Meta: Ç'po ndodh me Shqipërinë
Kosovën, Ballkanin dhe shqiptarët

Më së pari z. Kryetar, më thoni ju lutem çfarë përfaqëson vizita juaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë?
Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të një forumi shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe luftën kundër terrorizimit, që do të zhvillohet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku unë jam i ftuar nga kryetari i task-forcës në këtë Kongres, kongresmeni Robert Pittenger, për të marrë pjesë edhe për të kontribuar në këtë konferencë, përveç takimeve të tjera që do zhvilloj gjatë kësaj vizite.
Shqipëria është përfshirë prej shumë vitesh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, padyshim në nismat e ndryshme rajonale ndërkombëtare, padyshim edhe nga interesi i brendshëm vendor. Sa e shihni të mundshme që të përparojë më shumë pjesëmarrja e Shqipërisë, jo vetëm në kuadrin e nismave apo me praninë e trupave ndërkombëtare?

Çfarë mund të bëjë më shumë Shqipëria?
Unë besoj se Shqipëria ka dhënë dhe jep një kontribut maksimal, duke patur në konsideratë edhe mundësitë dhe kapacitetet e saj kontribuuese. E ka bërë këtë gjë përpara se të pranohej në NATO dhe e ka bërë me shumë përkushtim dhe kjo padyshim, që ka patur ndikimin e saj edhe në anëtarësimin e Shqipërisë në këtë Aleancë. Duke forcuar akoma më tej bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara si vend udhëheqës, jo vetëm i NATO-s, por i gjithë kësaj aleance kundër terrorizmit dhe duke forcuar bashkëpunimin me gjithë vendet e rajonit tonë, unë jam i bindur që kontributi i Shqipërisë do të vijojë të rritet në mënyrë që vendi ynë, por edhe rajoni ynë të jetë sa më i mbrojtur nga kjo sfidë madhore të kohëve të sotme.
    
Zhvillimet në Lindjen e Mesme, krijimi i Shtetit Islamik midis Irakut dhe Sirisë, ka ndezur një valë të madhe të largimit të popullatës civile. Shqipëria thotë se është e gatshme të përballet me një mundësi të ardhjes së emigrantëve veçanërisht në këtë prag-dimri. Besoni se kjo do të jetë një nga temat themelore në diskutimeve tuaja në Shtetet e Bashkuara për të treguar veçanërisht gatishmërinë e Shqipërisë?
Mendoj se do të ketë tema të tjera edhe më të rëndësishme, por padyshim që kjo është një sfidë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, për kontinentin tonë, për Shqipërinë gjithashtu dhe natyrisht që edhe kjo do të ketë një temë besoj që do të diskutohet. Kjo valë emigratore, siç e përmendët edhe ju, nga këto rajone fqinje të kontinentit tonë dhe të Bashkimit Europian, ka treguar se edhe Europa është e ndjeshme dhe është e prekshme nga këto zhvillime gjeopolitike në rajonet fqinje të saj. Dhe këto janë sfida që duhen përballuar, natyrisht përmes bashkëpunimit dhe kontributit të të gjitha vendeve sipas aftësive dhe mundësive të tyre. Në këtë drejtim, edhe Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s, si një vend kandidat në Bashkimin Europian dhe që synon të anëtarësohet në këtë union, ka shprehur solidaritetin e saj dhe gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësitë e saj në rast se kjo do të jetë e nevojshme.

Z. Meta, ju si Kryetar Kuvendi tani, më parë si Ministër i Jashtëm dhe si Kryeministër, jeni përballur në vazhdimësi me zhvillimet që vijnë nga jugu dhe lindja e Europës. I përmbahet Ilir Meta pikëpamjes që rreziku vjen po themi kryesisht rajonit të Ballkanit, nga Lindja veçanërisht duke u nisur nga zhvillimet në Rusi, me Ukrainën fqinje apo nga vala emigratore siç e përmendët?
Natyrisht që këto zhvillime kanë treguar që forcimi i paqes dhe i sigurisë në rajonin tonë nuk është i vënë një herë e përgjithmonë. Mund të jetë i cenueshëm, mund të jetë i prekshëm dhe kjo nuk bën gjë tjetër përveçse përforcon domosdoshmërinë, që të gjitha vendet e rajonit tonë të bëhen anëtare të NATO-s. Do të theksoja në mënyrë të veçantë anëtarësimin e Malit të Zi, që do të ishte një kontribut i rëndësishëm për gjithë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë. Por edhe në vende të tjera, në Maqedoninë. Zgjidhja e çështjes së emrit të saj dhe anëtarësimi i Maqedonisë do të vendoste një shtyllë tjetër të fuqishme në të gjithë arkitekturën e sigurisë së rajonit tonë, por edhe njëkohësisht duhet punuar për të parandaluar dhe për të evituar konflikte të tilla cila të cilat na kthejnë pas.

Vizita juaj në Shtetet e Bashkuara përkon me të qenit të Shqipërisë në një vorbull reformash. Mund të na ndani disa fjalë ju lutem mbi përparësitë që ka reforma në drejtësi, veçanërisht kur Komisioni i Venecias do të shqyrtojë një propozim të Shqipërisë?
Ne presim të ketë një seancë, ku ekspertët ndërkombëtarë, që kanë kontribuar për draftin e bërë tashmë publik, do të bëjnë një parashtrim dhe një mbrojtje të këtij drafti. Ndërkohë, ne jemi të bindur që gjithë koha deri në momentin që do të kemi opinionin e Komisionit të Venecias do të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Kështu, e hapim këtë reformë ndaj një debati publik dhe gjithëpërfshirës të gjithë grupeve të interesit, të shoqërisë civile, të qytetarëve shqiptarë, pasi është në interesin e çdo qytetari në këtë vend, forcimi i sundimit të ligjit, funksionimi krejt ndryshe nga deri tani i gjykatave dhe natyrisht edhe efektiviteti shumë më i madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse janë parametra që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit, më cilësinë e zbatimit të ligjit, me cilësinë e funksionimit të institucioneve, por edhe me cilësinë e shërbimeve që përfitojnë qytetarët çdo ditë në këtë vend.

Në këtë vorbull reformash z. Meta është padyshim çështja e procesit  të dekriminalizmit. Sa shtysë i jepni si pjesëtar i Qeverisë, si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe padyshim si Kryetari i Kuvendit me ndikimin që mund të keni ju dhe grupi juaj i deputetëve për përfundimin e këtij procesi? A ju duket se ka një lloj shkëputje të parametrave fillestarë me disa propozime të ardhura nga opozita?
Unë shpresoj që në ditët e ardhshme të përmbyllet ky proces dhe të kemi një marrëveshje përfundimtare, pasi të dyja draftet janë pothuajse të përbashkëta në gati 95% të propozimeve. Kanë mbetur fare pak çështje për të cilat mbetet për t’u dakordësuar apo në rastin më të vështirë për të marrë një opinion të partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe për ta mbyllur këtë histori sa më shpejt, mundësisht në ditët e ardhshme, jo në javët e ardhshme, dhe në mënyrë që  të gjitha energjitë të përqendrohen pastaj tek reforma në drejtësi. Mendoj se dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi janë kyçe për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në të gjitha këto z. Meta ju përfshini  dhe çështjet e karakterit teknik, siç është shenjat e gishtave apo siç është përdorimi i testit të drogës. A janë këto vendimtare për të ecur përpara apo janë pengesë?
Besoj që të gjitha këto çështje, të cilat janë të arsyeshme dhe tashmë janë dakordësuar, edhe për çështjen e mënyrës së administrimit të shenjave të gishtave, pavarësisht se kjo është mjaft teknike, duket se është arritur një konsensus. Por përpjekja pastaj për të shtuar herë pas herë çështje të tjera  duket sikur i largohet thelbit të zgjidhjes së këtij problemi dhe kërkon pretekste për shtyrjen dhe mbajtjen gjallë të kësaj teme, e cila duhet të mbyllet një herë e përgjithmonë për politikën shqiptare.

Ilir Meta është Kryetar i Kuvendit, a është  i kënaqur ai me drejtimin që i bën legjislativit, veçanërisht duke marrë parasysh këto elementë që thoni ju, kapërcimet, anashkalimet, propozimet e ndryshme që mund të vijnë nga komisionet apo nga seancat plenare?
Mua më vjen keq sepse ka një shpenzim të tepërt të energjive në disa çështje të cilat mund të zgjidheshin në një mënyrë më racionale, me një dialog më të hapur dhe duke bërë më pak politikë të ngushtë partiake. Ajo që më vjen keq është se, fjala vjen çështja e dekriminalizimit mund të ishte zgjidhur me kohë, sepse ka qenë e mundur, por zgjatja pafund e këtij debati ka dëmtuar imazhin e vendit. Mjafton herë pas here ose përditë nga mediat tona  apo qoftë dhe  në takimet tona me ndërkombëtarët, prezantimet që bëjnë përfaqësues të partive politike shqiptare në forume ndërkombëtare, duke e  përmendur vend e pa vend, krijohet ideja sikur në Kuvendin e Shqipërisë ka vetëm njerëz të inkriminuar. Ndërkohë që Kuvendi ka dhe shumë njerëz intelektualë, ka dhe shumë zonja, ka dhe shumë të rinj e të reja, të cilët dëshirojnë që debati në Parlament të përqendrohet tek problemet e qytetarëve, të reformat që të përmirësojnë jetën e tyre dhe jo thjesht tek një retorikë helmuese dhe agresive për kriminalizimin apo dekriminalizimin.
Pra, është një paraqitje jo reale e situatës së vërtetë në vendin tonë. Megjithatë  duke qenë se kemi pasur disa probleme, të cilave nuk ka asnjë arsye që t’u shmangemi, kërkohet një zgjidhje përfundimtare. Dhe tani unë besoj se vullneti është i plotë dhe më mirë vonë, sesa akoma më vonë.

Është e nevojshme për të bërë qoftë dhe një lloj parandalimi të këtyre   elementëve që dalin në Kuvend, qoftë edhe për gjuhën që përdorin deputetë të ndryshëm, kodi etikës çfarë merr parasysh?
Patjetër. Unë kam kaq kohë që kam apeluar që të miratohet kodi i etikës dhe ua kemi paraqitur kryetarëve të grupeve parlamentare. Kemi një mbështetje, pasi është edhe një ekspertizë e ODIHR-it dhe e OSBE-së që kanë kontribuar për këtë çështje dhe në bashkëpunim me Parlamentin dhe me grupet parlamentare dhe po presim që ata të bien dakord dhe ta miratojnë me konsensus dhe kodin e etikës, sepse nuk mjafton thjesht çështja e dekriminalizimit.
Dekriminalizim do të thotë edhe një gjuhë më e përgjegjshme, më e përmbajtur në Kuvend, në gjithë komunikimin e përfaqësuesve në publik, e cila ndihmon në zgjidhjen e problemeve dhe ndihmon për të nxjerrë në pah argumentet dhe jo thjesht për të denigruar njëri-tjetrin për qëllime të politikës së ditës.

Sa mendoni z. Kryetar që ndikon përfshirja e gruas, padyshim shtimi i rolit të gruas në jetën institucionale të vendit? 
Mendoj se ndikon shumë pozitivisht. Ishte një arritje e madhe vendosja në ligj e përfaqësimit të barabartë gjinor në këshillat bashkiake. Duhet të guxojmë pse jo që këtë gjë, mundësisht përmes ndryshimeve që mund të bëhen në Kodin Zgjedhor, të realizohen edhe në Kuvendin e ardhshëm dhe në përgjithësi të kemi një përfaqësim të barabartë gjinor në Parlament dhe në të gjitha institucionet.

Çfarë brenge ka Ilir Meta nga marrëdhëniet ndërmjet shumicës qeveritare dhe opozitës? Çfarë mund të ndryshojë dhe si mund të ndikojë ky raport për të ndryshuar këtë që po flasim?
Brenga ime është koha që humbasim duke denigruar njëri-tjetrin, që është një kohë që në fakt ua marrim qytetarëve shqiptarë dhe që mund ta investonim në të mirën e tyre dhe në përmirësimin e ndjeshëm të imazhit të vendit. Nuk besoj se dhe në një pikëpamje më pragmatike elektorale, përmes denigrimit dhe shkëmbimit të akuzave pa vend, dikush fiton pikë, fiton përkrahje. Është një shterim i panevojshëm dhe abuzim i energjive, që janë të shumta dhe që duhen përdorur në mënyrë pozitive. Kjo është e vetmja brengë.

A mendoni se në morinë e këtyre akuzave të ndërsjellta që janë ndërmjet partive, përfshirë edhe ato të rastit të fundit të CEZ-it, është kohë vërtet e humbur apo ka nevojë për një shtysë? Ndoshta me ndonjë ligj të ri apo qoftë edhe me ndonjë hetim ndërkombëtar, pasi ju keni qenë i hapur ...
Unë kam qenë dhe jam i hapur për çdo hetim shqiptar dhe ndërkombëtar, për çdo çështje konkrete dhe është e mira që çdo forcë politike apo cilido që ka një shqetësim për çështje që kanë të bëjnë  me korrupsionin apo me shkeljen e ligjit të ndjekë një rrugë institucionale. Pastaj përpjekjet për të politizuar çështje të tilla, absolutisht që nuk i shërbejnë as zbardhjes së të vërtetës dhe as daljes së përgjegjësisë së askujt.

Ekonomia është padyshim një çelës. Ju shpesh keni qenë kritik për disa zhvillime apo le të themi për ritmet e rritjes ekonomike në Shqipërisë. Mendoni se qeverisja ka një lloj rreziku nga ekonomia, ndonjë lloj pakënaqësie ndoshta në rritje që mbase është e padukshme për momentin? Besoni se ka nevojë për ndryshime dhe a është e rrezikuar qeveria apo aleanca?
Duhet të keni në konsideratë se trashëgimia ekonomike, financiare, buxhetore, që gjeti mazhoranca e re pas zgjedhjeve, ka qenë mjaft e vështirë edhe për arsye të disa politikave populiste dhe elektorale që  u ndoqën sidomos para zgjedhjeve të vitit 2013. Kështu që, duke i shtuar kësaj baze nisje të politikave ekonomike financiare të kësaj qeverie, edhe atë situatë rajonale, europiane  ekonomike dhe financiare të vështirë, duhet të jemi realistë që klima e përgjithshme nuk ka qenë e lehtë.
Natyrisht që qeveria ka bërë disa reforma të rëndësishme dhe vazhdon si ato në fushën e energjisë, si ato në fushën e pensioneve, si ato në fushën e bujqësisë edhe shumë të tjera. Reforma administrative-territoriale, që shpresojmë se do të japë impaktet e saj edhe ekonomike, por edhe sociale, në drejtim të ofrimit të shërbimeve më të mira dhe më cilësore ndaj qytetarëve, do të vijojë në këtë drejtim. Por sfidat nuk do të jenë të lehta dhe mendoj që duhet punuar edhe më shumë jo vetëm në drejtim të formalizimit të ekonomisë, por edhe të mënyrës së këtij formalizimi, që duhet ndjerë nga biznesi, jo si një presion ndaj tij, por si një ndihmesë ndaj tij për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar.

A janë ekonomia, reformat, qoftë dekriminalizimi, një vështirësi që krijohet në marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin?
Natyrisht që kjo është një marrëdhënie e vazhdueshme, e përditshme. E rëndësishme është që drejtimet kryesore strategjike janë të dakordësuara. Çdo debat i ditës nuk konteston dhe nuk vë në pikëpyetje këto raporte, nuk vë në pikëpyetje këtë koalicion. Shpeshherë shohim që deputetë, po themi të Partisë Socialiste, mund të kenë vërejtjet e tyre. Natyrisht që ka një dëshirë, që sa herë mund të ketë një qëndrim qoftë edhe paksa të ndryshëm të përfaqësuesve të LSI-së, menjëherë të ketë një interes të madh mediatik për ta paraqitur si një problem të madh të koalicionit. Kjo shpjegohet edhe me dëshirën e mediave për të prodhuar ndonjëherë lajme më sensacionale dhe për t’iu shmangur argumentit që jepet gjatë këtij debati. Ne jemi pjesë e këtij koalicioni, jemi pjesë e kësaj mazhorance dhe synojmë që ajo çdo ditë të përmirësohet dhe ka mjaft hapësirë për t’u përmirësuar.

Duhet të kuptojmë me këtë z. Kryetar dhe atë që dëgjova pak më përpara që thoshit për impulse të reja...?
Patjetër, por problemi këtu është se sapo thua impulse të reja, secili mendon që çdo impuls është një ministër i ri, që zëvendëson një tjetër e kështu me radhë. Për ne është i rëndësishëm rezultati i qeverisë. Emrat nuk janë më të rëndësishëm dhe ne padyshim që presim rezultate më të mira.

Z. Kryetar, ju keni udhëhequr një mbledhje me komisionet e kuvendeve të vendeve të rajonit. Çfarë roli është me më shumë përparësi, që duhet t’i japë Shqipëria, Kosovës?
Shqipëria ka luajtur një rol gjithmonë aktiv në përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në të gjitha organizatat rajonale dhe absolutisht që vazhdon në përpjekje edhe me vetë institucionet e Kosovës, edhe me Parlamentin edhe me qeverinë e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë kryesorë në Bashkimin Evropian, në procesin e fuqizimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës.
Kemi një hap pozitiv në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Shpresojmë që të përmbyllet me sukses të plotë dhe ky është një proces i pandalshëm dhe bashkëpunimi ynë është i vazhdueshëm në këtë drejtim. 

Ju z. Meta shiheni si një figurë më e “dëgjueshme” për shqiptarët në rajon. Ndoshta kjo vjen dhe nga e shkuara juaj në kohën e luftërave për liri në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës. Besoni se Ilir Meta mund të jetë një argument shumë i fortë që “të kushtëzojë” udhëheqjen politike të shqiptarëve për të gjetur pikat e pajtimit mes tyre?
Jo, nuk besoj se Ilir Meta mund të jetë një argument i fortë për kushtëzime të tilla. Unë besoj se udhëheqësit shqiptarë edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Luginën e Preshevës, por edhe në Malin e Zi, duhet të kushtëzohen nga interesi i shqiptarëve, nga interesi i tyre për të arritur ato zgjidhje të cilat ndihmojnë Kosovën që të afirmohet më tej. Mund të them që ngjarjet e fundit në Parlamentin e Kosovës nuk e ndihmojnë afirmimin e Kosovës. Ne  do të donim që edhe në Maqedoni të kishte një bashkëpunim më të ngushtë midis forcave shqiptare në interes të afirmimit të interesave të shqiptarëve, por edhe të kontributit, që shqiptarët në tërësi mund të japin akoma më shumë për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe për shumë procese të tjera që ky vend ka nevojë dhe kudo shqiptarët kanë nevojë që të forcojnë ndjenjat e tyre të bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët. Sigurisht këtu gjejmë ende shumë hapësirë për të shfrytëzuar edhe vetë ne në Shqipëri, nuk jemi aty ku duhet.

Ç’mund të bëjë shumica dhe opozita në Kosovë që të gjejnë këtë pikë takimi në këtë gjendje që është krijuar?
Besoj se ka shumë rrugë përmes dialogut për të dalë nga kjo situatë. Besoj se kurrsesi kjo situatë komprometuese nuk ndihmon në kthjellimin e argumenteve politike, juridike, kushtetuese për të ecur përpara. Përkundrazi, është një situatë, që i mjegullon të gjithë argumentet e tjera edhe nuk ndihmon për ecjen e qartë dhe solide të afirmimit të shtetit të Kosovës dhe forcimit të institucioneve të saj dhe njëkohësisht të integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës.

A keni një vërejtje, ndoshta për një pikëpamje të krijuar, sikur Shqipëria ndodhet pak “larg” ndikimit në jetën politike të Kosovës. Mos ndoshta duhet bërë më shumë?
Nuk mendoj se Shqipëria apo faktorët politikë e institucionalë në Shqipëri duhet të ndikojnë për të dhënë zgjidhje konkrete për çështje të brendshme të Kosovës, të debatit politik. Unë besoj se vetë forcat politike në Kosovë i kanë mundësitë dhe i kanë kapacitet, duke ndjekur një rrugë më bashkëpunuese, më transparente dhe më luajale ndaj njëri-tjetrit si detyrim ndaj qytetarëve të tyre në radhë të parë.

Kosova është treguar e hapur dhe e votoi, pavarësisht një vonese të vogël, krijimin e Gjykatës Speciale. Shpesh Shqipëria në të gjitha nivelet institucionale ka thënë se akuzat që përmendeshin nga senatori zviceran Dick Marty ishin të ngjashme me ato që ngrinte prokuroria në Beograd.

Besoni se është një veprim i mirë pranimi i krijimit të Gjykatës Speciale dhe mbi të gjitha mbështetja që i kanë dhënë faktorët rajonalë, SHBA-të sigurisht dhe Shqipëria, vetë zbardhjes së diskutimeve të këtyre çështjeve?
Besoj se proceset, që kanë ndodhur më parë në Hagë me figurat e shquar të UÇK-së, kanë rrëzuar shumë akuza të ngritura dhe kanë vërtetuar pafajësinë e këtyre figurave. Në përgjithësi kanë bërë të qartë se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë me shumë vlera dhe ka qenë krejt e kundërta nga ajo që ka pësuar populli i Kosovës apo qytetarët e Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Për situatën konkrete jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se u krijua një situatë, u krijua një sensibilizim, në vlerësimin tim jo i drejtë, megjithatë kjo rrugë ishte rruga e vetme për të pastruar një herë e mirë çdo pretendim të padrejtë ndaj luftës së UÇK-së.

Shqiptarët e shtetit maqedonas, disa të drejta të fituara me marrëveshjen kornizë të Ohrit të 13 gushtit 2001 pretendojnë se nuk i kanë të plotësuara. Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjithashtu me marrëveshjen e majit 2001 për shpërbërjen e ushtrisë së asaj kohe çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit, paraqesin pretendime të tilla. Serbia a është vërtetë një aktor i ndryshuar në rajon duke marrë parasysh këtu edhe sjelljen e kryeministrit Nikolla Gruevski për të dyja këto çështje që prekin drejtpërdrejtë shqiptarët në këto territore, po themi etnike të Shqipërisë të mbetura jashtë kufijve?
Natyrisht që këto vende kanë sfida të mëdha përpara dhe në këtë drejtim mbetet ende shumë për të bërë, që edhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende, të gëzojnë të drejta të plota si çdo qytetar në një vend të zhvilluar anëtar i Bashkimit Europian.

Por në fund të fundit të mos harrojmë se këto vende janë në proces, dhe ajo që mbetet është një bashkëpunim më i mirë midis të gjithë faktorëve shqiptarë, në radhë të parë për të afirmuar vlerat e tyre. Për të potencuar faktorin shqiptar si një faktor modernizues të këtyre vendeve, modernizues të këtyre shteteve, modernizues të këtyre shoqërive. Sepse kjo do të ndihmojë për të fituar ato të drejta që ato ende sot nuk i kanë të mundësuara, të realizuara, por dhe njëkohësisht do të bëjë të mundur që faktori shqiptar në këtë mënyrë të ketë një mbështetje akoma dhe më të madhe nga faktori ndërkombëtar, që është i interesuar për stabilitetin e këtyre vendeve dhe për evropianizimin e tyre të plotë.

Pak ditë të shkuara ju bëtë thirrje që vendet e rajonit ta njohin Kosovën. Padyshim që Greqia është një “çelës” në këtë zhvillim. A mendoni se Greqia bashkërisht me mundësinë për njohjen e Kosovës duhet të zgjidhë edhe disa çështje të tjera të mbetura me Shqipërinë? Të mos harrojmë se ju keni qenë i pari Kryeministër që keni përmendur çështjen e pronave të shqiptarëve të Çamërisë, çështjen çame apo edhe një sërë marrëveshjesh të tjera. I mbeteni këtyre qëndrimeve?
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, që problemet zakonisht janë me ato që ke më afër dhe natyrisht që janë më fqinjët, por mbi të gjitha unë jam i bindur që sot dominon, prevalon bindja, që e mira e fqinjit është edhe e mira jonë. E mira jonë është edhe e mira e fqinjit, sepse kemi një proces globalizimi dhe gjithnjë e më shumë është e qartë se edhe rajoni ynë duhet të ketë një ndjenjë tjetër të solidaritetit dhe të ballafaqimit me sfidat e globalizimit. Që do të thotë se interesat e përbashkëta janë shumë më të mëdha se sa problemet e mbartura, ende të pazgjidhura aq më tepër me një fqinj kaq të rëndësishëm sa Greqia, që është edhe anëtar i NATO-s, edhe anëtar i Bashkimit Europian, ku ne kemi një komunitet të jashtëzakonshëm të shqiptarëve. Kemi një minoritet grek që kontribuon këtu me të gjithë vlerat dhe me të gjithë, do të thosha aftësitë e tij, për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë. Dhe në këtë drejtim të gjitha këto çështje do të zgjidhen me dialog dhe këto çështje nuk duhen ngritur si një pengesë në marrëdhëniet midis vendeve. Ato duhen trajtuar si mënyra e duhur për ta forcuar akoma më tej këtë miqësi dhe për t’i forcuar akoma më tej ato interesa të përbashkëta, që janë të pafundme midis shqiptarëve dhe grekëve, por edhe midis të gjitha popujve të rajonit tonë.

Keni kërkuar në vazhdimësi z. Meta votimin e emigrantëve, në përgjithësi të gjithë diasporës. Çfarë mund të bëhet që diaspora veçanërisht ajo e SHBA-ve, vendimtare në disa zhvillime të shqiptarëve në rajon, pse jo të ketë përfaqësuesit e saj në Kuvend, pra të ketë deputetë?
Patjetër, unë edhe para pak ditësh takova një përfaqësi të gjerë të gjithë shoqatave të shqiptarëve të Italisë, të cilët e kishin këtë kërkesë, përveç disa kërkesave të tjera plotësisht të drejta dhe legjitime. Pa asnjë diskutim unë jam pro garantimi të së drejtës së votës së gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo ku ata jetojnë. Sepse kjo do të forcojë lidhjen e tyre me vendin, por do të forcojë kontributin që ata kanë dhënë dhe do të japin në të ardhmen për vendin e tyre. Njëkohësisht do të impenjojë akoma më shumë Kuvendin, Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Shqipërisë për të treguar kujdesin e duhur, atë që kërkon Kushtetuta e vendit për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku ata jetojnë.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Nju Jork, i vuri flakën një gruaje në metro, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje e zjarrvënie

Nju Jork, i vuri flakën një gruaje në metro, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje e zjarrvënie