Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe nga deputeti Spartak Braho mori pjesë në një iftar të shtruar mbrëmjen e djeshme në ambientet e "Hotel Grand Europa" në Shkodër, organizuar nga deputeti Agron Çela.

Ndërkaq, të ftuar ishin edhe përfaqësues nga Myftinia e Shkodrës dhe komunitetet e tjera fetare në këtë qytet, Prefekti i Qarkut Shkodër, Paulin Radovani, Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Qarkut, etj.
Pas iftarit, duke iu përgjigjur interesit të mediave në lidhje me vlerësimin e 300 ditëve të para të qeverisë, Meta  u shpreh se këto ditë konfirmuan stabilitetin e kësaj mazhorance.

"Por mbi të gjitha janë 300 ditë që kanë ndikuar në përforcimin e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, që kanë qenë mjaft kritik në fillimet e kësaj qeveria për shkak të një trashëgimie të vështirë dhe të një krize të gjatë", deklaroi Kryeparlamentari.

Në lidhje me reformën administrative-territoriale, Meta tha se ka qenë një proces mjaft i gjerë, mjaft i konsultuar dhe duhet të vazhdojë i tillë deri në minutën e fundit ndërsa shtoi se vendi i opozitës është në Parlament dhe ajo do të jetë gjithmonë e mirëpritur për të thënë fjalën e saj dhe për të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të gjitha reformat që kanë të bëjnë me vendin dhe ku roli i saj është mjaft kyç.

Ai shprehu besimin që ky sezon i parakohshëm pushimesh për opozitën të marrë fund në 1 shtator./ATSH/