Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim online me raporteren për Shqipërinë në PE Isabel Santos dhe ambasadorin e BE-së Luigi Soreca dhe në fokus të diskutimeve kanë pasur çështjen e negociatave.

Meta ka thekuar se do të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e plotë të gjitha kushteve që lidhen me integrimin e vendit tonë në BE.

" E sigurova se si President i Republikës do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit. Integrimi europian i Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërtimit të shtetit ligjor me institucione të pavarura dhe funksionale", tha Meta.

Ndërkaq Kreu i Shtetit falënderon eurodeputetn Santos për projekt rezolutën për Shqipërinë me vëmendje të veçantë tek zgjedhjet e ardhshme, shpopullimi dhe liria e medias.

"Kënaqësi të zhvilloja sot një bashkëbisedim të sinqertë e miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeten Isabel Santos, dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, zotin Luigi Soreca. Një falenderim i veçantë për zonjën Santos, për vëmendjen e posaçme që i ka kushtuar në Projekt Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cënimit të lirisë së medias në Shqipëri", shton ndër të tjera presidenti.