Feston 7 Marsin për herë të katërt! Mësuesja 24-vjeçare flet për profesionin mes dy 'dashurive': Mosha e re, favor për të kuptuar nxënësit

Feston 7 Marsin për herë të katërt! Mësuesja 24-vjeçare flet për profesionin mes dy 'dashurive': Mosha e re, favor për të kuptuar nxënësit

Romina Bejko

TIRANE - Është vetëm 24 vjeç, por ky është 7 Marsi i katërt që feston. Romina Bejko është mësuese e lëndës së frëngjishtes në një shkollë në kryeqytet, por orët e para të mësimit i ka dhënë që në bankat e fakultetit, në një qendër kursesh. Pasioni i saj lidh dy dashuri të cilat ka nisur t'i ketë përzemër që në fëmijëri. E para është mësimdhënia, ndërsa e dyta është gjuha frënge të cilën e cilëson si një art të gjuhës së folur. Sot ka arritur t'i bëjë bashkë këto dy pasione, duke i kthyer në profesionin e saj të përditshëm. Në një intervistë për Shqiptarja.com ajo tregon se gjatë mësimdhënies i pëlqen të ushtrojë metoda të reja sa më interaktive për ta bërë sa më të lehtë shpjegimin, duke dashur të bëjë një diferencë me atë tradicionale, qoftë edhe përmes lojërave të vazhdueshme në orën e mësimit. Moshën e re në të cilën ka nisur profesionin e bukur të mëuesisë, Romina nuk e konsideron dobësi por një favor për të qenë sa më pranë psikologjisë së nxënësve me të cilët ka të bëjë çdo ditë. Duke parë veten si në anën të kundërt të karriges ku qëndron sot, si një nxënëse thotë se ka arritur të marrë më të mirën nga shumë mësues dhe pedagogë prej të cilëve ka mësuar përgjatë viteve.

Brezit të ri që studion në bankat e Fakultetit pa qenë të sigurt për të ardhmen që i pret, Romina i thotë se duhet të vazhdojë të punojë për atë që do, pasi asgjë nuk është e pamundur, por nga ana tjetër nuk vjen as lehtë.

Pse e keni zgjedhur profesionin e mësuesisë? Gjatë punës suaj me persona më rritur ne moshë, a keni pasur tendencën të përshtateni me metodën tradicionale apo të sillni metoda dhe teknika të reja?

Në radhë të parë më pëlqen mësimdhënia, më pëlqen të njoh dhe ushtroj metoda të ndryshme të mësimdhënies në mënyrë sa më efektive për nxënësit, duke qenë se vetë kam qenë dikur një nxënës dhe i kemi parë gjërat dhe në këndvështrimin e tyre dhe e di se jo të gjitha metodat e mësimdhënies janë efektive apo të përshtatura për nivele të ndryshme të të nxënit. Dëshira e parë ka qenë të bej diferencën me metodat tradicionale duke e ndërthurur me metodat te reja me interaktive ku ndër to është dhe mësimdhënia me ane te lojërave të ndryshme.

Si arrini të fitoni vëmendjen e nxënësve ne klasë, duke qenë se autoriteti moshor nuk është pika juaj e fortë?

Ne fakt është e kundërta, fakti që jam mësuese në një moshë relativisht të re me jep avantazhin të jem dhe të kuptoj botën e tyre pak më shumë duke e përdorur këtë gjithashtu në efekt të mësimdhënies dhe deri më tani kanë rezultuar shumë të mira. Diçka tjetër që kam kuptuar nga fakti te qenit një mësuese në moshë të re përballë një rinie të zellshme është gjithashtu lirshmëria në të shprehur të mendimeve apo opinioneve të ndryshme.

Në çfarë klasash jepni mësim dhe cilat janë klasat ku keni hasur më shumë vështirësi dhe tek të cilat je më e natyrshme në një orë mësimi?

Vështirësia në klasa qëndron vetëm tek të pasurit nivele të ndryshme dhe ne si mësues duhet të përgatisim materiale të veçuara për nxënës të ndryshëm por sigurisht dhe aspekti moshor është një sfidë më vete. Duke filluar që nga mosha 5 vjeçare e deri 12 është një moshë e cila kërkon shumë përkushtim jo vetëm në mësimdhënie po edhe në aspekte të tjera pasi siç dihet të qenurit mesuese nuk është vetëm nje profesion por janë disa profesione te ndërthurura bashkë ku ndër to është të qenurit psikolog, të njohurit e personalitetit të nxënësit....pra kërkon një lloj energjie dhe informacioni të bollshëm. Dhe kjo moshë i kërkon të gjitha. Për sa i përket moshave 15-18 mund të them se mësidhënia është një lloj bashkëpunimi, bisedimi dhe kreativiteti mes nxënësve.

A ka pasur një mësuese që ka lënë mbresa tek ju dhe sot e përdorni si pikë reference në karrierën tuaj?

Sigurisht, mendoj se gjithsecili nga ne ka një mësues “model” të cilin e kujtojmë gjithmonë dhe për disa prej nesh ka qenë dhe udhërfyesi jonë drejt të ardhmes. Për mua nuk ka qenë vetëm një, kanë qenë disa duke filluar që nga gjimnazi dhe deri ne universitet. Kam pasur fatin te kem mësues dhe pedagoge shumë të kualifikuar dhe mendoj se prej tyre jam sot këtu.

A i nxisni nxënësit që të mësojnë duke i kujtuar sa të zellshëm janë shokët, apo jeni kundër kësaj metode?

Nuk mendoj se krahasimi midis nxënësve është një metodë efektive për të nxitur nxënësit të  mësojnë, pasi siç e dimë ekzistojnë disa lloje të ndryshme të të nxënit të mësimit, disa nxënës mund të jenë në gjendje të nxënë më shpejt se disa të tjerë, por kjo s'do të thotë se pjesa tjetër nuk është e aftë të mësojë, prandaj ekzistojnë metoda të ndryshme ku mësuesi është ai qe duhet t'i përdorë duke vëzhguar progresin e mësimnxënies.

Çfarë këshille do t’i jepni brezit të ri që nisin të studiojnë duke pasur me vete vetëm pasionin dhe asnjë shtyllë ku ta mbështesin nisjen e karrierës së tyre?

Mësuesi ndër të tjera është gjithashtu një guidë për nxënësit dhe gjatë viteve se mësimdhënie përpiqemi t'i orientojmë të marrim vendimet e duhura. Vështirësia e ndërtimit së ardhmes nuk është e lehtë për brezin e ri dhe as për ne nuk ka qenë, por do t'i thoja brezit të ri atë që i them dhe nxënësve të mi, pyeteni veten se çfarë doni të bëni në të ardhmen, ëndërrojeni të ardhmen dhe punoni për ta arritur. Mjafton të kërkoni me ngulm atë që doni.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)