Mësuesja shqiptare në Dubai:
Fëmijët e pasur s’kanë dashuri

Mësuesja shqiptare në Dubai:<br />Fëmijët e pasur s’kanë dashuri
Ajo është Besiana Hoxha, dhe është 22 vjeç. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega anglisht.

Nga të gjithë shoqëria njihet si një vajzë mjaft energjike, me ide dhe vullnet të madh për të ndryshuar jetën e saj.

22-vjeçarja nga Tirana për momentin jeton në Dubai, pasi atje ka ndërtuar jetën e saj dhe punon si mësuese për fëmijët parashkollorë.  Ajo e adhuron jashtëzakonisht shumë këtë punë.

Gjatë kohës që jetonte në Shqipëri, ajo ka punuar si mësuese anglishteje falas për fëmijët e braktisur nga familja.

Por pas disa punësh të tjera që atë e ndihmuan të fitonte eksperiencë, Besiana vendosi të provonte fatin e saj, shumë larg Shqipërisë.

Ajo aplikoi për mësuese në Dubai, dhe mes qindra aplikantëve ia doli të fitonte atë punë shumë të dëshiruar.

Në një intervistë për Shqiptarja.com, Besiana tregon gjithë ekperiencën e saj, vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre 2 viteve në Dubai por edhe gjërat e bukura që kjo punë i ka sjellë.

Ajo tregon gjithashtu edhe planet që ka për të ardhmen dhe mundësinë e një kthimi sërish në Shqipëri.

[gallery]19954[/gallery]

Kur ju lindi dëshira dhe ideja për të aplikuar për punë si mësuese në Dubai?
Në fakt unë gjithmonë jam në kërkim të diçkaje të madhe në jetën time. Pasi mbarova studimet e larta për anglisht, eksperimentova në disa lloj punësh, por më pas vendosa të bëj diçka ndryshe. Doja edhe të largohesha për një periudhë kohe nga Shqipëria, dhe kur më erdhi mundësia për të aplikuar, nuk hezitova për asnjë moment. Dubai më pas erdhi rastësisht, por që kush nuk do të donte që rastësisht jeta ta çonte në një ndër vendet më të bukura në botë.

Sa të vështirë e kishit për t’u përshtatur?
E kisha goxha të vështira, pasi ishte hera e parë që unë do të qëndroja larg familjes, dhe që jetoja e pavarur. Por me kalimin e kohës u ambjentova edhe me idenë e të qënurit larg familjes, larg shoqërisë, edhe larg vendit tim. Një gjë tjetër që më është dashur kohë të përshtatem kanë qenë temperaturat shumë të larta që janë këtu në Dubai. Por që edhe me ato jam ambjentuar, dhe tashmë nuk mund të duroj dot një vend të ftohtë.

Çfarë ndryshimesh ke vënë në dukje me fëmijët shqiptarë dhe ata që jetojnë në Dubai?
Ndryshimet janë të dukshme në sjelljen e fëmijëve. Këtu fëmijëve u plotësohet çdo gjë nga më e thjeshta tek më luksozja dhe si pasojë, fëmijët janë të ledhatuar në maksimum dhe nuk i pëlqen kur dikush kërkon t'i disiplinojë. Mbase kështu ndodh dhe me fëmijët shqiptarë, por vetëm me disa prej tyre. Shumica e fëmijëve shqiptarë janë mësuar t'i mungojnë shumë gjëra materiale, por ama nuk u mungon dashuria dhe ngrohtësia familjare, vëmendja e prindërve. Ndërsa fëmijët në Dubai e vuajnë shumë këtë aspekt. Pothuajse të gjithë fëmijët këtu rriten nga dadot e tyre dhe prindërit nuk marrin pjesë në zhvillimin e tyre.
 
Si reaguan familja juaj kur e ju i komunikuat se do të largoheshit në Dubai për të punuar si mësuese?
Në fillim më thanë kategorikisht që jo, por më pas e kuptuan që unë e doja këtë gjë dhe filluan ta pranojnë disi. Si çdo prind e kishin merak, pasi nuk është se do shkoja diku afër...por shumë larg në Lindjen e Mesme. Por sot ata sigurisht që janë mbështjetja ime më e madhe, pavarësisht se ju mungoj shumë dhe ata mua.

Pse nuk punuat në Shqipëri si mësuese po zgjodhët Dubain?
Kisha nevojë për një eksperiencë të re dhe që sigurisht do paguhesha shumë më mirë. Pastaj edhe vendi ka të bëjë shumë, nuk mendoja ndonjëherë që do të shikojë bukuri të tilla siç kam parë tani gjatë qëndrimit në Lindjen e Mesme.

A merrni dhurata nga prindërit e fëmijëve?
Në raste festash, disa prindër dhurojnë për tërë stafin por personalisht akoma nuk kam marrë një dhuratë të veçantë nga prindërit e nxënësve të mi.

Vajza apo djem ke më shumë në klasë?
Më shumë në klasën ku unë jap mësim, ka djem për hir të së vërtetës.

Të ftojnë familjet e pasuara në darka?
Jo, unë personalisht nuk kam qenë asnjëherë e ftuar në darka të tilla. Po ashtu edhe koleget me të cilat kam komunikim nuk kanë qenë pjesë e darkave në familjet e nxënësve që mësojmë.

Ka shqiptare të tjera, dhe nga janë koleget e tua?
Jemi 11 shqiptare që punojmë këtu si mësuese në të njejtën kompani. Kjo në fakt është diçka shumë pozitive për mua, pasi jemi bërë një grup shqiptarësh që qëndrojmë bashkë edhe bëhet më e lehtë mungesa e njerëzve që kemi lënë në Shqipëri. Ndërsa koleget e tjera në punë janë nga Nigeria, Filipina dhe Kenia.

Si e kaloni një ditë pushimi në Dubai?
Një ditë pushimi e kaloj në fakt duke çlodhur pasi puna që bëj mund të duket e lehtë me fëmijët por që më merr një pjesë të konsiderueshme të ditës. Jam gjatë gjithë ditës në lëvizje kur jam në punë kështu që një ditë pushimi, e kaloj thjesht në shtëpi ose ndonjëherë preferoj të dal së bashku me shoqet e reja që kam njohur këtu. Fundja jemi në Dubai, në vendin e ëndrrave, kështu që qoftë edhe një shëtitje në këtë vend është thjesht e mrekullueshme.

Për çfarë ju merr më shumë malli?
Apslolutisht që më merr malli për familjen time, për shoqërinë dhe kushërirat e mia. Kam qenë shumë e lidhur me motrën, vëllain dhe kushërirat sa mezi pres të kem pushime që të kthehem në Shqipëri. Por që nuk është aq e lehtë pasi edhe biletat janë shumë të shtrenjta dhe nuk kam mundësi të vij aq shpesh sa do doja.

Për sa kohë mendoni se do ta bëni këtë punë?
Do ta bëj këtë punë deri sa të mërzitem. Unë e tillë jam, e bëj një punë me shumë pasion, dhe në momentin që do ndjej që nuk do e bëj më me dëshirë të madhe, sigurisht që do shikoj diçka tjetër. Por për momentin është çdo gjë që unë kam ëndërruar, pasi unë i adhuroj shumë fëmijët.

Kur mendoni të ktheheni në atdhe apo e shikoni jetën tuaj larg Shqipërisë?
Për momentin jam përshtatur shumë mirë dhe paguhem mirë, dhe nuk mendoj të lëviz. Por që sigurisht unë do të kthehem në Shqipëri do të punoj sërish si mësuese, dhe pse jo të përcjell të gjithë eksperiencën që unë kam fituar gjatë këtyre dy viteve në Dubai.

Jeni mërzitur ndonjëherë aq shumë sa keni menduar të largoheni?
Ka pasur momente që jam mërzitur më shumë për familjen dhe kam menduar të kthehem, por më pas kam reflektuar sepse një mundësi e tillë nuk të vjen përditë. Kam mbledhur veten dhe kam thënë që duhet edhe disa kohë të punoj këtu pastaj të rikthehem sërish.

Cila është këshilla që do i jepnit të gjithë moshatarëve tuaj, të cilët nuk kanë guximin e duhur për të marrë inisiativa të tilla?
Në fakt edhe në Shqipëri unë kam punuar dhe jam paguar shumë mirë. Nuk duhet të demoralizohemi dhe të themi në Shqipëri nuk ka punë dhe të ardhme. Edhe atje ne mund ta ndërtojmë jetën tonë me një punë shumë të mirë. Por unë thjesht kisha nevojë të bëja diçka ndryshe dhe të largohesha për të provuar veten time më shumë, pasi nuk isha mësuar të jetoja pa ndihmën e prindërve. Por sot unë mund t'ju këshilloj të gjithëve që të marrin inisiativa të tilla, pasi gjithmonë është mirë të provosh, pasi të paktën mëson gjëra të reja siç unë i kam mësuar. Kështu që provoni, pasi edhe nëse gaboni diçka do mësoni nga gabimet që keni bërë. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

SPAK goditi 7 grupet kriminale, Meta: Propagandë, të kishte vepruar para 14 majit! Ndihmuan Ramën të ‘grabiste’ Shkodrën e bashkitë e tjera

SPAK goditi 7 grupet kriminale, Meta: Propagandë, të kishte vepruar para 14 majit! Ndihmuan Ramën të ‘grabiste’ Shkodrën e bashkitë e tjera