Lionel Messi arrin një rekord fantastik në fitoren 5-0 të Barcelonës ndaj Leganes. Katalanasit gjetën “shërim” në Kupën e Mbretit duke fituar me goleadë ndaj Leganes dhe avancojnë në fazën çerekfinale. Francezi Antoine Griezmann hapi llogaritë shumë shpejt që në minutën e katërt dhe më pas shënuan edhe Lenglet, Arthur dhe dy gola kapiteni Leo Messi që realizoi golin e tretë dhe të pestë të ndeshjes.
Argjentinasi vendos një rekord duke arritur plotë 500 fitore me ngjyrat e Barcelonës në 710 ndeshje të zhvilluara. Llogaria i bie që Messi me ngjyrat e katalanasve ka fituar 7 ndeshje në 10 dhe debutimin e ka bërë që kur ishte 17 vjeç në vitin 2004. Me dy golat e mbrëmshëm në Camp Nou ndaj Leganes Messi ka shënuar 612 në 710 ndeshje një mesatare e frikshme.
Surpriza më e madhe e fazës së 1/8 të Kupës së Mbretit ishte eliminimi i Sevillas nga Mirandes. Ekipi i kategorisë së dytë fitoi 3-1 dhe i dhuroi vetes kalimin mes 8 më të mirave. Dygolësh shënoi Aias dhe një gol tjetër shtoi Rey .I pavlerë ishte goli i Nolito për Sevilla që eliminohet nga Kupa./ Nga Andi Kapxhiu