Ndërsa Presidenti serb Aleksandër Vuçiç vijon vizitën në Kosovë, lideri i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti vijon takimet në Shqipëri.
Sot Kurti ka zgjedhur të drekojë me Presidentin, Ilir Meta në Karpen të Kavajes, teksa të pranishëm ishin gazetari Ilir Babaramo dhe këshilltari i Metes, Ilir Kulla.
Ndërkohë që Presidenti Meta në mbrëmje ka publikuar një foto me Kurtin në faqen e tij në Facebook ku shkruan është ‘Kënaqësi të takohesha sot me liderin e Vetëvendosjes, z.Albin Kurti në Karpen’.
Në fokus të takimit mendohet të ketë qenë vizita e Vuçiç në Kosovë. Albin Kurti është takuar sot edhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Si Kurti dhe Meta janë pozicionuar kundër idesë së Thaçit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.