TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka dekoruar ditën e sotme me Dekoratën e Flamurit Kombëtar vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, teksa në mesazhin e tij, kreu i shtetit ka dhënë edhe mesazhe që lidhen me aktualitetin politik. Meta thotë se duhet ecur në gjurmët e Rilindjes, por jo të kësaj aktuale (qeverisë), por atë rilindasve të vërtetë dhe për ta çliruar vendin nga e keqaja që mban peng të ardhmen.

"Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe Rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e Shqipërisë, pata sot nderin të vlerësoj në vendlindjen e tyre, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën në Republikë, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri. Tre Pishtarë të Dijes dhe Atdhedashurisë, burra shteti me vizion dhe personalitet të jashtëzakonshëm që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar, me aktualitetin e veprës së tyre na udhëheqin edhe sot drejt integrimit europian. Është koha për të ecur në gjurmët e Rilindasve të vërtetë, për të rrëzuar çdo mur dhe për t'u çliruar nga çdo e keqe që synon të mbajë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë", shkruan Meta.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast para busteve të tre vëllezërve Frashëri, Kreu i Shtetit i akordoi Abdyl Frashërit (pas vdekjes) “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Si një ndër adhetarët më të shquar në luftën për shpëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin e popullit dhe çlirimin kombëtar të shqiptarëve. Si ideolog i spikatur i Rilindjes Kombëtare, një ndër organizatorët kryesorë dhe përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, burrë shteti me vizion, politikan, diplomat e personalitet me merita të jashtëzakonshme, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar”. 

Ndërsa Naim Frashërit (pas vdekjes), Kreu i Shtetit i akordoi të njëjtën dekoratë, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të luftës për Pavarësinë e  Shqipërisë. Si poeti kombëtar, mendimtari dhe atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare. Misionari, mësuesi dhe krijuesi talentuar, i cili i këndoi me përkushtim dhe i bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, kulturës, identitetit dhe lirisë së shqiptarit. Frymëzuesi i madh i krenarisë, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe orakulli i pashtershëm i lirisë së tyre”.

“Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, Presidenti Meta ia akordoi Sami Frashërit (pas vdekjes) me motivacionin:“Si ideologu i Rilindjes Kombëtare. Atdhetar, dijetar i madh enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar, publicist, përkthyes i shquar, nxitës i vlerave të dijes, shkollimit, emancipimit dhe kurajës qytetare të bashkatdhetarëve. Si vigani i mendimit filozofik, që u ofroi shqiptarëve programin dhe modelin e shtetit të tyre perëndimor. Në vitet më të vështira të kombit ai ofroi vizionin perëndimor, si dhe strategjinë për Pavarësinë, shtetformimin dhe përparimin afatgjatë të Shqipërisë”.