Aplikimet për Provimin e Shtetit në profesionin e mësuesit, sezoni XXI, do të kryhen online në platformën e-Albania nga 7 deri më 14 prill 2026. Kandidatët duhet të ngarkojnë dokumentet përkatëse dhe të ndjekin të gjitha fazat e aplikimit, sipas udhëzimeve të publikuara nga QSHA.

“Aplikimi është i hapur në platformën E-Albania nga 7–14 Prill 2026 dhe për këtë provim mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses praktikën profesionale, ata që nuk kanë kaluar ose nuk janë paraqitur në sezonet e mëparshme, si dhe mësuesit që janë në marrëdhënie pune dhe kanë përfunduar studimet master”, thuhet në njoftimin e publikuar Ministria e Arsimit.

Dokumentet që duhet të ngarkohen gjatë aplikimit

Diplomën ose diplomat e programit të studimeve për profesionin përkatës;

Dëshminë e përfundimit me sukses të praktikës profesionale, të lëshuar nga institucioni kompetent;

Në raste të veçanta, dokumente shtesë si:

vërtetimi për njohjen dhe njësimin e diplomës nëse studimet janë kryer jashtë vendit;

dokumentacion nga institucioni përgjegjës për arkivat për diplomat e lëshuara nga institucione të arsimit të lartë të mbyllura.

Pas shqyrtimit të aplikimit, kandidatët do të marrin njoftimin e pranimit nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP).

Pagesa dhe konfirmimi i aplikimit

Vetëm pas njoftimit të pranimit nga DRAP, kandidatët duhet të kryejnë pagesën për llogari të QSHA-së dhe të ngarkojnë faturën në sistem brenda 72 orëve. Dokumenti i pagesës duhet të ruhet në format PDF me emërtimin “pagesa”. Pas ngarkimit të pagesës, kandidatët duhet të presin konfirmimin përmes email-it nga QSHA, si dhe publikimin e kalendarit dhe orarit të provimit.

Si njoftohen kandidatët

Statusi i aplikimit mund të ndiqet në çdo fazë përmes:

postës elektronike;

platformës e-Albania, në rubrikën “Hapësira ime - Mesazhet e mia”;

kodit unik të gjurmimit të aplikimit.

Rregullat gjatë zhvillimit të provimit

Kandidatët duhet të paraqiten pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar, të pajisur me kartë identiteti ose pasaportë origjinale.

Gjatë zhvillimit të provimit ndalohet:

përdorimi i telefonit celular apo mjeteve të tjera të komunikimit;

komunikimi me kandidatët e tjerë;

lëvizja jashtë vendit të përcaktuar për provim;

pirja e duhanit dhe konsumimi i ushqimit në ambientet e provimit.