TIRANE, 19 Nentor /ATSH/- Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta, mori pjesë të mërkurën në inaugurimin e kompanisë "Besa Agro Invest" në Fushë Krujë, një fermë moderne, e cila do të zhvillojë aktivitetin saj në fushën e bujqësisë.
Kryetari i Kuvendit shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Eduard Shalsi, Ambasadori i Izraelit, David Cohen si dhe Zv/Ambasadori i Holandës.
Ky investimi në 5 vitet e ardhshme do të kapë vlerën e 15 milionë euro dhe me një sipërfaqe 50 hektarë ku priten të punësohen rreth 500 punonjës.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit  u shpreh se, bujqësia është sektori më i avantazhuar në Shqipëri, ndërsa e cilësoi vitin 2015 si vitin e bujqësisë, blegtorisë dhe te peshkimit.
Gjej rastin, theksoi kreu i Kuvendit, të vë në duke se në të ardhmen e afërt, do të arrihet ai hop cilësor i pritshëm, pasi si asnjëherë tjetër janë krijuar kushte për një shpërthim të bujqësisë shqiptare.
Kryetari i Kuvendit tha se tani ka ardhur koha për t'i kthyer sytë të gjithë nga bujqësia, nga blegtoria nga peshkimi, sepse janë resurse të jashtëzakonshme për një rritje më të madhe ekonomike të vendit.
Meta theksoi se mbështetja e investimit, sidomos sa i takon ndërtimit të serave, është dhe duhet të mbetet një prioritet i jashtëzakonshëm, sepse në këtë mënyrë ne arrihet në një kohë të shkurtër plotësimi i kërkesës në rritje për perimet dhe për frutat shqiptare, por edhe për prodhime të tjera, të cilat po njihen dhe po kërkohen me forcë nga tregu ndërkombëtar.
Kryetari i Kuvendit tha se mbështetja për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin është mbështetje e mençur për një rritje më të lartë ekonomike të vendit dhe për mbështetjen e punësimit dhe për mirëqenien.
Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria është konkurruese veçanërisht në prodhim e perimeve të freskëta dhe të frutikulturës, prandaj dhe ky investim shkon në sinkron me këtë drejtim ku vendi jonë ka avantazhe të shprehura.
Sipas ministrit, ky investim i fondacionit "Besa" rrit ofertën aty ku është edhe kërkesa më e madhe, prandaj edhe harta e rajonizimit të prodhimit për të fokusuar pikërisht në ato prodhime bujqësore blegtorale ku Shqipëria ka avantazhe konkurruese dhe krahasuese.
"Pikërisht kjo është një indicie, një tregues dhe një udhëzues se ku ne duhet të investohemi, ku ne duhet të përdorim me eficiencë fondet publike dhe fondet e donatorëve. Prandaj kjo nismë është pikërisht shumë inkurajuese, sepse do të nxisë prodhimin e perimeve të freskëta dhe të frutikulturës në një zonë e cila tradicionalisht, edhe falë strukturave të tokës, por edhe karakteristikave të klimës, është e përshtatshme për këtë prodhim", tha  Panariti.
Ministri theksoi se paketa e bujqësisë i vjen në ndihmë investimeve, të gjithë operatorëve në fushën e bujqësisë, në agrobiznes, në përpunim, në ambalazhim, në transport me lehtësira të karakterit fiskal, për të shmangur në maksimum procedurat burokratike dhe për t'u ardhur në krah investitorëve dhe fermerëve në mënyrë që ata të zhvillohen dhe të ecin përpara. /ATSH/