Mësuesit emërohen me provë
para 4 kolegëve, vendos drejtori

Mësuesit emërohen me provë<br />para 4 kolegëve, vendos drejtori
TIRANE-Mësuesit e rinj do t’u nënshtrohen rregullave më të forta nëse duan të fitojnë një vend pune. Ata do të futen në konkurs, duhet të kenë dy rekomandime pozitive nga mësuesit me të cilët kanë bërë praktikën, do të vlerësohen për metodat e mësimdhënies si dhe do të vëzhgohen nga mësuesit më të mirë të profilit, në dy orë mësimore.

Nga pikët që grumbullojnë, në të gjitha këto faza të testimit, komisioni i vlerësimit që është i përbërë nga katër anëtarë, ia dërgon dy kandidaturat më të mira drejtorit të shkollës. Por është sërish drejtori i shkollës që vendos kë do të marrë në punë. Ndërkohë që udhëzimi i firmosur më 19 gusht nga ish ministri Tafaj, përcakton se nëse konstatohet se mësuesit bëjnë kurse private me nxënësit e tyre ose të shkolës, merret masa e largimit nga puna.

Përzgjedhja

Sipas udhëzimit komisioni i vlerësimit përbëhet nga një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve, që janë sa më afër profilit të mësuesit që kërkohet. Komisioni shqyrton, mangësitë e mundshme në dokumentacionin e aplikimit dhe liston aplikantët me dokumentacionin e plotë dhe të saktë, të cilët do të vlerësohen nga komisioni.

Aplikantët, që nuk pranohen, njoftohen me shkrim për mangësitë në dokumentacion. Gjithashtu ai vlerëson me pikë aplikantët e pranuar, interviston secilin për metodat e tij të mësimdhënies e nxënies dhe çdo anëtar e vlerëson me pikët nga 1 në 10 si dhe vëzhgon dy orë mësimore të zhvilluara nga secili aplikant dhe çdo anëtar e vlerëson me pikët nga 1 në 20. Komisioni mbledh piket e secilit aplikant, veçon dy me më shumë pikë, duke përcaktuar kështu dy kandidatet për vendin e lirë të mësuesit. Brenda një dite, komisioni shpall, tabelat e pikëve të secilit aplikant. Më pas kryetari i komisionit i dorëzon drejtorit paketat e aplikimit dhe vlerësimet me pike të dy kandidatëve.

Drejtori shqyrton dokumentacionin e kandidatëve dhe interviston secilin kandidat në prani të nëndrejtorëve dhe, në mungesë të tyre, në prani të kryetarëve të ekipeve lëndore. Brenda dy ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit nga komisioni, drejtori shpall  mësuesin e përzgjedhur prej tij. Drejtori pret dy ditë për ankimimet e mundshme dhe, me kalimin e afatit, brenda një dite emëron mesuesin. Vendimi për emërim i dërgohet për njoftim titullarit të njësisë arsimore vendore, ësuesit të sapoemëruar dhe kryetarit të komisionit.

Largimi nga puna

Drejtori e largon mësuesin nga institucioni arsimor publik në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente për rastet e mëposhtme: Falsifikim i dokumenteve zyrtare; Ushtrim i dhunës fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit arsimor; Ngacmim seksual nxënësve ose punonjës të institucionit; Përvetësim i fondeve financiare ose materiale të institucionit; Kurse me pagesë me nxënësit që mëson ose me nxënësit e shkollës së tij; Marrje ryshfet; Dhënie kopje ose lejim i të kopjuarit në provimet kombëtare.

Drejtori e largon mësuesin nga institucioni arsimor publik për mosarritje të nxënësve të tij. Drejtori konsultohet me komisionin para se të vendosë për largimin e mësuesit. Komisioni shqyrton provat që drejtori i paraqet. Kur shumica e komisionit nuk i konsideron të mjaftueshme provat, drejtori grumbullon prova të tjera ose anulon largimin e mësuesit, ose i jep mësuesit 6 muaj provë.
 
Dosja e aplikimit për mësues
 
CV dhe kopjet që dëshmojnë pohimet në CV.
 
Tabela e të dhënave për aplikant
 
Raporti mjeko-ligjor
 
Dëshmia e masave disiplinore në fuqi në ngarkim të tij. (Nëse nuk
ka, e deklaron me shkrim që nuk ka)
Dëshmia e penalitetit.
 
Dy rekomandime nga mësues ose drejtorë të institucioneve arsimore që kanë punuar me aplikantin
 
Dokumentacioni i aplikimit, dorëzohet pranë drejtorisë së
institucionit arsimor
 
Shkrimi u publikua sot (01.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Në një dekadë Shqipëria “humbi” 300 mijë të rinj! Eksperti: S’ka meritokraci, nuk promovohen në punë

Në një dekadë Shqipëria “humbi” 300 mijë të rinj! Eksperti: S’ka meritokraci, nuk promovohen në punë