitit te ardhëm do të gjejë shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Tiranës të kompletuara me sisteme ngrohje.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)