Për herë të parë në histori PSG mund Manchester Cityn. Në fitoren 2-0 të francezëve ndaj skuadës së Pep Guardiolës la shenjën e tij edhe Leo Messi. Ylli argjentinas gjeti golin e parë me ekipin e ri duke shënuar të dytin e sfidës së vlefshme për grupin A të Champions League. Golin e parë e kishte shënuar Gueye ndërsa PSG kryeson grupin me katër pikë e City mbetet me tre të tilla.
Belgët e Klub Bryzh bënë surprizën duke triumfuar në Gjermani 2-1 ndaj Lajpcig dhe ndodhen në kuotën e katër pikëve. Golat u shënuan nga Vanaken dhe Rits.
Ashtu si në ndeshjen e parë edhe në të dytën Milani u përmbys dhe pësoi humbjen e dytë në grupin B duke mbetur në vend të fundit pa pikë. Kuqezinjtë u mposhtën 2-1 nga Atletico Madrid në “San Siro”. Leao kaloi në delir tifozët vendas duke kaluar Milanin në avantazh por Kessie u ndëshkua me të kuq kur kishin kaluar 30 minuta lojë dhe spanjollët në fund përmbysën gjithçka me golat e Griezmann e Suarez me penallti. Në kampin italian kritikojnë vendimet e arbitrit turk ndërsa Atletico ngjitet në kuotën e katër pikëve.
Kryesimin e grupit B të Champions me pikë të plota e mori Liverpool që i dha një shuplakë Portos. Anglezët fituan 5-1 në Portugali me golat e shënuar nga treshja sulmuese. Nga dy herë e tundën rrjetën Salah e Firmino e një gol e shtoi Mane.
E pabesueshme ajo që ndodh në grupin D ku kryesojnë me pikë të plota debutuesit e Sherif Tiraspol. Moldavët turpëruan Real Madrid brenda në Bernabeu duke fituar 2-1 dhe marrin fitoren e dytë radhazi duke komanduar grupin përpara Realit e Interit.
Zikaltërit nuk e thyen dot mallkimin Shakhtar. Interi barazoi pa gola ndaj ukrainasve në Kiev dhe u kënaq vetëm me një pikë. Vendimtare për zikaltërit do jenë dy sfidat radhazi me moldavët e Sherif .
Ndërsa në grupin C me pikë të plota janë Dortmund e Ajax. Gjermanët e mposhtën 1-0 Sportingun e Lisbonës me golin e Malen.
Ndërsa Ajax në Amsterdam fitoi 2-0 ndaj Beshiktash dhe e kryeson grupin falë golavarazhit.
Përgatiti Andi Kapxhiu